Pyetje nga lexuesit
Letra e parë e Gjonit 4:18 na thotë: «Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën.» Ndërsa Pjetri shkroi: «Doni vëllazërinë, druani Perëndinë.» (1. Pjetrit 2:17) Si mund të përputhen këto dy shkrime?
Pjetri dhe Gjoni ishin të dy apostuj të mësuar drejtpërdrejt nga vetë Jezu Krishti. Mund të jemi, pra, të bindur se ato që shkruan ata përputhen. Sa për vargjet e cituara më sipër, çelësi është që të dy apostujt e kishin fjalën për dy lloje të ndryshme frike.
Le të shqyrtojmë së pari këshillën e Pjetrit. Siç tregon konteksti, Pjetri po u jepte të krishterëve të tjerë këshilla të frymëzuara në lidhje me qëndrimin e tyre kundrejt autoriteteve. Me fjalë të tjera, po komentonte mbi mënyrën e përshtatshme të nënshtrimit në disa fusha. Për këtë, ai i këshilloi të krishterët t’u nënshtroheshin njerëzve që kishin pozita autoriteti në qeveritë njerëzore, si, për shembull, mbretërve apo guvernatorëve. (1. Pjetrit 2:13, 14) Duke vazhduar, Pjetri tha: «Nderoni të gjithë, doni vëllazërinë, druani Perëndinë, nderoni mbretin.»—1. Pjetrit 2:17.
Duke parë kontekstin, është e qartë se kur Pjetri tha që të krishterët duhet ‘të druajnë [kenë frikë, BR] Perëndinë’, ai kishte ndër mend që ne duhet të kemi një respekt të thellë e plot nderim për Perëndinë, një druajtje që të mos bëjmë diçka të papëlqyeshme ndaj autoritetit më të lartë.—Krahaso Hebrenjve 11:7.
Ç’të themi për komentin e apostullit Gjon? Më parë, në letrën e parë të 1 Gjonit, në kreun 4, apostulli trajtoi nevojën për të vënë në provë «shprehjet e frymëzuara», si ato që vinin nga profetë të rremë. Ato shprehje sigurisht që nuk e kishin origjinën nga Perëndia Jehova; ato vinin apo pasqyronin botën e ligë.
Përkundrazi, të krishterët e mirosur e «kanë origjinën nga Perëndia». (1. Gjonit 4:1-6, BR) Duke qenë kështu, Gjoni nxiti: «Shumë të dashur, le ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia.» Perëndia mori iniciativën në shfaqjen e dashurisë, ai «dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona». (1. Gjonit 4:7-10) Si duhet të përgjigjemi ne?
Është e qartë që ne duhet të mbetemi të bashkuar me Perëndinë tonë të dashur. Nuk duhet të dridhemi përpara tij apo përpara mendimit se do t’i afrohemi atij në lutje. Më parë Gjoni kishte këshilluar: «Nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri [liri fjale, BR] para Perëndisë; dhe ç’të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij.» (1. Gjonit 3:21, 22) Po, një ndërgjegje e mirë na jep lirinë për t’iu afruar Perëndisë pa u frenuar nga ndonjë frikë paralizuese. Të nxitur nga dashuria, ndihemi të lirë për t’iu drejtuar apo afruar Jehovait në lutje. Në këtë aspekt, «në dashuri nuk ka frikë».
Le t’i lidhim, atëherë, së bashku këto dy mendime. Një i krishterë duhet të ketë gjithmonë frikë me nderim ndaj Jehovait, e cila buron nga respekti i thellë për pozitën, fuqinë dhe drejtësinë e tij. Por, gjithashtu, ne e duam Perëndinë si Atin tonë dhe ndiejmë afërsi me të, si dhe liri për t’iu afruar atij. Në vend se të frenohemi nga tmerri prej tij, ne besojmë se mund t’i afrohemi, ashtu si një fëmijë ndihet i lirë për t’iu afruar një prindi të dashur.—Jakovit 4:8.