Të gjitha zbulesa hyjnore?
A DO TË mundte fryma e Perëndisë, e cila frymëzoi Biblën e shenjtë, të ishte, gjithashtu, përgjegjëse për libra të tjerë që disa i konsiderojnë të shenjtë? (2. Timoteut 3:16) Kjo pyetje u ngrit nga një gazetë italiane jezuite (La Civiltà Cattolica), botuar «nën mbikëqyrjen e sekretariatit të shtetit [të Vatikanit]» e konsideruar, pra, me autoritet në qarqet katolike.
«Perëndia, nëpërmjet veprimit të frymës së shenjtë, e shpërndau farën e Fjalës edhe në disa libra të shenjtë të një tradite johebreje dhe jo të krishtere»,—thoshte gazeta jezuite. Për jezuitët, librat «e shenjtë», të tillë si Avesta e Zoroastrian apo Katër Librat Konfucistë, u shkruan «jo pa ndonjë ndikim të veçantë të frymës së shenjtë dhe prandaj, në njëfarë mase ata përmbajnë një ‘zbulesë hyjnore’».
Megjithatë, artikulli bën një sqarim. «Jo gjithçka që përmbajnë libra të tillë të shenjtë është fjala e Perëndisë»,—pohon ai, duke shtuar se ata që shkruan këta libra mund të kenë «vuajtur ndikimin e një mjedisi politeist apo atë të një mjedisi filozofik», në të cilin ata jetuan dhe vepruan. Sipas Marko Politit, korrespondent në lidhje me çështjet e Vatikanit për gazetën italiane La Repubblica, ky qëndrim «hap paraprakisht mundësi të paimagjinueshme në marrëdhëniet ndërmjet Kishës Katolike dhe feve të mëdha historike», duke u kthyer kështu tek fryma e mbledhjeve me lutje nga fe të ndryshme, si ajo e Asizit në vitin 1986, e nxitur fuqimisht nga Gjon Pavli II.
Jehovai nuk është një Perëndi i çrregullimit dhe konfuzionit. (1. Korintasve 14:33) Kështu që ne nuk mund të arrijmë me të drejtë në përfundimin se fryma e tij e shenjtë, apo forca aktive, do të kishte frymëzuar qoftë edhe një fragment të disa librave që nuk janë në harmoni të plotë me Fjalën e tij, Biblën. Në vend që të inkurajonte afrimet ekumenike ndërmjet «traditave fetare» të ndryshme, apostulli i krishterë, Pavli, shkroi se ka «një shpresë . . . , një Zot, një pagëzim».—Efesianëve 4:4, 5.
Kjo «një shpresë» varet nga vendosja e besimit në Jezu Krishtin. Në mënyrë të përshtatshme, Bibla thotë: «Në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.» (Veprat 4:12) Asnjë tjetër «libër i shenjtë» nuk e paraqet Jezuin si figurën qendrore në realizimin e qëllimeve të Perëndisë. Vetëm nëse ne pranojmë Biblën si Fjalën e Perëndisë, ajo mund të na mësojë mbi sigurimin e dashur të Perëndisë Jehova për shpëtim.—Gjoni 17:3; 1. Selanikasve 2:13.