ZIMRI
1. Bir i Zerahut dhe nip i Judës.—1Kr 2:4, 6.
2. Prijës simeonit, bir i Saluit. Ai futi midianiten Kozbi në kampin e Izraelit dhe kreu kurvëri me të në tendën e tij. Për këtë, Zimrin dhe Kozbin i vrau Finehasi me miratimin e Jehovait. Kjo ndërhyrje e shpejtë i dha fund plagës që tashmë kishte shkaktuar vdekjen e mijëra izraelitëve fajtorë.—Nu 25:6-8, 14-18.
3. Mbreti i 5-të i mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit. Zimri mbretëroi për shtatë ditë në Tirzah, rreth vitit 951 p.e.s. Më parë, ai kishte qenë kreu i gjysmës së karrocave të luftës të mbretit Elah, por ndërsa ushtria ishte në Gibeton dhe mbreti Elah kishte qëndruar në Tirzah, Zimri e vrau dhe e shpalli veten mbret. Sapo mori fronin, vrau të gjithë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Baashës. Mbretëria e tij qe shumë jetëshkurtër sepse ushtria bëri mbret Omrin dhe u kthye menjëherë për të rrethuar Tirzahun. Atëherë Zimri i vuri zjarrin shtëpisë së mbretit dhe u dogj edhe vetë brenda. Zimri ra në sy si një mbret që bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait. (1Mb 16:3, 4, 9-20) Fjalët e fundit të Jezebelës kujtuan edhe një herë atë që i ndodhi Zimrit. Ndërsa Jehu hyri fitimtar në Jezreel, ajo e sfidoi nga dritarja duke thënë: «A i shkoi gjithçka mirë Zimrit, vrasësit të zotërisë së tij?»—2Mb 9:30, 31.
4. Pasardhës i Saulit dhe i Jonatanit. (1Kr 8:33-36; 9:42) Është hedhur ideja se mund të ketë qenë Zimri nr. 3, meqenëse pikërisht ky duket se u orvat të rimerrte mbretërinë si pjesëtar i shtëpisë së Saulit.
5. Vend gjeografik i panjohur; nganjëherë e lidhin me Zimranin, birin e Abrahamit, por pa ndonjë dëshmi të besueshme.—Jr 25:25; Zn 25:1, 2.