Një rast i veçantë: A do të jeni atje?
NJË ditë historike, më shumë se 3.500 vjet më parë, Perëndia Jehova urdhëroi që çdo familje izraelitësh, të cilët ishin skllevër në Egjipt, të therte një qengj ose një cjap dhe me gjakun e tij të spërkaste shtalkat dhe arkitraun e shtëpisë. Po atë natë, engjëlli i Perëndisë i kaloi shtëpitë e shënuara në këtë mënyrë, por vrau bijtë e parëlindur në shtëpitë e tërë egjiptianëve. Pas kësaj, izraelitët u liruan. Në përvjetorin e asaj ngjarjeje, judenjtë kanë kremtuar Pashkën (në anglisht «Passover» që do të thotë «kalim»).
Menjëherë pasi përfundoi së kremtuari Pashkën e tij të fundit me apostujt, Jezu Krishti themeloi një darkë që do të përkujtonte vdekjen e tij flijuese. Ai u dha apostujve të tij bukë pa maja dhe u tha: «Merrni, hani. Kjo ka si domethënie trupin tim.» Pastaj u dha një kupë verë dhe u tha: «Pini prej saj, të gjithë ju, sepse kjo do të thotë ‘gjaku im i besëlidhjes’, i cili duhet derdhur në dobi të shumë vetave, për falje mëkatesh.» Gjithashtu, Jezui u tha: «Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.» (Mateu 26:26-28, BR; Luka 22:19, 20, BR) Kështu, Jezui i urdhëroi ithtarët që të mbanin këtë ceremoni të vdekjes së tij.
Këtë vit, përvjetori i vdekjes së Jezuit bie të mërkurën më 19 prill, pas perëndimit të diellit. Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës do të mblidhen në këtë natë të veçantë për ta kremtuar këtë Përkujtim në mënyrën që kërkoi Jezui. Me shumë ngrohtësi, ju ftojmë të bashkoheni me ne si vëzhgues. Ju lutemi, vihuni në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj, për të ditur orarin dhe vendin e saktë të mbledhjes.