Pyetje nga lexuesit
A mund të thuhet se kuptueshmëria e përditësuar kohët e fundit në lidhje me fjalën «brez» në Mateun 24:34, i bën vend idesë se fundi i sistemit të gjërave mund të vonohet në të ardhmen e largët?
Sigurisht që nuk është kështu. Përkundrazi, kuptueshmëria e përmirësuar kohët e fundit mbi këtë çështje, duhet të na ndihmojë që të qëndrojmë në pritje të vazhdueshme të fundit. Si mund të jetë kështu?
E pra, siç shpjegonte edhe «Broshura me artikujt e studimit nga Kulla e Rojës në anglisht për vitin 1995», Jezui e përdori frazën «ky brez» për njerëzit e ligj të asaj kohe. (Mateu 11:7, 16-19; 12:39, 45; 17:14-17; Veprat 2:5, 6, 14, 40) Në këtë mënyrë, nuk është përshkrim i një kohëzgjatjeje të caktuar kohore, e cila fillon me ndonjë datë të caktuar.
Në fakt, «Pyetje nga lexuesit» në të njëjtën broshurë me artikujt e Kullës së Rojës, përqendrohej mbi dy pika kryesore: «Një brez njerëzish nuk mund të konsiderohet si një periudhë kohore që ka një numër të caktuar vitesh» dhe «njerëzit e një brezi jetojnë për një periudhë kohore relativisht të shkurtër».
Ne e përdorim shpesh fjalën «brez» në këtë mënyrë. Për shembull, mund të themi: «Brezi i ushtarëve të Napoleonit nuk dinte gjë fare për aeroplanët dhe bombat atomike.» A do ta kishim fjalën vetëm për ushtarët që lindën po atë vit në të cilin lindi edhe Napoleoni? A do ta kishim fjalën thjesht për ata ushtarë francezë që vdiqën përpara se të vdiste Napoleoni? Natyrisht që jo; as edhe nga një përdorim i tillë i fjalës «brez» nuk do të përpiqeshim të përcaktonim një numër të caktuar vitesh. Gjithsesi, do ta kishim fjalën për një periudhë kohore relativisht të shkurtër dhe jo për qindra vjet që nga koha e Napoleonit deri në të ardhmen.
Kjo është e ngjashme edhe me kuptueshmërinë tonë për fjalët e Jezuit në profecinë e tij në Malin e Ullinjve. Përmbushja e aspekteve të ndryshme të asaj profecie provon se fundi i këtij sistemi është afër. (Mateu 24:32, 33) Le të kujtojmë që sipas Zbulesës 12:9, 10, me vendosjen e Mbretërisë qiellore të Perëndisë në vitin 1914, Satanai u flak poshtë në afërsi të tokës. Zbulesa shton se Satanai ka tani zemërim të madh. Përse? Sepse e di që «ka një periudhë të shkurtër kohore».—Zbulesa 12:12, BR.
Sa e përshtatshme ishte, pra, që broshura të përmbante në faqen 50, nëntitullin «Rrini zgjuar»! Paragrafi që vijonte, thoshte në mënyrë të përshtatshme: «S’kemi nevojë të dimë kohën e saktë të ngjarjeve. Përkundrazi, vëmendja jonë duhet të përqendrohet mbi faktin se duhet të jemi vigjilentë, duke kultivuar besim të fortë e duke pasur shumë punë në shërbim të Jehovait, jo në llogaritjen e datës.» Pastaj, citonte fjalët e Jezuit: «Tregoni kujdes, rrini zgjuar, . . . sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment. Këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar.»—Marku 13:33, 37.