NGA ARKIVAT TANË
Mbreti u kënaq!
KJO ndodhi në gusht 1936 në Rezidencën Mbretërore të Suazilendit. Nga një makinë me altoparlant, Robert e Xhorxh Nisbeti sapo kishin transmetuar regjistrime muzikore dhe fjalime të vëlla Xh. F. Radhërfordit. Mbreti Sobuza II u kënaq. Xhorxhi tregoi: «Ramë ngushtë sepse donte të blinte gramafonin, regjistrimet dhe altoparlantin që transmetonte mesazhin për Mbretërinë.»
Me keqardhje, Roberti i tha se nuk shiteshin. Pse? Sepse i përkitnin dikujt tjetër. Mbreti donte të dinte të kujt ishin.
Roberti ia ktheu: «I përkasin një mbreti tjetër.» Atëherë, Sobuza e pyeti kush ishte ai mbret. «Është Jezu Krishti, Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë»,—tha Roberti.
Sobuza pranoi me respekt të thellë: «Aha, ai është Mbret i madh. Nuk dua të marr asgjë që i takon atij.»
Roberti shkroi: «Më la pa fjalë natyra e Prijësit të Madh, mbretit Sobuza. Ai fliste një anglishte të përsosur pa fije mburrjeje a krenarie dhe ishte shumë i çiltër e i afrueshëm. Ndenjëm bashkë në zyrën e tij rreth 45 minuta, ndërsa Xhorxhi kishte vënë regjistrime muzikore jashtë.»
Roberti shtoi: «Më vonë, po atë ditë vajtëm në Shkollën Kombëtare të Suazilendit ku patëm një përvojë edhe më të bukur. I dhamë dëshmi drejtorit, i cili dëgjoi gjithë sy e veshë. Kur i përmendëm gramafonin dhe e pyetëm nëse mund t’i transmetonim regjistrimet për gjithë shkollën, i pëlqeu ideja dhe mblodhi gati njëqind nxënës që u ulën në bar për të dëgjuar. Na thanë se ishte një shkollë e mesme ku djemtë mësonin agrikulturë, kopshtari, zdrukthëtari, ndërtim, anglisht dhe aritmetikë, ndërsa vajzat mësonin punë shtëpie, infermieri dhe zanate të tjera të dobishme.» Shkollën e kishte themeluar gjyshja e Prijësit të Madh.a
Që nga viti 1933, mbreti Sobuza i kishte dëgjuar me kënaqësi pionierët që kishin vizituar Rezidencën Mbretërore. Një herë, mblodhi edhe truprojën me 100 luftëtarë që të dëgjonin mesazhin e regjistruar të Mbretërisë. Ai ishte pajtuar në revistat tona dhe kishte pranuar literaturë. S’kaloi shumë dhe mbreti kishte një bibliotekë teokratike gati të plotë. Madje, e ruajti mirë edhe kur qeveria koloniale britanike e ndaloi literaturën tonë gjatë Luftës II Botërore.
Mbreti Sobuza II vazhdoi t’i mirëpriste Dëshmitarët në Rezidencën Mbretërore në Lobambë, madje thërriste edhe klerikë që të dëgjonin fjalimet e tyre biblike. Kur një Dëshmitar vendës që quhej Helvi Mashazi po shqyrtonte kapitullin 23 të Mateut, një grup klerikësh brofën gjithë zemërim dhe u përpoqën ta detyronin të ulej. Por, mbreti ndërhyri dhe i kërkoi vëlla Mashazit të vazhdonte. Veç kësaj, mbreti u tha të pranishmëve të mbanin shënim të gjitha vargjet biblike të përmendura gjatë fjalimit.
Në një rast tjetër, pasi dëgjuan një fjalim nga një pionier, katër klerikë të pranishëm rrotulluan jakën e veshjes fetare dhe thanë: «Nuk jemi më klerikë, tani jemi Dëshmitarë të Jehovait.» Pastaj e pyetën pionierin nëse kishte libra si ata të Prijësit të Madh.
Që nga vitet 30 deri kur vdiq, më 1982, Prijësi i Madh i respektoi Dëshmitarët e Jehovait dhe nuk lejoi t’i përndiqnin kur nuk përfshiheshin në ritet e vendit. Prandaj, me të drejtë Dëshmitarët i ishin mirënjohës dhe u pikëlluan vërtet kur vdiq.
Në fillim të vitit 2013, Suazilendi kishte më tepër se 3.000 lajmëtarë të Mbretërisë. Në këtë vend, me një popullsi pak më shumë se një milion banorë, raporti ishte një lajmëtar për 384 banorë. Mbi 260 pionierë shërbenin me zell në 90 kongregacione, dhe 7.496 veta ndoqën Përkujtimin më 2012. Duket qartë se ka potencial të madh për rritje të mëtejshme. Patjetër që ato vizita të para në Suazilend në vitet 30 hodhën një themel të fortë.—Nga arkivat tanë në Afrikën e Jugut.
a Epoka e Artë, 30 qershor 1937, faqja 629, anglisht.