VASHTI
Mbretëreshë, gruaja e Asuerit (Kserksit I), mbretit të Persisë. Vitin e tretë të mbretërimit, Asueri mblodhi tërë fisnikët, princat dhe shërbëtorët e provincave. Në fund të atij takimi, shtroi një gosti për shtatë ditë. Edhe Vashti shtroi gosti për gratë që ishin në shtëpinë mbretërore. Ditën e shtatë, Asueri i urdhëroi zyrtarët e oborrit të sillnin Vashtin me vellon mbretërore në kokë, që hijeshinë e saj ta shihnin të gjithë. (Duket se zakonisht mbretëresha i hante vaktet në tryezën e mbretit, por nuk ka prova historike që kjo ndodhte edhe në gostitë e mëdha. Veç kësaj, në atë kohë Vashti kishte shtruar një gosti për gratë.) Për ndonjë arsye që nuk tregohet, Vashti refuzoi disa herë me kokëfortësi. Asueri iu drejtua të mençurve që njihnin mirë ligjin, dhe Memukani, një princ, shprehu mendimin që Vashti nuk kishte gabuar vetëm kundër mbretit, por edhe kundër të gjithë princave e popujve të provincave. Ai tha se me ta marrë vesh punën e mbretëreshës (lajm që do të përhapej në kështjellë sa hap e mbyll sytë), princeshat do të silleshin me përçmim ndaj burrave të tyre, me pretekstin që edhe Vashti kishte vepruar ashtu. (Es 1:1-22) Vashti u hoq nga pozita mbretërore dhe, rreth katër vjet më pas, judeja Ester u zgjodh që të bëhej gruaja e Asuerit dhe të zinte vendin e Vashtit si mbretëreshë.—Es 2:1-17.