Një privilegj në dispozicion për të vegjlit
1 Shumë Dëshmitarë që sot janë prindër, e kujtojnë me dashuri një privilegj që gëzonin si fëmijë duke u rritur në të vërtetën—aktivitetin e Ditës së revistave. Ajo vepër filloi në të gjitha kongregacionet në vitin 1949. Një ditë në javë, gjithsecili duhej të përqendrohej në shpërndarjen e revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! në rrugë, nga shtëpia në shtëpi, dyqan më dyqan, si edhe në mënyra të tjera. Veçanërisht lajmëtarët e vegjël mezi pritnin të merrnin pjesë në këtë vepër, sepse ajo u jepte një mundësi për të marrë pjesë në po atë aktivitet që kryenin edhe të rriturit në kongregacion. A e ka pasur këtë përvojë ndonjëri prej nesh gjatë fëmijërisë?
2 Të përfshijmë fëmijët tanë: Fëmijët shumë të vegjël, që nuk janë ende gati për të filluar një diskutim biblik në derë, mund të ofrojnë gjithsesi revistat. Kjo gjë kërkon të mësohet vetëm një prezantim i thjeshtë që përmban disa fjali të shkurtra. Një koment i shkurtër ndoshta rreth ilustrimit në kopertinën e revistës, mund të jetë i mjaftueshëm. Shumë pronarë shtëpie i pranojnë me gatishmëri revistat nga të vegjlit tanë, shpesh duke komentuar në mënyrë të favorshme rreth sinqeritetit dhe sjelljes së mirë të këtyre fëmijëve. Me pak ndihmë, ky lloj shërbimi është diçka që fëmijët mund ta bëjnë shumë mirë, duke bërë një kontribut të vlefshëm në përhapjen e mesazhit të Mbretërisë. Sigurisht, ndërsa fëmijët rriten, prindërit duhet t’i ndihmojnë ata që të vazhdojnë të bëjnë progres për sa i përket zhvillimit të aftësive për të dëshmuar.
3 Manueli filloi të predikonte nga shtëpia në shtëpi kur ishte 3 vjeç. Prindërit e mësuan që të fiksonte në mendje një prezantim të shkurtër. Ai predikon me zell përkrah tyre, duke shpërndarë shumë revista, broshura dhe fletushka. Gjithashtu, dëshmon edhe në mënyrë joformale. Në një rast, kur prindërit e morën me vete në një park për të pushuar, ai mori iniciativën për t’u lënë disa fletushka njerëzve të tjerë që ndodheshin atje. Megjithëse është ende mjaft i vogël, entuziazmi i Manuelit për shërbimin, është burim i një inkurajimi të vërtetë për prindërit e tij dhe për të gjithë kongregacionin.—Prov. 22:6.
4 Çdo e shtunë është caktuar si «Dita e revistave» në Kalendari i Dëshmitarëve të Jehovait—2000. Si prindër, rekomandohemi që të përtërijmë interesin për këtë vepër, duke i ndihmuar fëmijët tanë që të marrin pjesë sa më rregullisht që është e mundur në këtë privilegj të shërbimit.