Të provojmë gëzim kur japim
«Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»—VEPRAT 20:35.
Një arsye pse disa i festojnë Krishtlindjet.
Siç tha Jezui, dhënia e bën të lumtur si dhënësin, edhe marrësin. Që të provojnë këtë lloj lumturie, shumë veta e shohin dhënien e dhuratave si një nga aspektet më të rëndësishme të Krishtlindjeve. Edhe gjatë krizës ekonomike të vitit të kaluar, një anketë zbuloi se në Irlandë për shembull, pritej që çdo familje të harxhonte mbi 500 euro për dhurata gjatë Krishtlindjeve.
Pse është e vështirë të arrihet kjo?
Shumë veta mendojnë se dhënia e dhuratave për Krishtlindje sjell më tepër stres, jo më tepër lumturi. Si ka mundësi? Mjaft blerës ndihen të detyruar të blejnë dhurata përtej mundësive të tyre. Dhe, meqë të gjithë blejnë dhurata në të njëjtën kohë, turmat dhe radhët e gjata e bëjnë blerjen një përvojë acaruese për shumë veta.
Cilat parime biblike mund të na ndihmojnë?
Jezui tha: «Bëjeni zakon të jepni.»a (Luka 6:38) Ai s’e kufizoi dhënien e dhuratave në një periudhë të caktuar të vitit, kur pritej që njerëzit të jepnin. Jezui i nxiti dishepujt ta bënin zakon dhënien e dhuratave spontane, ta bënin një mënyrë jetese.
«Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër, jo me pahir a me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.» (2 Korintasve 9:7) Një vepër komentuese biblike shpjegon se thelbi kësaj këshille është që «asgjë të mos jepet kurrë ‘me detyrim’, ngaqë dikush ndihet nën presion për të dhënë». Të jesh ‘një dhënës i gëzuar’ e përjashton ndjesinë e detyrimit për t’i dhënë një dhuratë të caktuar një njeriu të caktuar në një kohë të caktuar—siç bëhet shpesh dhënia e dhuratave për Krishtlindje.
«Nëse ekziston së pari gatishmëria, kjo është veçanërisht e pranueshme, me aq sa një njeri ka, dhe jo me atë që nuk ka.» (2 Korintasve 8:12) Perëndia nuk u kërkon të krishterëve të hyjnë në borxhe që të blejnë dhurata të shtrenjta. Përkundrazi, kur dikush jep ‘me aq sa ka’, dhurata e tij nuk është thjesht sa për të kaluar radhën, por është «veçanërisht e pranueshme» për Perëndinë. Çfarë kontrasti lehtësues në krahasim me mesazhin «bli tani, paguaj më vonë» që përcjellin reklamuesit gjatë festave!
a Disa përkthime të Biblës thjesht thonë: «Jepni.» Por, në greqishten origjinale, kjo formë e foljes nënkupton veprim të vazhdueshëm. Që të përcjellë kuptimin e plotë të fjalës që përdori Jezui, Përkthimi Bota e Re e përkthen atë «bëjeni zakon të jepni».