NGJARJE TË SPIKATSHME NGA VITI I KALUAR
«Sa shumë e duam JW Broadcasting!»
MË 6 TETOR 2014 filloi transmetimin JW Broadcasting, një stacion televiziv eksperimental në Internet në gjuhën angleze.a Që nga gushti i vitit 2015 këto programe besimforcuese janë përkthyer në mbi 70 gjuhë, që t’i shijojnë sa më shumë motra e vëllezër. Mjaft shikues nga e gjithë bota kanë shprehur vlerësimin për këtë masë të re emocionuese. Por çfarë nevojitej për të filluar transmetimet me JW Broadcasting?
Duhej gjetur një vend i përshtatshëm. Prandaj u zgjodh një vend ideal në ndërtesën 30 Columbia Heights, në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Vetëm brenda një jave, vendi i zgjedhur u boshatis. Reparti i Mirëmbajtjes filloi të përgatiste vendin ku do të përpunoheshin programet televizive, kurse skuadra e projektimit ndërtoi një skenë studioje edhe dinjitoze, edhe moderne. Shumë vëllezër e motra nga mbarë Shtetet e Bashkuara punuan orar pa orar që të projektonin studion dhe të planifikonin si ta mbaronin sa më shpejt. Kërkimet që zakonisht duan muaj, u bënë për disa ditë, dhe Reparti i Blerjeve iu fut menjëherë punës për të porositur qindra mjete.
U instaluan kilometra të tërë kabllosh dhe skuadra duhej të sigurohej që të gjitha pajisjet të funksiononin si duhej me njëra-tjetrën. Në të njëjtën kohë, orkestra po regjistronte siglën muzikore në studiot e audio-videos në Paterson me ndihmën e vëllezërve e të motrave nga shumë vende që kishin ardhur për regjistrimet e programuara. U shkruan tekstet, u morën masa për filmimin e përvojave reale, ndërsa skuadrat e audio-videos në Bruklin, Paterson, Uollkill dhe vende të tjera të botës iu përveshën punës për prodhimin e videove. Kur mbaroi studioja dhe kur u instaluan pajisjet, vijuan përgatitjet për materialin që do të transmetohej muajt e parë.
Kur pyetëm një profesionist të kësaj fushe se sa kohë do të duhej normalisht për të krijuar një studio të këtyre përmasave, ai tha se do të duhej një vit e gjysmë. Kurse motrat e vëllezërit tanë të palodhur e mbaruan vetëm për dy muaj.
Rezultatet të japin shumë zemër. Programi mujor, që zakonisht del të hënën e parë të muajit, shihet mbi dy milionë herë gjatë atij muaji. Të gjitha videot dhe programet televizive shihen mbi dhjetë milionë herë në muaj.
«Falë programit ndihem më afër organizatës së Jehovait dhe Trupit Udhëheqës. E di se i përkas një familjeje ku mbizotëron dashuria.»—Kenia
Si ndihet populli i Jehovait për këtë masë të re besimforcuese? Më poshtë mund të lexosh vetëm disa nga shprehjet e shumta të vlerësimit.
«Është një nga mbrëmjet më të gëzueshme për mua! Unë dhe gruaja sonte pamë programin e majit 2015 në JW Broadcasting dhe jam aq i lumtur, sa nuk e përshkruaj dot me fjalë. Është ndër dhuratat më të çmuara që më ka bërë Jehovai. Falënderojmë Trupin Udhëheqës dhe gjithë vëllezërit e motrat që punuan fort për këtë masë të mrekullueshme besimforcuese!»—Indonezi.
«Deri kohët e fundit, shumë vëllezër e motra nuk kishin dëgjuar kurrë një fjalim nga një anëtar i Trupit Udhëheqës. Tani jo vetëm i dëgjojmë, por edhe i shohim. Kurrë më parë nuk jemi ndier kaq në unitet me Trupin Udhëheqës dhe me vëllezërit në mbarë botën.»—Kenia.
«Burri im nuk është Dëshmitar i Jehovait, prandaj e kam të vështirë të bëj adhurimin familjar me dy djemtë adoleshentë. Për mua, programet televizive nuk kanë të çmuar. Falë tyre ndihem pjesë e organizatës; të tre inkurajohemi aq shumë dhe për këtë kemi vërtet nevojë. Është vërtet një bekim nga Jehovai.»—Britani.
«Sa shumë e duam JW Broadcasting! Lutjet tona morën përgjigje kur programi filloi të përkthehej edhe në gjuhë të tjera. Marrim shumë zemër nga ju vëllezër kur shohim gëzimin, dashamirësinë dhe lumturinë tuaj teksa adhuroni Jehovain. Që kur doli programi ynë televiziv, ndihemi më tepër se kurrë pjesë e organizatës së mrekullueshme e të mahnitshme të Jehovait.»—Republika Çeke.
«Kur dëgjoj anëtarët e Trupit Udhëheqës në gjuhën time, ndihem më afër Jehovait.»—Brazil.
«I kam shërbyer Jehovait për 16 vjet, por emocionet dhe gëzimin që ndjeva sot mund ta krahasoj vetëm me ndjenjat që provova kur u pagëzova. Faleminderit vëllezër të dashur për JW Broadcasting!»—Brazil.
Me mbështetjen e Jehovait, kemi besim se JW Broadcasting do të vazhdojë të jetë një burim i madh inkurajimi për bashkëbesimtarët tanë në mbarë botën dhe do t’i japë gjithnjë e më tepër lavdi Jehovait.
a Adresa për të hyrë në JW Broadcasting është tv.jw.org.