NABONIDI
[nga gjuha babilonase që do të thotë «Neboja (një perëndi babilonas) është lartësuar»].
Monarku i fundit suprem i Perandorisë Babilonase; i ati i Belshazarit. Duke u bazuar te dokumentet me shkrim kuneiform, mendohet se sundoi rreth 17 vjet (556-539 p.e.s.). Ishte i dhënë pas letërsisë, artit dhe fesë.
Në mbishkrimet e tij, Nabonidi pohon se vinte nga sërë fisnike. Një pllakë e gjetur afër Haranit të lashtë dëshmon se mamaja ose gjyshja e Nabonidit ishte adhuruese e Sinit, perëndisë-hënë. (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 311, 312) Gjatë mbretërimit të tij, Nabonidi ishte besimtar i devotshëm i perëndisë-hënë dhe e adhuronte edhe në Haran, edhe në Ur, ku ai perëndi zinte vend kryesor.—FIGURA, vëll. 2, f. 324 në botimin anglisht.
Në pllakat me shkrim kuneiform të vitit të tetë të Nabukodonosorit (nisan 617-nisan 616 p.e.s.) flitet për dikë me emrin Nabu-naʼid që «kryeson në qytet» dhe disa historianë mendojnë se ky është Nabonidi që u bë më vonë mbret. Mirëpo kjo do të nënkuptonte se Nabonidi ishte tepër i ri kur u vendos në atë post drejtues dhe se ishte jashtëzakonisht i moshuar kur ra Babilonia, rreth 77 vjet më vonë (539 p.e.s.).
Teksa flet për ngjarje të vitit të 20-të të mbretërimit të Nabukodonosorit (nisan 605-nisan 604 p.e.s.), historiani grek Herodoti (I, 74) përshkruan lidhjen e një traktati mes lidianëve dhe medëve me ndërmjetësinë e dikujt që quhej «Labineti, babilonasi». Mendohet se «Labinet» është mënyra si e shkruante Herodoti emrin e Nabonidit. Më tej, Herodoti (I, 188) thotë se Kiri i Persisë luftoi kundër birit të Labinetit dhe Nitokrisës.
Në një libër, profesori R. F. Dauërti ngre hipotezën se Nitokrisa ishte e bija e Nabukodonosorit, e kështu Nabonidi (Labineti) ishte dhëndër i Nabukodonosorit. (Nabonidus and Belshazzar, Yale Oriental Series 1929, f. 63; shih edhe f. 17, 30.) Pra, «biri» i Nitokrisës dhe Nabonidit (Labinetit), që përmend Herodoti, mendohet se është Belshazari, kundër të cilit Kiri luftoi vërtet. Ky argument mund të shpjegojë arsyen pse u ngjit në fronin e Babilonisë Nabonidi. Gjithashtu përputhet me faktin që në Bibël Nabukodonosori quhet «ati» i Belshazarit, birit të Nabonidit (Dn 5:11, 18, 22), pasi fjala «atë» hera-herës ka kuptimin gjysh ose paraardhës. Sipas këtij arsyetimi, Belshazari ishte nip i Nabukodonosorit.—Megjithatë, shih BELSHAZARI.
Nabonidi hipi në fron pasi u vra Labashi-Marduku. Por fakti që në një nga mbishkrimet e tij Nabonidi e quan veten «i dërguari i fuqishëm» i Nabukodonosorit dhe Neriglisarit tregon se, sipas tij, e mori fronin në rrugë të ligjshme dhe nuk ishte uzurpator.
