Pyetje nga lexuesit
Pasi Bibla shpesh përmend «djalë pa baba», a do të thotë kjo se interesohet më pak për vajzat?
Sigurisht që jo.
Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta përdor shprehjen «djalë pa baba» në shumë vargje që tregojnë interesin e Perëndisë për fëmijët të cilëve u mungon një prind. Perëndia e tregoi qartë këtë interesim në ligjin që i dha Izraelit.
Për shembull, Perëndia tha: «Ju njerëz nuk duhet të pikëlloni asnjë vejushë dhe asnjë djalë pa baba. Nëse do ta pikëllosh në ndonjë farë mënyre, pra, nëse më thërret në ndonjë mënyrë, unë do ta dëgjoj patjetër thirrjen e tij; dhe zemërimi im me të vërtetë do të ndizet dhe me siguri do t’ju vras me shpatë dhe gratë tuaja duhet të bëhen vejusha dhe bijtë tuaj djem pa baba.» (Të Dalët 22:22-24, BR) «Jehovai, Perëndia juaj, është Perëndi i perëndive dhe Zotëri i zotërinjve, Perëndia i madh, i fuqishëm dhe që të fut frikën, që nuk trajton askënd me anësi, as që pranon rryshfete, duke kryer gjykimin për vejushat dhe djemtë pa baba.»—Ligji i përtërirë 10:17, 18, BR; 14:29; 24:17; 27:19.
Shumë përkthime të Biblës lexojnë «fëmijë pa baba» apo «jetim» në këto vargje, duke përfshirë kështu djemtë dhe vajzat. Megjithatë, përkthime të tilla nuk përfillin një veçori që gjendet në fjalën themelore hebreje (ya·thohmʹ), që është në gjininë mashkullore. Në vend të kësaj , përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta përdor përkthimin e saktë «djem pa baba» sikurse lexohet në Psalmin 68:5: «Babai i djemëve pa baba dhe gjykatësi i vejushave është Perëndia në banesën e tij të shenjtë.» Duke u bazuar në të njëjtën ndjeshmëri të fjalës themelore hebreje, gjinia femërore e foljes në Psalmin 68:11 rekomandon leximin: «Gratë që shpallin lajmin e mirë janë një ushtri e madhe.»a
Edhe pse «djalë pa baba» është përkthimi kryesor i ya·thohmʹ, kjo nuk duhet të merret si shenjë e mosinteresimit për vajzat të cilave u mungon një prind. Citatet e kaluara dhe të tjera tregojnë se populli i Perëndisë ishte i inkurajuar të kujdesej për femrat, për vejushat. (Psalmi 146:9; Isaia 1:17; Jeremia 22:3; Zaharia 7:9, 10; Malakia 3:5) Gjithashtu, në ligj Perëndia përfshiu një njoftim rreth një vendimi gjyqësor që garantonte një trashëgimi për vajzat pa baba të Tselofehadit. Ato vendime u bënë një statut për të trajtuar situata të ngjashme, duke mbrojtur kështu të drejtat e vajzave pa baba.—Numrat 27:1-8.
Jezui nuk bëri dallim sipas gjinive në të treguarin e dashamirësisë ndaj fëmijëve. Në të vërtetë lexojmë: «Ia sillnin fëmijët që të vinte dorën mbi ta, por nxënësit ua ndalonin. Jezusi, kur i pa, i erdhi keq dhe u tha: ‘Lëni fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyut! Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyut porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.’ Atëherë i mori fëmijët ngrykë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.»—Marku 10:13-16.
Fjala greke e përkthyer këtu «fëmijët» është në gjininë asnjanëse. Një fjalor i njohur grek thotë se kjo fjalë «është përdour për djemtë dhe vajzat». Jezui pasqyroi interesimin e njëjtë të Jehovait mbi të gjithë fëmijët, djem dhe vajza. (Hebrenjve 1:3; krahaso Ligji i përtërirë 16:14; Marku 5:35, 38-42.) Kështu, duhet të të jetë e njohur këshilla në Shkrimet Hebreje rreth kujdesit për «djemtë pa baba», që na vlen për atë se si duhet të interesohemi për të gjithë fëmijët të cilëve u mungon një prind apo të dy prindërit.
[Shënimi]
a Në Tanakh-un hebre lexojmë: «Perëndia jep një urdhër; gratë që sjellin lajmin janë një shumicë e madhe.»