Mëso nga Fjala e Perëndisë
Pse të mësosh nga Perëndia?
Ky artikull ngre pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.
1. Pse të mësosh nga Perëndia?
Perëndia ka një lajm të mirë në lidhje me diçka më të mirë për njerëzimin. Ai na flet për këtë në faqet e Biblës. Bibla është si një letër që ka shkruar Ati ynë i dashur qiellor për ne.—Lexo Jereminë 29:11.
2. Çfarë është lajmi i mirë?
Njerëzimi ka nevojë për qeveri të mirë. Asnjë sundimtar njerëzor nuk e ka çliruar ndonjëherë njerëzimin nga dhuna, padrejtësia, sëmundjet dhe vdekja. Por ka një lajm të mirë. Perëndia do t’i japë njerëzimit një qeveri të mirë që do të sjellë çlirimin nga të gjitha shkaqet e vuajtjeve.—Lexo Danielin 2:44.
3. Pse është jetësore të mësosh nga Perëndia?
Së shpejti Perëndia do ta pastrojë tokën nga njerëzit që shkaktojnë vuajtje. Ndërkohë, po u mëson miliona njerëzve zemërbutë të kenë një jetë më të mirë e cila bazohet te dashuria. Nga Fjala e Perëndisë, njerëzit po mësojnë si t’i përballojnë problemet e jetës, si të gjejnë lumturi të vërtetë dhe si ta kënaqin Perëndinë.—Lexo Sofoninë 2:3.
4. Kush është autori i Biblës?
Bibla përbëhet nga 66 libra të vegjël. Ajo u shkrua nga 40 burra. Pesë librat e parë i shkroi Moisiu rreth 3.500 vjet më parë. Librin e fundit e shkroi apostulli Gjon, më se 1.900 vjet më parë. Por shkrimtarët e Biblës shkruan mendimet e Perëndisë, jo tyret. Prandaj, autori i Biblës është Perëndia.—Lexo 2 Timoteut 3:16; 2 Pjetrit 1:21.
E dimë se Bibla është nga Perëndia sepse e parathotë me saktësi dhe hollësi të ardhmen. Asnjë njeri nuk e bën dot këtë. (Isaia 46:9, 10) Gjithashtu, Bibla na zbulon cilësitë e Perëndisë. Ajo ka fuqi t’ua ndryshojë për më mirë jetën njerëzve. Këto fakte bindin miliona veta se Bibla është Fjala e Perëndisë.—Lexo Josiun 23:14; 1 Selanikasve 2:13.
5. Si ta kuptosh Biblën?
Jezui u bë i njohur si mësues i Fjalës së Perëndisë. Ndonëse shumica e njerëzve të cilëve u foli, i njihnin mirë Shkrimet, ata kishin nevojë për ndihmë që ta kuptonin. Që t’i ndihmonte, Jezui u referohej shkrimeve biblike njëri pas tjetrit dhe shpjegonte «domethënien e Shkrimeve». Kjo rubrikë, «Mëso nga Fjala e Perëndisë», do të përdorë të njëjtën metodë për të të ndihmuar.—Lexo Lukën 24:27, 45.
Rrallëherë mahnitemi aq shumë sesa kur mësojmë nga Perëndia për qëllimin e jetës. Por disa njerëz mund të mos jenë të kënaqur që ti po lexon Biblën. Mos u dorëzo! Nga njohuria për Perëndinë varet shpresa jote për jetën e përhershme.—Lexo Mateun 5:10-12; Gjonin 17:3.
Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 2, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.