Zmbrapset një grabitje në Afrikën Perëndimore
Treguar nga Eunika Abu
«Disa grabitës të armatosur planifikuan të sulmonin ditën në të cilën zakonisht mbajmë Studimin e Librit të Kongregacionit në shtëpinë tonë. Ne i lëmë portat plotësisht të hapura për vëllezërit e motrat dhe për të interesuarit. Ka të ngjarë që grabitësit t’i dinin zakonet tona dhe kohën e mbledhjeve. E dimë me siguri se kishin vjedhur një makinë diku tjetër dhe kishin ardhur për të pritur pranë derës sonë në ditën dhe kohën e studimit të librit.
Ndodhi që java në të cilën erdhën ata ishte java e vizitës së mbikëqyrësit qarkor. Në vend se të mblidheshim në shtëpinë tonë, u mblodhëm në Sallën e Mbretërisë. Pas përfundimit të mbledhjes kishte një mbledhje me pleqtë. Normalisht unë dhe fëmijët do të kishim shkuar në shtëpi, por burri im që është një plak na kërkoi ta pritnim. Tha se nuk do të vonohej. Kështu që pritëm.
Më vonë zbuluam se makina nuk nisej. Mbikëqyrësi qarkor dhe burri im nuk qenë në gjendje ta rregullonin. Edhe mekaniku që thirrëm nuk mundi ta rregullonte.
Fëmjët u detyruan të shkonin në shtëpi më këmbë. Pas pak shkova edhe unë. Mbërrita rreth orës dhjetë. As unë e as fëmijët nuk hymë në oborr me makinë, gjë që do të kishte kërkuar hapjen e portës së madhe.
Kur hyra në dhomën e gjumit dëgjova një të shtënë arme shumë të fuqishme. Pyeta veten se ç’po ndodhte. U përpoqa t’i telefonoja policisë, por telefoni kishte dalë jashtë përdorimit. Zbrita shkallët me nxitim dhe mbylla me çelës derën prej çeliku të hyrjes, pastaj nxitova të mbyllja derën e brendshme. Fika dritat. Fëmijët i kishte zënë paniku prandaj u thashë të rrinin të qetë. U lutëm së bashku për mbrojtjen e Jehovait. Në këtë kohë burri im ishte akoma në Sallën e Mbretërisë duke u përpjekur të niste makinën.
Pashë nga dritarja dhe sytë më zunë një burrë të shtrirë në rrugë jashtë derës. Dukej se grabitësit kishin ikur, kështu që e vura burrin e plagosur në makinën time dhe e çova me nxitim në spital. Ishte me rrezik, por duhet të bëja diçka. Megjithatë, mjerisht një ditë më vonë ai vdiq.
Pavarësisht nga ajo tragjedi, gjërat mund të kishin shkuar shumë më keq. Vizita e mbikëqyrësit bëri që të mos kishim studimin e librit në shtëpinë tonë. Prishja e makinës bëri që të mos mbërrinim në shtëpi si familje. Burri im, të cilin grabitësit me siguri do ta kishin kapur, erdhi në shtëpi shumë vonë. Këta dhe faktorë të tjerë ishin në favorin tonë atë natë.
Jehovai është kështjella dhe strehimi ynë. Është ashtu siç thotë shkrimi: ‘Në qoftë se vetë Jehovai nuk e ruan qytetin, është e kotë që roja ka qëndruar zgjuar.’—Psalmi 127:1, BR.»