Në mjaft prizma, Nabonidi përmend lidhjen me birin e parëlindur, Belshazarin, në lutjet drejtuar perëndisë-hënë. (Documents From Old Testament Times, nga D. U. Tomasi, 1962, f. 73) Në një mbishkrim tregohet se vitin e tretë të mbretërimit, Nabonidi i dha pushtet mbretëror Belshazarit në Babiloni, e pas kësaj nisi një fushatë që përfundoi me pushtimin e Temës në Arabi. Po ky mbishkrim tregon se Nabonidi i fyeu nënshtetasit e perandorisë së tij, pasi e përqendroi adhurimin te perëndia-hënë dhe nuk ishte në Babiloni për festën e Vitit e Ri. Në dokumentin e quajtur Kronika e Nabonidit thuhet se vitin e 7-të, të 9-të, të 10-të dhe të 11-të të mbretërimit, Nabonidi ndodhej në qytetin e Temës, dhe në secilin rast përsëritet ky pohim: «Mbreti nuk erdhi në Babiloni [për ceremonitë e muajit nisanu]; (shëmbëlltyra e) perëndisë Nebo nuk erdhi në Babiloni, (shëmbëlltyra e) perëndisë Bel nuk doli (nga Esagila në procesion), festa [e Vitit të Ri nuk u bë].» (Ancient Near Eastern Texts, f. 306) Meqë dokumenti është i cunguar, kronika e viteve të tjera është e paplotë.
Diku tjetër shkruhet për qytetin e Temës, të ngritur në një oazë: «Ai e zbukuroi qytetin, ndërtoi (atje) [pallatin e tij] si pallati në Suana (Babiloni).» (Ancient Near Eastern Texts, f. 313) Me sa duket, Nabonidi kishte ngritur rezidencën mbretërore në Temë, dhe dokumente të tjera tregojnë se karvanët e deveve çonin atje gjëra të nevojshme nga Babilonia. Ndonëse nuk hoqi dorë nga pozita si mbret i perandorisë, Nabonidi la Belshazarin të qeveriste në Babiloni. Meqë Tema ishte një qytet ku kryqëzoheshin rrugët e lashta të karvanëve që transportonin nëpër Arabi flori dhe erëza, ka gjasa që interesimi i Nabonidit për Temën të kishte motive ekonomike ose strategjike. Është hedhur edhe ideja se Nabonidit i dukej një lëvizje e mençur politike që ta qeveriste Babiloninë nëpërmjet të birit. Faktorë të tjerë që mund të kenë ndikuar te preferenca e Nabonidit për Temën ishin klima e shëndetshme e qytetit dhe fakti që në Arabi mbizotëronte adhurimi i hënës.
Nuk ka të dhëna për veprimtarinë e Nabonidit nga viti i 12-të deri në vitin e fundit të mbretërimit të tij. Për t’i paraprirë një agresioni nga medët dhe persët nën udhëheqjen e Kirit të Madh, Nabonidi kishte lidhur aleancë me Perandorinë Lidiane dhe Egjiptin. Kronika e Nabonidit tregon se ai ishte kthyer në Babiloni vitin e sulmit medo-pers, kur u festua Viti i Ri dhe kur perënditë e ndryshme babilonase u çuan në qytet. Kronika thotë në lidhje me përparimin e forcave ushtarake të Kirit se, pas fitores në Opis, Kiri pushtoi Siparin (rr. 60 km në veri të Babilonisë) dhe «Nabonidi ia mbathi». Pastaj vijon tregimi për pushtimin e Babilonisë nga medo-persët dhe thuhet se kur Nabonidi u kthye atje, e zunë rob. (Ancient Near Eastern Texts, f. 306) Shkrimet e Berosit, prift babilonas i shekullit të tretë p.e.s., tregojnë se Nabonidi doli në betejë me forcat e Kirit, por u mund. Më tej thuhet se Nabonidi u strehua në Borsipë (në jug-jugperëndim të Babilonisë) dhe se, pas rënies së Babilonisë, iu dorëzua Kirit dhe e syrgjynosën në Karmani (në jug të Persisë). Kjo përputhet me tregimin biblik të kapitullit 5 të Danielit, ku tregohet se Belshazari ishte regjent në Babiloni në kohën e pushtimit të saj.
