Lexuesit pyesin . . .
A është Jezui kryeengjëlli Mikael?
▪ E thënë thjesht, përgjigjja është po. Në shumë kultura është e zakonshme që dikush thirret me më shumë se një emër. E njëjta situatë vërehet edhe në lidhje me emrat në Bibël. Për shembull, patriarku Jakob quhet edhe Izrael. (Zanafilla 35:10) Apostulli Pjetër thirret në pesë mënyra të ndryshme: Simion, Simon, Pjetër, Kefa dhe Simon Pjetri. (Mateu 10:2; 16:16; Gjoni 1:42; Veprat 15:7, 14) Si mund të jemi të sigurt se Mikael është një emër tjetër për Jezuin? Të shqyrtojmë dëshmitë biblike vijuese.
Bibla përmban pesë referime për krijesën e fuqishme frymore Mikael. Tri janë në librin e Danielit. Te Danieli 10:13, 21 lexojmë se Mikaeli, i cili quhet «një nga princat e parë» dhe ‘princi juaj’, çliron një engjëll që ishte dërguar për një caktim. Më tej, te Danieli 12:1 mësojmë se në kohën e fundit, «do të ngrihet Mikaeli, princi i madh, që qëndron përkrah bijve të popullit tënd».
Një rast tjetër kur përmendet Mikaeli, është Zbulesa 12:7, ku përshkruhet «Mikaeli dhe engjëjt e tij» duke marrë pjesë në një luftë me rëndësi jetësore që çon në dëbimin nga qielli të Satana Djallit dhe të engjëjve të tij të ligj.
Vini re që në secilin nga rastet e përmendura më sipër, Mikaeli paraqitet si një engjëll luftëtar duke luftuar për popullin e tij dhe duke e mbrojtur atë, e madje duke iu kundërvënë armikut më të madh të Jehovait, Satanait.
Te Juda vargu 9, Mikaeli quhet «kryeengjëlli». Fjala «kryeengjëll» nuk është përdorur kurrë në Bibël në shumës. I vetmi varg tjetër ku përmendet fjala kryeengjëll është te 1 Selanikasve 4:16 ku Pavli përshkruan Jezuin e ringjallur që thotë: «Zotëria [Jezu] do të zbresë nga qielli me një kushtrim, me zë kryeengjëlli dhe me trumbetën e Perëndisë.» Kështu, Jezu Krishti identifikohet këtu si kryeengjëlli.
Duke pasur parasysh sa kemi thënë, në ç’përfundim mund të arrijmë? Jezu Krishti është kryeengjëlli Mikael. Të dy emrat—Mikael (që do të thotë «Kush është si Perëndia?») dhe Jezu (që do të thotë «Jehovai është shpëtim»)—e përqendrojnë vëmendjen te roli i tij si përkrahësi kryesor i sovranitetit të Perëndisë. Filipianëve 2:9 thotë: «Perëndia e ngriti [Jezuin e lavdishëm] në një pozitë më të lartë e me dashamirësi i dha emrin që është mbi çdo emër.»
Është e rëndësishme të vërejmë se lindja e Jezuit si njeri nuk ishte fillimi i jetës së tij. Para se Jezui të lindte, te Maria shkoi një engjëll që i tha se do të mbetej shtatzënë nëpërmjet frymës së shenjtë dhe fëmijës duhej t’i vinte emrin Jezu. (Luka 1:31) Gjatë shërbimit, Jezui foli shpesh për ekzistencën e tij paranjerëzore.—Gjoni 3:13; 8:23, 58.
Pra, kryeengjëlli Mikael është Jezui para se të lindte si njeri. Pas ringjalljes dhe rikthimit në qiell, Jezui rinisi shërbimin e tij si Mikaeli, kryeengjëlli, «në lavdi të Perëndisë, Atit».—Filipianëve 2:11.