A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Çfarë do të të ndihmojë të rritësh fëmijë të përgjegjshëm?
‘Lër modelin’ për fëmijën se si të jetë i përgjegjshëm. (Gjoni 13:15) Ji realist në atë që pret. Teksa fëmija rritet, mund të presësh më shumë në lidhje me pastërtinë, përpikërinë dhe detyrat e shkollës. Jep udhëzime specifike që ta stërvitësh fëmijën të mbajë përgjegjësitë.—1/5, faqet 19-20.
• Pse Perëndia nuk e ndëshkoi Aaronin kur bëri viçin e artë?
Faktikisht, Aaroni shkeli ligjin e Perëndisë në lidhje me idhujtarinë. (Dal. 20:3-5) Megjithatë, Moisiu iu përgjërua Perëndisë për Aaronin dhe përgjërimi i tij pati «shumë forcë». (Jak. 5:16) Aaroni kishte qenë besnik për shumë vite. Po ashtu, ndonëse populli e bindi Aaronin të bënte viçin, më vonë ai tregoi se zemra e tij nuk ishte me ta, sepse u bashkua me bijtë e Levit duke marrë anën e Jehovait. (Dal. 32:25-29)—15/5, faqja 21.
• Ku ndodhej Ofiri që në Bibël përmendet si burim ari?
Që të sillte ar nga Ofiri, Solomoni ndërtoi anije në Ezion-Geber. (1 Mbret. 9:26-28) Ky port ndodhej në veri të gjirit të Akabës, pranë Elatit dhe Akabës së sotme, në Detin e Kuq. Pra, Ofiri mund të ketë qenë në Arabi pranë Detit të Kuq ose në brigjet afrikane a indiane.—1/6, faqja 15.
• Kujt i referohet ‘balsami në Galaad’? (Jer. 8:22)
Vaji i Balsamit ishte një vaj aromatik dhe rrëshinor që sekretohej nga bimë të ndryshme të cilat ndër të tjera gjendeshin edhe në Galaad, në lindje të lumit Jordan. Meqë kishte veti mjekësore, balsami vihej mbi plagë. Gjendja e mjerë e Izraelit duhej ta kishte shtyrë këtë komb të kërkonte një kurë, por populli nuk e bëri këtë. (Jer. 8:9)—1/6, faqet 21-22.
• Çfarë mund ta ndihmojë një të krishterë të përballojë tradhtinë e bashkëshortit?
Në qoftë se bashkëshorti i pafajshëm është përpjekur të jetojë sipas parimeve biblike, nuk ka pse të ndihet fajtor për tradhtinë e atij që ka kryer kurorëshkelje. Perëndia e di se ke nevojë për ngushëllim dhe inkurajim. Ai mund të sigurojë ngushëllim nëpërmjet të bashkëkrishterëve.—15/6, faqet 30-31.
• Çfarë mund të bësh për të ndihmuar dikë që është sëmurë?
Ji dëgjues i mirë. (Ekl. 3:1, 7) Trego empati dhe konsideratë. (Rom. 12:15) Ji inkurajues dhe jep ndihmë praktike. (Kolos. 4:6; 1 Gjon. 3:18) Mbaji lidhjet me të. (Prov. 17:17)—1/7, faqet 10-13.
• Si e dimë se Perëndia nuk ka pasur një fillim?
Moisiu e tregoi këtë në lutje. (Psal. 90:2) Prandaj, Jehovai mban titullin unik ‘Mbreti i përjetësisë’. (1 Tim. 1:17)—1/7, faqja 28.
• Si mund t’u rrënjosësh fëmijëve dashurinë për leximin?
Një atmosferë e ngrohtë dhe shembulli i prindërve, ndihmojnë për të rrënjosur dashurinë për leximin. Gjithashtu, jepu libra. Lexo me zë. Inkurajoji të përfshihen dhe diskuto me ta për gjërat që lexon. Nxiti fëmijët të lexojnë në praninë tënde dhe të bëjnë pyetje.—15/7, faqja 26.
• Pse Jezui nuk nxitoi të shkonte te miku i tij i sëmurë Lazari që ta shëronte?
Kur arriti Jezui, Lazari kishte vdekur prej katër ditësh. Duke pritur, Jezui dha një dëshmi më të mirë për Atin. Në këtë mënyrë, shumë u bënë besimtarë. (Gjoni 11:45)—1/8, faqet 14-15.
• Çfarë ishin ‘vendet e larta’?
Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për vende të hapura në majë të kodrave ose për vende të tjera të adhurimit të rremë. Ndonjëherë në këto vende ngriheshin altarë, kolona ose shtylla të shenjta dhe vendoseshin dekorime e pajime të tjera fetare, për të kryer praktika që Perëndia i dënonte. (Num. 33:52)—1/8, faqja 23.