Një ishull i veçuar dhe i vogël
MBIEMRAT që përdoren më shpesh për të përshkruar ishullin Shën Elena janë «i veçuar» dhe «i vogël». Këta mbiemra janë të përshtatshëm, pasi ky ishull, 17 kilometra i gjatë dhe 10 kilometra i gjerë, gjendet 1.950 kilometra larg kontinentit më të afërt, bregut jugperëndimor të Afrikës. Këtu u dërgua Napoleon Bonaparti në vitin 1815 për të kaluar vitet e fundit të jetës së tij si një i syrgjynosur.
I parë nga oqeani, ishulli duket si një kështjellë e frikshme. Faktikisht, ai është një vullkan i shuar që ngrihet thikë nga Atlantiku, me shkrepa të thepisur që arrijnë nga 500 deri në 700 metra lartësi. Në qendër të tij, mali Aktajën me lartësi 818 metra sundon gjithë ishullin. Për shkak të alizejve të freskët të Atlantikut Jugor dhe të rrymave të oqeanit, ishulli ka një klimë në përgjithësi të butë e të këndshme. Por nga bregdeti i ulët deri në brendësinë malore të ishullit, ekziston një larmi e madhe kushtesh atmosferike dhe bimësie.
Shën Elena ka qenë nën zotërimin britanik që nga fundi i shekullit të 17-të. Popullsia e vogël prej rreth 5.100 banorësh është një përzierje banorësh me origjinë evropiane, aziatike dhe afrikane. Në gjithë ishullin përdoret gjuha angleze, por ajo flitet me një theks të veçantë. Këtu nuk ka aeroport dhe lidhja e vetme me botën është me anije, me itinerare të rregullta në Afrikën e Jugut dhe në Angli. Në fakt, rrjetet e jashtme televizive u vunë në dispozicion vetëm nga mesi i viteve 90, falë një lidhjeje satelitore.
Lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë arriti për herë të parë në këto brigje në fillim të viteve 30. (Mateu 24:14) Përgjatë viteve, shumë ishullarë e kanë kapur fort këtë thesar që i bën të papërfillshme pasuritë materiale. (Mateu 6:19, 20) Sot, Shën Elena ka veçantinë që përmban një raport Dëshmitar-popullsi 1 me 33, raporti më i mirë në botë!
[Hartat në faqen 24]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Shën Elena
XHEJMSTAUN
Lëvëlvud
AFRIKA
OQEANI ATLANTIK
Shën Elena