BIBLA TË NDRYSHON JETËN
Mendoja se po e shijoja jetën në maksimum
LINDUR: 1982
VENDI I LINDJES: POLONI
TË DHËNA: I DHUNSHËM, KARRIERIST DHE I DROGUAR
E KALUARA IME:
Linda në Poloni, në një qytezë jo shumë larg kufirit me Gjermaninë, dhe u rrita në një zonë me ferma e pyje. Bëja jetë të qetë. Prindërit e mi të dashur më nxitnin të isha njeri i mirë, student i mirë dhe të kisha karrierë prestigjoze.
Problemet filluan kur shkova në fakultetin e juridikut në qytetin Vroclav. Larg prindërve zura shoqëri të këqija. Më kishte pëlqyer gjithmonë futbolli, por i ndikuar nga shokët, u bëra tifoz i çmendur. Skuadra ime e zemrës ishte nga Varshava dhe në fundjavë e ndiqja kudo ku kishte ndeshje. Gjatë këtyre udhëtimeve bëheshim tapë, abuzonim me drogën dhe herë pas here përlesheshim me tifozët e skuadrës kundërshtare. Kështu mendoja se shpëtoja nga stresi i përditshëm, megjithëse e dija se arrestimi mund të më prishte punë për karrierën time në fushën ligjore.
Më pëlqente shumë të shkoja me shokët në klube e disko. Kur shkonim atje, shpesh futesha në sherr. Policia më arrestoi disa herë, por gjithmonë arrija t’ia hidhja paq, ndonjëherë duke dhënë ryshfet. Mendoja se po e shijoja jetën në maksimum. Megjithatë, thellë-thellë e dija se ajo që po bëja ishte e gabuar. Shkoja çdo të diel në kishë në përpjekje për të qetësuar ndërgjegjen.
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:
Në vitin 2004 dy Dëshmitarë të Jehovait trokitën në derën time dhe pranova të flisja me ta për Biblën. Ndërsa mësoja se ç’do të thotë të jesh i krishterë i vërtetë, filloi të më vriste goxha ndërgjegjja. E dija që nuk duhej të pija shumë, të merrja drogë dhe të rrija me njerëz që nuk jetonin sipas normave të Biblës. Kuptova edhe se duhej të ndryshoja personalitetin agresiv e të dhunshëm. Megjithëse i kuptoja të gjitha këto, nuk hiqja dorë nga rruga e keqe.
Pika e kthesës ishte një natë kur u futa në sherr me tetë çuna. Hëngra grushta e shkelma në kokë dhe ngela pa ndjenja në mes të rrugës. Mendova se aq e pata, ndaj u luta: «Më fal, o Jehova, që nuk i mora seriozisht fjalët e tua! Nëse shpëtoj, të premtoj se do të studioj Biblën me Dëshmitarët dhe do t’i jap drejtim jetës.» Për habinë time, nuk vdiqa. Prandaj e mbajta fjalën dhe fillova të studioja Biblën.
Më 2006 shkova të jetoja në Angli. Doja të fitoja para që të kthehesha në Poloni dhe të arsimohesha më tej në fushën ligjore. Ndërsa studioja Biblën, më bëri shumë përshtypje një shkrim. Apostulli Pavël shkroi: «Çdo gjë e kam braktisur me dëshirë për shkak të vlerës së pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu, Zotërisë tim. Për shkak të tij pranova të humb çdo gjë dhe i konsideroj sikur të jenë shumë plehra, që të fitoj Krishtin.» (Filipianëve 3:8) Ashtu si unë, edhe apostulli Pavël ishte arsimuar në fushën ligjore dhe kishte qenë shumë i dhunshëm. (Veprat 8:3) E megjithatë mësoi se kishte një mënyrë më të mirë për të jetuar: t’i shërbente Perëndisë dhe të bënte çmos të imitonte Jezuin. Pasi mendova thellë për Pavlin, kuptova se karriera fitimprurëse dhe dhuna nuk ishin sekreti i lumturisë. Nëse Pavli arriti të ndryshonte, u binda se edhe unë mund të ndryshoja. Prandaj vendosa të qëndroja në Angli dhe të hiqja dorë nga arsimimi i mëtejshëm në fushën ligjore.
Sa më shumë mësoja për Jehovain, aq më fort e doja. Më preku premtimi i tij për të falur ata që duan me gjithë zemër të bëjnë ndryshime. (Veprat 2:38) Dhe, kur mendova për shkrimin e 1 Gjonit 4:16 ku thuhet se «Perëndia është dashuri», fillova të kuptoja pse e urren ai dhunën.
Doja të bëhesha pjesë e vëllazërisë së lumtur të Dëshmitarëve
Më bënte përshtypje edhe sjellja e Dëshmitarëve. Ishte më se e dukshme se përpiqeshin të jetonin sipas normave të larta biblike. Doja të bëhesha pjesë e vëllazërisë së tyre. Pas disa betejave dhe ndryshimeve, u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait në vitin 2008.
DOBITË:
Bibla më ka transformuar nga një njeri ambicioz e i dhunshëm, abuzues droge, pijanec e tifoz i çmendur në një shërbëtor të Perëndisë që kënaqet duke u folur të tjerëve për Biblën. Edhe tani më pëlqen të shoh futboll, por jam i vendosur të mos i kushtoj tepër rëndësi.
Kam një martesë të lumtur me Esterën, gruan time të bukur, e cila po ashtu është adhuruese e Jehovait. Kënaqemi vërtet duke u mësuar Biblën njerëzve që flasin polonisht në veriperëndim të Anglisë. Për herë të parë në jetën time, ndiej kënaqësi të vërtetë. Kam ndërgjegje të pastër dhe bëj një jetë kuptimplotë.