Vlen të përmendet se tregimi i Danielit prek fare pak ngjarje para rrëzimit të Babilonisë, e madje edhe rënia e perandorisë përmblidhet me pak fjalë. Kjo mund të shpjegojë pse në kapitullin e 5-të të Danielit, Nabonidi nuk përmendet me emër. Megjithatë, fakti që ai ishte mbret mund të dallohet nga Danieli 5:7, 16, 29, ku Belshazari i ofron Danielit të bëhet sundimtari i tretë në mbretëri, duke nënkuptuar kështu se Nabonidi ishte i pari dhe Belshazari i dyti. Profesor Dauërti komenton: «Kapitulli i pestë i Danielit është në përputhje me faktet kur nuk e përmend fare Nabonidin, meqë ai, me sa duket, nuk u përfshi në ngjarjet që ndodhën kur Gobrjasi [kreu i ushtrisë së Kirit] hyri në qytet.»—Nabonidus and Belshazzar, f. 195, 196; shih edhe f. 73, 170, 181; shih Dn 5:1, shën., NW.
Çfarë përmban në të vërtetë Kronika e Nabonidit?
E quajtur edhe «Kronika e Kir-Nabonidit» dhe «Pllaka e analeve të Kirit», ajo është fragment i një pllake argjile, që sot ruhet në Muzeun Britanik. Ajo paraqit kryesisht ngjarjet kryesore të mbretërimit të Nabonidit, monarkut të fundit suprem të Babilonisë, duke përfshirë edhe një përmbledhje me fjalë të prera të rënies së Babilonisë para trupave të Kirit. Edhe pse s’ka dyshim se vjen nga Babilonia dhe është shkruar me shkrim kuneiform babilonas, studiuesit që kanë shqyrtuar stilin e shkrimit thonë se mund t’i përkasë periudhës së Seleukajve (312-65 p.e.s.), pra daton dy shekuj a më shumë pas kohës së Nabonidit. Është gati e sigurt se kemi të bëjmë me kopjen e një dokumenti më të hershëm. Për shkak të tonit të kronikës, që ngre në qiell Kirin, ndërsa flet me nënçmim për Nabonidin, mendohet se është vepër e një skribi pers dhe madje është quajtur «propagandë perse». Por, pavarësisht nga kjo, historianët janë të mendimit se hollësitë e kronikës janë të besueshme.
Sado që Kronika e Nabonidit është një tregim konciz—pllaka është rreth 14 cm në pjesën më të gjerë dhe është thuajse po aq e gjatë—ajo mbetet dokumenti më i plotë me shkrim kuneiform që flet për rënien e Babilonisë. Në kolonën e tretë (nga katër kolona që ka), duke nisur nga rreshti 5, shkruhet: «[Viti i shtatëmbëdhjetë:] . . . Në muajin e tashritut, kur Kiri sulmoi ushtrinë e Akadit në Opis pranë Tigrit, banorët e Akadit ngritën krye, por ai (Nabonidi) i masakroi banorët e çorientuar. Ditën e 14-të, Sipari u mor pa luftë. Nabonidi iku. Ditën e 16-të, Gobrjasi (Ugbaru), guvernatori i Gutiumit, dhe ushtria e Kirit hynë në Babiloni pa luftë. Më pas Nabonidin e kapën në Babiloni kur u kthye (atje). . . . Në muajin e arahshamnut, ditën e 3-të, Kiri hyri në Babiloni dhe para tij shtruan degëza të gjelbërta—në qytet u vendos gjendja e ‘Paqes’ (sulmu).»—Ancient Near Eastern Texts, f. 306.
