Një epidemi urrejtjeje
«Njerëzit asnjëherë nuk i njohin ata që urrejnë.»—Xhejms Rasëll Louell, Eseist Dhe Diplomat.
SOT, urrejtja duket se gjendet kudo përreth nesh. Emra të tillë, si Timori Lindor, Kosova, Litëlltoni dhe Sarajeva—si edhe neonazistët, bandat skinhead dhe supremacistët e bardhë—na janë ngulitur në mendje, bashkë me imazhet e gjalla të rrënojave të shkrumbuara, të varreve masive të sapohapura dhe të trupave të vdekur.
Ëndrrat për një të ardhme pa urrejtje, pa konflikte e pa dhunë janë prishur. Danielë Miteran, gruaja e të ndjerit president francez, kujtonte për rininë e saj: «Njerëzit ëndërronin të jetonin të lirë në një shoqëri vëllazërore së cilës mund t’i besonin; të ishin në paqe me veten e tyre, ndërsa jetonin me të tjerët; ëndërronin të bënin një jetë të shëndetshme, paqësore dhe me dinjitet, në një botë të fortë e bujare, që kujdesej për ta.» Çfarë u ndodhi këtyre idealeve? Ajo u ankua: «Gjysmë shekulli më vonë, duhet thënë se ëndrra jonë po vihet në diskutim.»
Rilindja aktuale e urrejtjes thjesht nuk mund të shpërfillet. Ajo është më e përhapur dhe po shfaqet në forma gjithnjë e më të potershme. Ndjenja e sigurisë individuale, të cilën miliona veta e marrin si diçka të zakonshme, është zvogëluar nga një valë aktesh të pamenda urrejtjeje, ku secili duket më tmerrues se i mëparshmi. Edhe sikur të mos kemi urrejtje në shtëpinë ose në vendin tonë, ajo rri në pritë për ne diku gjetkë. Ndoshta shohim prova të saj çdo ditë në ekranin e televizorit, në lajme dhe në transmetime të ngjarjeve aktuale. Disa lajme të tilla janë përhapur edhe në Internet. Shqyrtoni disa shembuj.
Dekada e fundit ka parë një rritje pa precedent të nacionalizmit. «Nacionalizmi,—vërejti Xhozef S. Nai i Riu, drejtor i Qendrës për Çështjet Ndërkombëtare në Harvard,—në pjesën më të madhe të botës po bëhet më i fortë e jo më i dobët. Në vend të një fshati global, ekzistojnë fshatra përreth globit që janë gjithnjë e më shumë të vetëdijshëm për ekzistencën e njëri-tjetrit. Kjo, nga ana e vet, i rrit mundësitë për konflikte.»
Forma të tjera urrejtjeje janë më tinëzare, të fshehura brenda kufijve të një vendi ose edhe brenda kufijve të një lagjeje. Kur pesë skinheads vranë një të moshuar Sikh në Kanada, kjo ngjarje «nxori në pah atë që disa e konsiderojnë si rilindjen e krimeve të urrejtjes në një vend që shpesh është lavdëruar për tolerancën raciale». Në Gjermani, pasi pësuan një rënie të vazhdueshme vitet e mëparshme, sulmet raciste nga ekstremistët u rritën me 27 për qind në vitin 1997. «Është një zhvillim shkurajues»,—vërejti Ministri i Brendshëm Manfred Kanter.
Në veriun e Shqipërisë, një raport zbuloi që më shumë se 6000 fëmijë janë bërë pothuajse të burgosur në shtëpitë e tyre, nga frika se mos i vrasin armiqtë e familjes. Këta fëmijë janë viktima të traditës së gjakmarrjes, «e cila e ka paralizuar jetën për mijëra familje». Në Shtetet e Bashkuara, sipas Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), «paragjykimi racial ishte motivi për më shumë se gjysmën e 7755 krimeve të urrejtjes, të kryera në vitin 1998, të cilat iu raportuan FBI-së». Disa nga motivet për pjesën tjetër të krimeve të urrejtjes përfshinin paragjykimin për origjinën fetare, etnike ose kombëtare dhe për paaftësinë fizike e mendore.
Për më tepër, titujt kryesorë të gazetave theksojnë çdo ditë një epidemi ksenofobie, e cila drejtohet kryesisht ndaj refugjatëve, të cilët tani janë më shumë se 21 milionë veta. Mjerisht, pjesa më e madhe e atyre që shfaqin urrejtje ndaj të huajve janë të rinj, të nxitur nga personazhe politike të papërgjegjshëm dhe nga të tjerë që kërkojnë viktima të pafajshme. Shenja më pak të dukshme të së njëjtës dukuri përfshijnë mosbesimin, intolerancën dhe shabllonizimin e njerëzve që janë të ndryshëm nga të tjerët.
Cilat janë disa nga arsyet për këtë epidemi urrejtjeje? Gjithashtu, çfarë mund të bëhet për ta çrrënjosur urrejtjen? Artikulli vijues do të trajtojë këto pyetje.
[Burimi i figurës në faqen 2]
Kopertina, sipër: FOTOGRAFI E OKB 186705/J. Isaac
[Burimi i figurës në faqen 3]
Daud/Sipa Press