Mëso nga Fjala e Perëndisë
Si duhet ta kujtojmë vdekjen e Jezuit?
Ky artikull shqyrton pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.
1. Si duhet kujtuar vdekja e Jezuit?
Jezui u tha dishepujve ta kujtonin vdekjen e tij me anë të një darke simbolike, ku do të përdorej bukë dhe verë. Buka përfaqëson trupin e Jezuit dhe vera gjakun e tij.—Lexo Lukën 22:19, 20.
Buka që përdori Jezui ishte pa tharm ose maja. Në Bibël, majaja zakonisht përfaqëson mëkatin. Pra, buka ishte simbol i përshtatshëm i trupit të përsosur të Jezuit. Ai e paraqiti trupin si flijim, dhe kjo zhvleftësoi flijimet në kafshë që kërkonte Ligji i Moisiut. (Hebrenjve 10:5, 9, 10) Vera simbolizonte gjakun e çmuar të Jezuit, që u derdh si flijim për mëkatet tona.—Lexo 1 Pjetrit 1:19; 2:24; 3:18.
2. Kur duhet ta përkujtojmë vdekjen e Jezuit?
Jezui vdiq ditën e Pashkës, më 14 nisan. Për judenjtë dita niste pas perëndimit të diellit. Mbrëmjen para se të vdiste, Jezui dhe apostujt hëngrën darkën e Pashkës. Pastaj themeloi një darkë kremtimi të re që të përkujtonin vdekjen e tij.—Lexo Lukën 22:14, 15.
Sot populli i Perëndisë përkujton atë që Perëndia siguroi nëpërmjet Jezuit, që të çlironte gjithë botën nga mëkati dhe vdekja. (Dalja 12:5-7, 13, 17) Ashtu si Pashka kremtohej një herë në vit, edhe Përkujtimi i vdekjes së Jezuit mbahet një herë në vit, pas perëndimit të diellit, më 14 nisan sipas kalendarit hënor biblik.—Lexo Gjonin 1:29.
3. Kush duhet të marrë nga buka dhe nga vera?
Kur Jezui u dha verën dishepujve, tha: «Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re.» (1 Korintasve 11:25) Besëlidhja e re zëvendësoi besëlidhjen e Ligjit të Moisiut, në të cilën Perëndia u kishte premtuar izraelitëve se, po t’i bindeshin pikë për pikë, do të bëheshin populli i tij. (Dalja 19:5, 6) Mirëpo, Izraeli nuk iu bind zërit të Perëndisë. Kështu që Jehovai siguroi një besëlidhje të re.—Lexo Jereminë 31:31.
Nëpërmjet besëlidhjes së re me pak veta, Jehovai u jep mundësi edhe shumë të tjerëve që të marrin bekime. Ata që marrin pjesë në besëlidhje janë vetëm 144.000 veta. Nëpërmjet tyre, miliona njerëz nga të gjitha kombet do të bekohen me jetën e përhershme në një tokë parajsore. Disa nga pjesëmarrësit e besëlidhjes së re po i shërbejnë ende Jehovait në tokë. Vetëm ata mund të marrin nga buka dhe nga vera, sepse Jehovai e bëri me ta besëlidhjen e re, e cila u bë e vlefshme me anë të gjakut të Jezuit.—Lexo Lukën 12:32; Zbulesën 14:1, 3.
4. Si nxjerrim dobi nga Përkujtimi?
Përkujtimi vjetor i vdekjes së Jezuit na thellon çmueshmërinë për dashurinë e jashtëzakonshme të Jehovait. Ai e dërgoi Birin e tij të vdiste për mëkatet tona. Prandaj, kur të marrim pjesë në Përkujtim, duhet të mendojmë thellë për rëndësinë që ka vdekja e Jezuit për ne. Po ashtu, duhet të mendojmë si të shfaqim çmueshmëri për atë që Jehovai dhe Jezui kanë bërë për ne.—Lexo Gjonin 3:16; 2 Korintasve 5:14, 15.
Për më tepër informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, faqet 206-208, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.