NOJA, NO-AMONI
[nga gjuha egjipt., që do të thotë «qyteti i Amonit» (një perëndi egjiptiane)].
Qytet i rëndësishëm dhe, njëherë e një kohë, kryeqytet i Egjiptit, shtrihet në të dyja anët e Nilit të Sipërm, rreth 530 km në jug të Kajros. Grekët e quanin Tebë, emër që përdoret zakonisht edhe sot.
Në të shkuarën, disa studiues mendonin se termi hebraik «No» ishte një transkriptim i pasaktë i emrit egjiptian. (Jr 46:25) Gjithsesi, profesori T. O. Lambdini thekson se «vëzhgimet e fundit në fonologjinë egjipto-koptike tregojnë që germëzimi hebraik ka shumë mundësi të jetë i saktë dhe të pasqyrojë një shqiptim edhe më të lashtë egjiptian . . . Problemin e ndërlikon më shumë pasiguria që kanë egjiptologët në lidhje me shqiptimin e saktë të bashkëtingëlloreve të termit egjiptian».—The Interpreter’s Dictionary of the Bible, nga Xh. A. Batriku, 1962, vëll. 4, f. 615, 616.
Në tekstet e lashta egjiptiane ai quhet «qyteti i Amonit», ngaqë u bë qendra kryesore e adhurimit të perëndisë Amon, i cili, nga një hyjni e dorës së dytë, u bë perëndia kryesore e kombit dhe që grekët e barazonin me Zeusin (Jupiterin). (Shih AMONI nr. 5.) Në këtë qytet, faraonët ndërtuan monumente dhe tempuj gjigantë, që zinin një sipërfaqe të gjerë në bregun lindor të Nilit (në Karnaki dhe Luksor). Në bregun perëndimor ndërtuan tempuj të tjerë madhështorë dhe një varrezë të stërmadhe. Tempulli i Amonit në Karnaki konsiderohet si struktura më e madhe me shtylla që është ndërtuar ndonjëherë. Disa nga këto shtylla masive kanë një diametër prej 3,5 metrash.
Bëhet kryeqytet i Egjiptit. Në veçanti gjatë periudhës së njohur si «Mbretëria ose Perandoria e re: Dinastitë XVIII-XX», Teba mori rëndësi të madhe dhe u bë kryeqyteti i vendit. Largësia e madhe nga deti dhe pjesa e tokës që e lidhte me Azinë, ishin një mbrojtje e mirë nga ajo anë. Ka të ngjarë që qeveria e Egjiptit të Poshtëm të jetë dobësuar shumë dhe diskredituar pas Daljes së izraelitëve, prandaj sundimtarët e Egjiptit të Sipërm shfrytëzuan rastin dhe fituan epërsi. Sidoqoftë, ka prova se në atë kohë është bërë një riorganizim i madh.
Qendër e priftërisë. Megjithatë, edhe kur kontrollin administrativ të vendit e morën qytete të tjera, No-Amoni (Teba) mbeti një qytet i begatë e i rëndësishëm, qendra e priftërisë së fuqishme të Amonit. Kryeprifti i saj vinte fill pas faraonit për nga fuqia dhe pasuria. Por, në shekullin e shtatë p.e.s., agresioni asirian u përhap në Egjipt gjatë sundimit të mbretit asirian Esar-Hadonit. Djali dhe pasuesi i tij në fron, Ashurbanipali, e sulmoi përsëri vendin dhe arriti deri në Tebë, duke e plaçkitur qytetin fund e krye. Profeti Naum e kishte fjalën për këtë shkretim kur e paralajmëroi Ninevinë, kryeqytetin e Asirisë, se e priste një shkatërrim me përmasa të ngjashme. (Na 3:7-10) Mbrojtja e No-Amonit, që shtrihej përgjatë rrugës që vinte nga Palestina dhe përgjatë Nilit, dështoi. Kështu, pasuritë e mbledhura nga tregtia dhe thesaret e tempujve u bënë pre e plaçkitësve asirianë.
Shkatërrohet. Sidoqoftë, aty nga fundi i shekullit të shtatë apo fillimi i shekullit të gjashtë, No-Amoni kishte rifituar njëfarë rëndësie. Jeremia dhe Ezekieli parathanë se gjykimi i Perëndisë Jehova do të binte mbi perëndinë kryesore të Egjiptit, Amonin e Nosë, mbi faraonin dhe gjithë perënditë e tjera egjiptiane, me anë të Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë. (Jr 46:25, 26; Ezk 30:10, 14, 15) Sundimtari pers Kambisi i dha një goditje tjetër të fortë No-Amonit në vitin 525 p.e.s. Qyteti pati një rënie të vazhdueshme, derisa u shkatërrua përfundimisht nga romakët nën drejtimin e Gaj Kornel Galit, për shkak se u bashkua në revoltën kundër sundimit romak. (30-29 p.e.s.) Sot, përreth rrënojave masive të tempujve të perëndive të pafuqishëm të Nosë, gjenden vetëm disa fshatra të vogla.