Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
‘Një derë e madhe dhe e efektshme është hapur’ në Kubë
APOSTULLI Pavël ishte një predikues i shquar i lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Ai shfrytëzoi çdo mundësi që t’u jepte të tjerëve premtimin e Krijuesit për t’u dhënë jetën e përhershme njerëzve të bindur. Ndërsa po vizitonte Efesin e lashtë, Pavli njohu disa rrethana të reja, të cilat do t’i jepnin mundësi t’i ndihmonte edhe më shumë njerëzit. Ai tha: «Do të rri në Efes, . . . sepse m’u hap një derë e madhe dhe e efektshme.»—1. Korintasve 16:8, 9.
Edhe Dëshmitarët e Jehovait në Kubë e shohin veten në rrethana të reja. Edhe pse nuk janë regjistruar ende zyrtarisht, tani Dëshmitarët kanë mundësi ta ndajnë haptazi shpresën e tyre biblike me bashkatdhetarët e tjerë. Kohët e fundit, qeveria e Kubës shfaqi interes serioz për lejimin e funksionimit të lirshëm të disa grupeve fetare. Presidenti Kastro i ka përmendur publikisht Dëshmitarët e Jehovait si një grup fetar me të cilin tani qeveria kubaneze gëzon një marrëdhënie të përmirësuar.
Kjo situatë e re ka hapur «një derë të gjerë dhe të efektshme» për Dëshmitarët. Për shembull, Dëshmitarët e Jehovait kanë hapur së fundi një zyrë në Kubë, e cila i ndihmon të bashkërendojnë veprën e tyre të predikimit në atë vend. Më shumë se 65.000 Dëshmitarë po ndihmojnë njerëzit që të studiojnë dhe të kuptojnë Biblën. Ata përdorin literaturë biblike, si revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Shumë kubanezë që janë të prirur ndaj drejtësisë, po përfitojnë nga studimi i Biblës me Dëshmitarët e Jehovait.
Dëshmitarët mbajnë, gjithashtu, mbledhje të rregullta në grupe të vogla nëpër të gjithë ishullin. Nganjëherë ata gëzojnë privilegjin e mbajtjes së asambleve në grupe më të mëdha prej rreth 150 personash. E çmojnë me të vërtetë lejen që kanë marrë nga autoritetet kubaneze, e cila u ka dhënë mundësinë të mblidhen me motrat dhe vëllezërit e tyre frymorë, duke i kënduar lavdi Jehovait dhe duke u lutur së bashku.
Kohët e fundit Kongresi Krahinor «Frikë Perëndie», u mbajt para më shumë se 1.000 auditoreve, gjatë tri fundjavëve. Një raport tregon se «rregulli, disiplina dhe paqja» dukeshin qartë në çdo kongres. Autoritetet i uruan Dëshmitarët për këtë gjë.
Anembanë botës, të krishterët e vërtetë përpiqen të përmbushin urdhrin që u ka dhënë Perëndia për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Në të njëjtën kohë, ata bëjnë përpjekje të mbajnë një marrëdhënie paqësore me autoritetet qeveritare. (Titit 3:1) Dëshmitarët e Jehovait ndjekin këshillën e apostullit Pavël, i cili shkroi: «Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit, për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet, që të mund të shkojmë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder.»—1. Timoteut 2:1, 2.