A e shkroi vërtet Jozef Flavi?
Në Librin XX të Antikiteteve judaike, historiani i shekullit të parë Jozef Flavi përmend vdekjen e «Jakovit, vëlla i Jezuit që quhej Krishti». Shumë studiues e konsiderojnë këtë deklaratë si autentike. Megjithatë, disa vënë në dyshim vërtetësinë e një pohimi tjetër në të njëjtën vepër në lidhje me Jezuin. Në këtë fragment, të njohur si Testimonium Flavianum, është shkruar:
«Tani, rreth kësaj kohe ishte Jezui, një njeri i mençur, nëse është e ligjshme ta quajmë njeri, sepse kryente vepra të mrekullueshme—ishte mësues i atyre lloj njerëzve që e pranuan të vërtetën me kënaqësi. Ai tërhoqi pas vetes shumë judenj e jojudenj. Ai ishte Krishti, dhe kur Pilati, i nxitur nga krerët që ishin mes nesh, urdhëroi ta dënonin në kryq, ata që e donin që në fillim, nuk e braktisën, sepse iu shfaq përsëri i gjallë ditën e tretë, ashtu si profetët hyjnorë i kishin parathënë këto e dhjetë mijë gjëra të tjera të mrekullueshme për të; dhe fisi i të krishterëve, i quajtur kështu sipas emrit të tij, nuk është zhdukur deri sot e kësaj dite.»—Jozefi—Antikitete judaike, XVIII, 3, 3.
Që nga fundi i shekullit të 16-të, është ndezur një debat i nxehtë midis atyre që besojnë se ky tekst është autentik dhe atyre që dyshojnë se e shkroi Jozefi. Serzh Bardeja, historian francez dhe specialist në literaturën klasike, është përpjekur të zgjidhë nyjën gordiane të këtij debati që është bërë lëmsh gjatë katër shekujve të shkuar. Ai i botoi kërkimet e tij në një libër me titull Le Testimonium Flavianum—Examen historique considérations historiographiques (Testimonium Flavianum—Një studim historik me hulumtime historike).
Jozefi nuk ishte autor i krishterë. Ai ishte historian jude, prandaj pjesa më e madhe e debatit përqendrohet tek emërtimi i Jezuit si «Krishti». Në bazë të analizës, Bardeja pohoi se ky titull përkon «në çdo aspekt me përdorimin në greqisht të nyjës [shquese] për emrat e njerëzve». Bardeja shtoi se nga këndvështrimi judaiko-i krishterë, «përdorimi i termit Kristos nga Jozefi jo vetëm nuk është i pamundur», por është edhe një dëshmi kyçe që «kritikët në përgjithësi kanë bërë shumë gabim që e kanë shpërfillur».
Mos ndoshta këtë tekst e zbukuroi një falsifikues i mëvonshëm që imitoi stilin e Jozefit? Duke u mbështetur në dëshmitë historike dhe tekstuale, Bardeja arriti në përfundimin se një imitim i tillë do të ishte thuajse një mrekulli. Do të kërkonte një falsifikues me «një talent të pashoq për të imituar në mbarë antikitetin», me fjalë të tjera, një që të ishte «aq Jozef sa Jozefi».
Pse gjithë kjo zhurmë? Duke identifikuar thelbin e problemit, Bardeja specifikoi se «ndryshe nga shumica e teksteve të lashta, për Testimonium ka dyshime thjesht ngaqë për Testimonium janë ngritur pyetje». Ai thotë më tej se qëndrimet e përvetësuara gjatë shekujve bazohen më tepër te «motivet e fshehta» sesa tek analiza deduktive e tekstit, e cila anon më shumë në favor të autenticitetit të tij.
Mbetet për t’u parë nëse analiza e Bardesë do t’ua ndryshojë studiuesve opinionin për Testimonium Flavianum. Ajo ka bindur një specialist të shquar të judaizmit helenistik dhe të krishterimit primitiv, Pjer Zholtrénë. Për një kohë të gjatë e kishte konsideruar Testimonium një shtesë të mëvonshme, madje tallej me ata që besonin në autenticitetin e tij. Por ndryshoi mendim. Ai ka arritur në përfundimin se arsyeja e këtij ndryshimi është vepra e Bardesë. Zholtreja ka deklaruar se «tani e tutje askush nuk duhet të guxojë të flasë për ‘dëshmi të papranueshme’ të Jozefit».
Sigurisht, Dëshmitarët e Jehovait kanë arsye më bindëse për ta pranuar Jezuin si Krishti—ato që gjenden në vetë Biblën.—2 Tim. 3:16.