LEXUESIT PYESIN . . .
A i premtoi Jezui keqbërësit se do të jetonte në qiell?
Kjo pyetje lind ngaqë Jezui i premtoi kriminelit që po ekzekutohej përkrah tij se do të jetonte në Parajsë. Jezui tha: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:43) Vër re se Jezui nuk tha ku do të ishte Parajsa. Prandaj, a donte të thoshte Jezui se keqbërësi do të ishte me të në qiell?
Së pari, le të shqyrtojmë nëse keqbërësi i përmbushte kualifikimet për jetën në qiell. Njerëzit që kanë shpresë të jetojnë në qiell janë pagëzuar në ujë dhe me frymë të shenjtë. Kështu, ata janë dishepuj të Jezuit të lindur nga fryma. (Gjoni 3:3, 5) Një kërkesë tjetër është se duhet të jetojnë në përputhje me normat morale të Perëndisë dhe të shfaqin cilësi të tilla, si ndershmëri, integritet dhe dhembshuri. (1 Korintasve 6:9-11) Gjithashtu, duhet t’i qëndrojnë besnikë Perëndisë dhe Krishtit derisa ta përfundojnë jetën e tyre në tokë. (Luka 22:28-30; 2 Timoteut 2:12) Vetëm duke i plotësuar këto kërkesa, ata mund të tregohen të denjë për t’u ringjallur në qiell dhe të kualifikuar për përgjegjësinë e madhe që i pret atje, domethënë, që t’i shërbejnë njerëzimit për një mijë vjet si priftërinj dhe mbretër me Krishtin.—Zbulesa 20:6.
Krejt ndryshe, keqbërësi përkrah Jezuit kishte jetuar si kriminel dhe si i tillë vdiq. (Luka 23:32, 39-41) Është e vërtetë se ai iu drejtua Jezuit me respekt kur i tha: «Më kujto kur të hysh në mbretërinë tënde.» (Luka 23:42) Sidoqoftë, ai nuk ishte bërë dishepull i Jezuit i pagëzuar e i lindur nga fryma, dhe as ishte treguar i drejtë e besnik gjatë jetës së tij. A të duket e arsyeshme që Jezui t’i premtonte mbretërimin në qiell përkrah dishepujve të tij besnikë, të cilët e kishin mbajtur integritetin?—Romakëve 2:6, 7.
Ta ilustrojmë: nëse dikush të kërkon falje që të ka vjedhur pará, mbase vendos të mos ngresh padi ndaj tij. Por, a do t’ia lije në dorë drejtimin e biznesit tënd ose kujdesin e familjes sate? Këto përgjegjësi do t’ua jepje vetëm atyre që u beson plotësisht. Në mënyrë të ngjashme, ata, të cilëve u jepet shpresa për jetën në qiell, duhet të japin prova të forta besueshmërie se do t’u përmbahen normave të drejta të Perëndisë kur të sundojnë mbi njerëzimin. (Zbulesa 2:10) Megjithatë, ndonëse përgjërimi i keqbërësit në minutën e fundit duket i sinqertë, ai nuk i dha prova të tilla.
Por a nuk i tha Jezui keqbërësit se do të ishte me të në qiell po atë ditë? Kjo s’kishte si të ndodhte, sepse as Jezui vetë nuk shkoi në qiell po atë ditë. Përkundrazi, për tri ditë ishte «në zemër të tokës», pra në varr. (Mateu 12:40; Marku 10:34) Edhe pasi u ringjall, ai ndenji në tokë për 40 ditë para se të ngrihej në qiell. (Veprat 1:3, 9) Kështu, ishte e pamundur që keqbërësi të ishte me Jezuin në qiell po atë ditë.
Atëherë, në çfarë Parajse do të shkonte keqbërësi? Pas ringjalljes, ai do të jetojë në një Parajsë tokësore, mbi të cilën do të sundojë Jezui. (Veprat 24:15; Zbulesa 21:3, 4) Për të mësuar më tepër për këtë Parajsë dhe për kërkesat e Perëndisë, fol me një nga Dëshmitarët e Jehovait.