A ju kujtohet?
A jeni kënaqur me leximin e numrave të fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Përse pyetjet e ngritura në kapitullin 38 të Jobit duhet ta meritojnë t’i shqyrtojmë edhe sot?
Shumë nga veprat e mrekullueshme te të cilat e drejtoi vëmendjen Perëndia, nuk i kuptojnë plotësisht as shkencëtarët e sotëm. Në këto vepra përfshihet: si e mban graviteti tokën në orbitën e saj, çfarë është saktësisht drita, përse ka një shumëllojshmëri të pafund me kristale bore, si formohen pikat e shiut dhe si përfshihet energjia në shtrëngatat me rrufe.—15/4, faqet 4-11.
• Cilët shembuj nga Bibla mund të na ndihmojnë që të kapërcejmë ndjenjat negative?
Asafi, Baruku dhe Naomi patën periudha shkurajimi ose ndjenja të tjera negative dhe tregimi biblik se si ata i përballuan me sukses këto rrethana, mund të na ndihmojë.—15/4, faqet 22-24.
• Cilat janë disa mënyra praktike për të ndihmuar vejushat e krishtere?
Miqtë, me dashamirësi dhe në mënyrë të qartë, mund të tregojnë gatishmërinë për të ndihmuar. Familjarët ose të tjerët mund të jenë në gjendje të japin ndihmë financiare ose materiale, aty ku ka vërtet nevojë. Edhe të bashkëkrishterët mund të ndihmojnë duke dhënë miqësinë e tyre të dashur, duke siguruar përkrahje frymore dhe ngushëllim.—1/5, faqet 5-7.
• Përse është e rëndësishme të martohemi «vetëm në Zotërinë», siç këshillohet te 1 Korintasve 7:39?
Martesat me jobesimtarë shpesh kanë dalë shkatërrimtare. Për më tepër, ndjekja e kësaj këshille hyjnore është një çështje besnikërie ndaj Perëndisë Jehova. Kur përputhemi me Fjalën e Perëndisë, zemra nuk na dënon më pas. (1 Gjonit 3:21, 22)—15/5, faqet 20-21.
• Meqenëse është Jehovai ai që mund të na i falë fajet, përse të krishterët ua rrëfejnë mëkatet e rënda pleqve të kongregacionit?
Po, një i krishterë duhet t’i kërkojë falje Jehovait për mëkatet e rënda. (2 Samuelit 12:13) Por, ashtu si profeti Natan i siguroi ndihmë Davidit, pleqtë e pjekur në kongregacion mund t’i ndihmojnë mëkatarët që i bren ndërgjegjja. Të shkojmë te pleqtë është në harmoni me drejtimin që na jepet te Jakovit 5:14, 15.—1/6, faqja 31.
• Çfarë dëshmie ka se duhet të kujdesemi për jetimët dhe vejushat që janë në nevojë?
Dokumentimi historik e bën të qartë se tregimi i këtij kujdesi e dallonte adhurimin e vërtetë si ndër hebrenjtë e lashtë, ashtu edhe te të krishterët e hershëm. (Eksodi [Dalja] 22:22, 23; Galatasve 2:9, 10; Jakovit 1:27) Apostulli Pavël përfshiu në Shkrime udhëzime të qarta, ku thuhej se të krishterët duhej të kujdeseshin për vejushat nevojtare. (1 Timoteut 5:3-16)—15/6, faqet 9-11.
• Cili është çelësi për një jetë të lumtur e domethënëse?
Duhet të kultivojmë e të mbajmë një marrëdhënie të përshtatshme me Jehovain, Atin tonë qiellor. Studimi i Biblës është një ndihmë e rëndësishme për ta bërë këtë.—1/7, faqet 4-5.
• A kanë njerëzit një frymë të pavdekshme që mbijeton pas vdekjes?
Ndonëse disa njerëz besojnë se një frymë e jo një shpirt, është i pavdekshëm, Bibla nuk e përkrah këtë ide. Ajo tregon se kur vdes, njeriu rikthehet në pluhur dhe nuk ekziston më. Por, Perëndia ka aftësinë për ta rikthyer në jetë, kështu që çfarëdo shprese për një jetë të ardhme, nëpërmjet ringjalljes, mbetet te Perëndia. (Eklisiastiu [Predikuesi] 12:7)—15/7, faqet 3-6.
• Ku ishte Danieli kur tre hebrenjtë u sprovuan në rrafshinën e Duras?
Bibla nuk e thotë. Mund të jetë që Danielit nuk i kërkohej të ishte atje, për shkak të pozitës së tij ose mund të ketë qenë larg, me një caktim zyrtar. Por mund të jemi të sigurt se ai nuk bëri kompromis me besnikërinë e tij ndaj Jehovait.—1/8, faqja 31.