Mund t’u bësh ballë stuhive
NË KËTO kohë kritike shumë njerëz po hasin probleme të ngjashme me stuhitë. Megjithatë, të krishterët i ndihmon t’i përballojnë këto probleme dashuria për Perëndinë dhe besnikëria ndaj parimeve të tij. Në ç’mënyrë? Përgjigjja gjendet te një ilustrim që bëri Jezu Krishti. Ai i krahasoi dishepujt e tij të bindur me ‘një njeri të matur, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet në shkëmb’. Jezui tha: «Ra shiu, erdhën përmbytjet, frynë erërat dhe u përplasën me forcë pas shtëpisë, por ajo s’u shemb, sepse e kishte themelin në shkëmb.»—Mateu 7:24, 25.
Vër re që, megjithëse ai njeri ishte i matur, prapëseprapë hasi probleme—të cilat në ilustrim paraqiten nga shiu, përmbytjet dhe erërat shkatërrimtare. Pra, Jezui nuk tha se dishepujt e tij nuk do të kishin asnjë vështirësi dhe se do të bënin gjithmonë një jetë të patrazuar, në paqe dhe qetësi. (Psalmi 34:19; Jakovi 4:13-15) Por ai tha se shërbëtorët besnikë të Perëndisë mund të përgatiten e t’u bëjnë ballë këtyre problemeve dhe rrethanave të stuhishme.
Jezui e filloi ilustrimin duke thënë: «Kushdo që i dëgjon fjalët e mia dhe i zbaton, është si një njeri i matur, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet në shkëmb.» Sigurisht Jezui nuk po fliste për ndërtimin e shtëpive të mirëfillta, por për jetën e njerëzve. Ata që u vënë veshin fjalëve të Krishtit përdorin aftësi dalluese dhe tregojnë gjykim të mirë. I mbështetin motivet dhe veprimet e tyre në shkëmbin e fortë të mësimeve të Krishtit, duke zbatuar gjërat që u janë mësuar. Është interesante se ky shkëmb i figurshëm nuk gjendet në sipërfaqe. Njeriut të ilustrimit iu desh të gërmonte «thellë» për të arritur shkëmbin. (Luka 6:48) Po kështu, dishepujt e Jezuit vazhdojnë të përpiqen me të gjitha forcat që të zhvillojnë cilësi të qëndrueshme që i afrojnë më shumë me Perëndinë.—Mateu 5:5-7; 6:33.
Çfarë ndodh kur vështirësi të stuhishme sprovojnë qëndrueshmërinë e themelit të krishterë të ithtarëve të Jezuit? Bindja e vullnetshme ndaj mësimeve të Krishtit dhe cilësitë e tyre të krishtere janë burime force gjatë këtyre vështirësive dhe, ç’është më e rëndësishmja, do të jenë të tilla gjatë stuhisë së Harmagedonit që po vjen. (Mateu 5:10-12; Zbulesa 16:15, 16) Po, duke zbatuar mësimet e Krishtit, shumë njerëz po u bëjnë ballë me sukses sprovave të stuhishme. Edhe ti mund ta bësh këtë.—1 Pjetrit 2:21-23.