Këmbëngulja e saj u shpërblye
Shumë individë me zemër të drejtë duan që njerëzit e tyre të dashur të mësojnë rreth qëllimeve të Perëndisë dhe si rrjedhim të kenë një jetë të lumtur. Kur dikush i kushton jetën Perëndisë, persona të tjerë, qoftë të rinj ose të moshuar, me anë të sjelljes së tyre të mirë mund të kenë ndihmuar në marrjen e këtij vendimi të mençur. Një gjë e tillë i ndodhi Jearimit, një vajzë adoleshente në Meksikë, e cila në një asamble speciale njëditore të Dëshmitarëve të Jehovait u dha vëllezërve letrën e mëposhtme:
«Dua të ndaj me ju gëzimin dhe lumturinë që po ndiej. Më lini t’ju tregoj arsyen. Tetëmbëdhjetë vjet më parë, kur unë nuk kisha lindur ende, prindërit e mi mësuan të vërtetën. Në fillim ishte mami që bëri përparim, por më vonë edhe vëllai dhe unë. Së bashku i luteshim Jehovait që edhe babi të hynte në rrugën e jetës. Kanë kaluar tetëmbëdhjetë vjet dhe sot është një ditë shumë e veçantë për ne. Babi do të pagëzohet. E falënderoj Jehovain që nuk e solli fundin para se të vinte ky çast i shumëpritur. Faleminderit, Jehova!»
Sigurisht, gjatë viteve, familjarët e kësaj vajze të re kanë mbajtur parasysh parimet që gjenden në këshillën e frymëzuar tek 1 Pjetrit 3:1, 2, ku thuhet: «Ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, me qëllim që nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nëpërmjet sjelljes së grave të tyre, pasi kanë qenë dëshmitarë okularë të sjelljes suaj të dëlirë bashkë me respekt të thellë.» Patjetër edhe Jearimi e re ka zbatuar fjalët e Ligjit të përtërirë 5:16: «Do të nderosh atin dhe nënën tënde ashtu si të ka urdhëruar Zoti, Perëndia yt.» Sigurisht Jearimi dhe familja e saj patën bekime ngaqë zbatuan parime të tilla dhe pritën me durim Jehovain.