Pyetje nga lexuesit
Në shumë vende të botës është e zakonshme që të jepen dhurata në raste martesash. Cilat parime biblike duhet të shqyrtojmë kur japim ose kur marrim dhurata të tilla?
Bibla e miraton dhënien e dhuratave kur kjo bëhet me motivin e duhur dhe në rastin e duhur. Për sa i përket dhënies, Bibla i nxit të krishterët e vërtetë që të imitojnë Dhënësin e tyre bujar, Jehovain. (Jakovit 1:17) Apostulli Pavël i nxiti të bashkëkrishterët me këto fjalë: «Mos harroni të bëni të mirën dhe të ndani gjërat me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me sakrifica të tilla.» Pra, të krishterët inkurajohen që të jenë bujarë.—Hebrenjve 13:16; Luka 6:38.
Në disa vende, për një çift që do të martohet së shpejti është e zakonshme të regjistrohet në një dyqan. Ata shikojnë artikujt e dyqanit dhe bëjnë një listë me artikujt që do të donin t’u jepeshin si dhuratë. Të afërmit dhe miqtë e çiftit ftohen të shkojnë te dyqani i caktuar që të blejnë një artikull nga lista e dhuratave të çiftit. Po ta shohësh nga ana praktike, lista e dhuratave e çliron dhënësin nga barra për të harxhuar orë të tëra, duke kërkuar një dhuratë, kurse atyre që marrin dhuratën nuk u duhet të kthejnë mbrapsht në dyqan dhuratat që nuk i duan.
Është një vendim personal, nëse një çift që do të martohet do të përdorë apo jo një listë dhuratash. Megjithatë, një i krishterë duhet të ketë kujdes që të shmangë çdo zakon që mund të dhunojë parimet biblike. Për shembull, po sikur një çift të fejuarish të bënin një listë me artikuj shumë të kushtueshëm? Në një rast të tillë ata me të ardhura të pakta ndoshta nuk janë në gjendje të bëjnë një dhuratë. Ose mund të mendojnë se do të ishte më mirë të mos e pranonin ftesën për në dasmë, që të mos ndihen në siklet ngaqë nuk po çojnë një dhuratë të kushtueshme. Një grua e krishterë shkroi: «Kjo gjë po bëhet një barrë e rëndë. Jam përpjekur të jem bujare, por kohët e fundit e gjithë ajo lumturi që provoja kur jepja një dhuratë, ka humbur.» Sa e trishtueshme do të ishte nëse një martesë do të bëhej burim shkurajimi!
Sigurisht, dhënësit e dhuratës nuk duhet të ndihen të detyruar të mendojnë se për të qenë e pranueshme, dhurata e tyre duhet blerë në një dyqan të caktuar ose të ketë një çmim të veçantë. Në fund të fundit Jezu Krishti tregoi se në sytë e Perëndisë nuk është më e çmuar vlera materiale e dhuratës, por qëndrimi i zemrës së dhënësit të saj. (Luka 21:1-4) Po kështu edhe apostulli Pavël shkroi në lidhje me lëmoshat për nevojtarët: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër të vet, jo me pahir ose me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.»—2 Korintasve 9:7.
Nga ana biblike nuk ka asgjë të gabuar të tregosh se je dhënësi i dhuratës, ndoshta duke futur te dhurata edhe një pusullë. Megjithatë, në disa vende, sipas zakonit dhënësi duhet bërë i njohur përpara të gjithë të pranishmëve. Ky zakon mund të sjellë probleme. Ndoshta dhënësit e dhuratës nuk duan të bëhen të njohur, që të mos tërheqin vëmendje të papërshtatshme ndaj vetes. Këta individë veprojnë sipas parimit që gjendet te Mateu 6:3, ku Jezui thotë: «Por ti, kur jep lëmosha, mos lër që dora jote e majtë të dijë ç’po bën e djathta.» Të tjerë mund të mendojnë se dhënia e dhuratës është një çështje personale, që duhet të mbetet vetëm mes dhënësit dhe marrësit të saj. Për më tepër, duke ua bërë të njohur të pranishmëve dhënësit e dhuratave, kjo mund të bëjë që të krahasohen dhuratat, «duke ngjallur konkurrencë». (Galatasve 5:26) Patjetër të krishterët nuk duan ta bëjnë dikë të ndihet në siklet, duke njoftuar para të gjithëve emrat e dhënësve të dhuratave.—1 Pjetrit 3:8.
Po, në qoftë se veprohet në harmoni me parimet që gjenden te Fjala e Perëndisë, dhënia e dhuratave do të vazhdojë të jetë burim lumturie.—Veprat 20:35.