MATIA
[ka të ngjarë formë e shkurtuar e emrit hebraik Matitia që do të thotë «dhuratë nga Jehovai»].
Dishepulli që u zgjodh me short si apostull që të zëvendësonte Judë Iskariotin. Pasi Jezui u ngjit në qiell, Pjetri vërejti se Davidi nuk kishte parathënë vetëm tradhtinë e Judës (Ps 41:9), por gjithashtu kishte shkruar: «Tjetërkush ia marrtë detyrën e mbikëqyrjes!» (Ps 109:8) Kështu, u propozoi rreth 120 dishepujve të mbledhur që vendi të mos lihej bosh. U sugjerua Jozef Barsaba dhe Matia. Pasi bënë një lutje, hodhën short dhe u zgjodh Matia. Kjo ndodhi vetëm pak ditë para derdhjes së frymës së shenjtë dhe, sipas Biblës, është rasti i fundit ku është përdorur shorti për të treguar zgjedhjen e bërë nga Jehovai për një çështje.—Ve 1:15-26.
Sipas fjalëve të Pjetrit (Ve 1:21, 22), Matia kishte qenë ithtar i Krishtit gjatë tre vjetëve e gjysmë të shërbimit të tij në tokë, ishte lidhur ngushtë me apostujt dhe ka mjaft të ngjarë të ketë qenë një nga 70 dishepujt ose ungjillëzuesit që Jezui dërgoi të predikonin. (Lu 10:1) Pasi u zgjodh, kongregacioni ‘e llogariti me njëmbëdhjetë apostujt’ (Ve 1:26), dhe kur, menjëherë më pas, te Veprat përmenden «apostujt» ose «dymbëdhjetë apostujt», përfshihet edhe Matia.—Ve 2:37, 43; 4:33, 36; 5:12, 29; 6:2, 6; 8:1, 14; 9:27; shih PAVLI.