FARPARI
Një nga dy «lumenjtë e Damaskut» që për Naamanin ishin shumë më të mirë se «gjithë ujërat e Izraelit». (2Mb 5:12) Naamani e përmendi Farparin të dytin, ndoshta sepse ishte më i vogli nga të dy. Këtë lumë e lidhin zakonisht me Nahr-el-ʼAʽvajin, me të vetmen rrjedhë që nuk është degë e asnjë lumi tjetër në zonën e Damaskut, përveç Nahr-Baradës (që mendohet se është Abanahu). Mirëpo, prurjet e ʼAʽvajit janë sa çereku i prurjeve të Baradës. Rrjedhat më të vogla që formojnë ʼAʽvajin vijnë nga shpatet lindore të malit të Hermonit dhe bashkohen rreth 30 km në jugperëndim të Damaskut. Nga këtu, lumi gjarpëron nëpër një shtrat shkëmbor të thellë derisa në fund humbet në një kënetë në juglindje të Damaskut. Në vijë ajrore, ky lumë (përfshirë edhe degët e tij ushqyese) përshkon një distancë prej rreth 64 km.
Kundërshtimi më i madh për lidhjen e mësipërme është se ʼAʽvaji në të vërtetë nuk është ‘lumë i Damaskut’, meqë rrjedh më se 15 km në jug të qytetit. Prandaj disa parapëlqejnë të mendojnë se Farpari është Nahr-Taura, një degë e Nahr-Baradës. Megjithatë, kur Naaman përmendi Damaskun, mund të ketë nënkuptuar edhe rrafshinën e Damaskut, nëpër të cilën kalon Nahr-el-ʼAʽvaji.