Vlen të përmendet se fjalët «vitin e shtatëmbëdhjetë» nuk ndodhen në pllakë, pasi ajo pjesë e tekstit është dëmtuar. Kjo frazë është futur nga përkthyesit, sepse ata mendojnë që viti i 17-të i mbretërimit të Nabonidit ishte viti i fundit. Pra ata supozojnë se Babilonia ra gjatë atij viti të mbretërimit të tij dhe se, sikur pllaka të mos ishte dëmtuar, në pjesën e prishur do të ishin ato fjalë. Edhe sikur Nabonidi të ketë mbretëruar më gjatë nga ç’mendohet në përgjithësi, kjo nuk do ta ndryshonte datën e pranuar botërisht për rënien e Babilonisë, vitin 539 p.e.s., pasi këtë datë e mbështetin edhe burime të tjera. Megjithatë, kështu i ulet disi vlera Kronikës së Nabonidit.
Ndonëse viti mungon, në pjesën e mbetur të tekstit janë muaji dhe dita e rënies së qytetit. Me anë të këtyre, kronologët llogaritin se, sipas kalendarit julian, dita e 16-të e muajit tashritu (tishër) e vitit 539 p.e.s. bie më 11 tetor, kurse, sipas kalendarit gregorian, bie më 5 tetor. Meqë kjo datë pranohet botërisht dhe nuk ka dëshmi që ta kundërshtojnë, ajo shërben si datë kyç për të bashkërenduar historinë jobiblike me historinë e Biblës.—Shih KRONOLOGJIA.
Është interesante ajo çka thuhet në Kronikë për natën kur ra Babilonia: ‘Ushtria e Kirit hyri në Babiloni pa luftë.’ Ka shumë të ngjarë që kjo nënkupton se nuk u zhvillua një betejë e mirëfilltë, dhe kjo përkon me profecinë e Jeremisë se ‘burrat e fuqishëm të Babilonisë do të reshtnin së luftuari’.—Jr 51:30.
Po ashtu, është interesante se, në disa raste, kuptohet qartë që Kronika i referohet Belshazarit. Edhe pse Belshazari nuk përmendet me emër, sipas shpjegimit që jep Sidni Smithi në një vepër të tij duke mbajtur parasysh pjesët e mëvonshme të Kronikës (kol. II, rreshtat 5, 10, 19, 23), rreshti 8 i kolonës I tregon se Nabonidi ia besoi mbretërimin Belshazarit, duke e bërë bashkëregjent. (Babylonian Historical Texts: Relating to the Capture and Downfall of Babylon, Londër, 1924, f. 100) Në Kronikë thuhet shpesh se ‘princi trashëgimtar ndodhej në Akad [Babiloni]’, kurse Nabonidi ndodhej në Temë (Arabi). Gjithsesi, fakti që në Kronikën e Nabonidit, Belshazari nuk përmendet me emër dhe as që flitet për vdekjen e tij, s’e vë aspak në dyshim saktësinë e librit të frymëzuar të Danielit, në Da kapitullin 5 të të cilit emri i Belshazarit del tetë herë dhe vdekja e tij mbyll përshkrimin e gjallë për mposhtjen e Babilonisë. Përkundrazi, sipas specialistëve të shkrimit kuneiform, Kronika e Nabonidit është tej mase e shkurtër dhe, siç u tregua më sipër, ata mendojnë se kronika u shkrua për t’i nxirë emrin Nabonidit, jo për të dhënë një histori të hollësishme. Në fakt, R. F. Dauërti pohon në veprën e tij Nabonidus and Belshazzar (f. 200): «Mund të thuhet se tregimi i Shkrimeve është më i miri, sepse përdor emrin Belshazar.»—Kursivi është yni.
Ndonëse kolona IV e Kronikës është prishur keqas, nga pjesa e mbetur studiuesit kanë arritur në përfundimin se ajo fliste për një rrethim të mëvonshëm të Babilonisë nga një uzurpator. Rrethimi i parë i Babilonisë, pas atij të Kirit, mendohet se u bë gjatë revoltës së Nabukodonosorit III, i cili pohonte se ishte bir i Nabonidit, Nidintu-Belit. Ai u mund vitin kur hipi në fron Dari I, në fund të vitit 522 p.e.s.
[Figura në botimin e shtypur]
Kronika e Nabonidit, ku flitet për rënien e Babilonisë