Alternativa e divorcit
«Nëse bashkëshorti yt vdes, njerëzit të kuptojnë, edhe nëse nuk ke qenë një bashkëshorte e shkëlqyer. Por nëse burri të lë, e mirë, disa mendojnë se ti nuk je përpjekur sa ç’duhet. Ju lutem, ju lutem, NDIHMË!»—Një lexuese e Zgjohuni! në Afrikën e Jugut.
JOBESNIKËRIA dhe divorci mund të jenë shumë tronditëse. Edhe pse shumë persona kanë gjetur arsye të vlefshme për t’u pajtuar me partnerin e tyre dhe për ta ruajtur martesën, të tjerë kanë arsye të vlefshme që të zgjedhin alternativën e siguruar nga Perëndia për t’u divorcuar nga një partner kurorëshkelës. (Mateu 5:32; 19:9) Për shembull, siguria, marrëdhënia me Perëndinë dhe mirëqenia e përgjithshme e një bashkëshorteje besnike dhe e fëmijëve të saj mund të jetë në rrezik. Ajo mund të jetë, gjithashtu, e merakosur se mos infektohet me ndonjë sëmundje të transmetuar seksualisht. Ose ndoshta ajo e ka falur të shoqin për faktin që ka kryer kurorëshkelje, por nuk ka ndonjë bazë për të shpresuar se mund të rivendoset besimi i sinqertë dhe se mund të vazhdojë të jetojë me të si burrë e grua.
«Ky qe vendimi më i vështirë i jetës sime»,—pranoi një bashkëshorte e tronditur. Një vendim i vështirë vërtet. Jo vetëm sepse tradhtia është shumë e dhimbshme, por edhe sepse divorci ka pasoja të shumanshme që do të ndikojnë në gjithë jetën e saj. Prandaj, nëse një bashkëshorte duhet të divorcohet ose jo nga partneri i saj jobesnik është një vendim personal. E drejta biblike e bashkëshortes së pafajshme për të marrë këtë vendim duhet respektuar prej të tjerëve.
Është tragjike, ama, që shumë njerëz nguten për t’u divorcuar pa llogaritur siç duhet koston. (Krahaso Lukën 14:28.) Cilët janë disa prej faktorëve që përfshihen në alternativën e divorcit?
Nëse kanë fëmijë
«Prindërit, që janë shumë të përpirë nga problemet e veta, shpesh i harrojnë ose i shpërfillin nevojat e fëmijëve»,—pohon libri Couples in Crisis. Kështu, kur ke ndër mend divorcin, mbaj parasysh marrëdhënien me Perëndinë dhe mirëqenien e fëmijëve të tu. Shumë studiues vërejnë se sa më miqësor të jetë një divorc, aq më pak mundësi ka që fëmijët të vuajnë. Edhe nën rrethana të vështira, butësia do ta ndihmojë një person ‘të mos luftojë, por të jetë i butë ndaj të gjithëve, duke e mbajtur veten të kufizuar nën të ligën’.—2. Timoteut 2:24, 25, BR.a
Nëse dikush zgjedh të divorcohet, duhet të mbajë në mend se ata që po divorcohen janë burri dhe gruaja, jo fëmijët. Fëmijët kanë ende nevojë si për mamin, ashtu edhe për babin. Sigurisht, mund të ekzistojnë rrethana ekstreme, si në rastin kur rrezikohet që të abuzohet me fëmijën. Por ndryshimet fetare ose personale nuk duhen përdorur për t’i privuar fëmijët nga dobia e pasjes së dy prindërve.
Gjithashtu, duhen marrë parasysh ndjenjat e brishta të fëmijëve dhe nevoja e tyre për sigurim, dashuri dhe përzemërsi të bollshme. «Kjo mosndërprerje e dashurisë,—pohon një libër,—do t’u sigurojë atyre si një mjedis, ashtu edhe një themel për të përballuar situatën e re.» Veç kësaj, kushtimi i vëmendjes ndaj nevojave të tyre të përditshme frymore mund t’i ndihmojë të mbajnë stabilitetin.—Ligji i përtërirë 6:6, 7; Mateu 4:4
Të ardhurat dhe procedurat ligjore
Në mënyrë të pashmangshme, divorci i heq çdo bashkëshorti një sasi të caktuar të ardhurash dhe pronash, disa komoditete e ndoshta një shtëpi shumë të dashur. Meqë mund të duhet të përballohen shpenzime më të mëdha me të ardhura më të pakta, është e mençur të hartohet një buxhet realist sipas përparësive financiare. Duhet mënjanuar dëshira e fortë për të kompensuar humbjet dhe ndjenjat e lënduara duke harxhuar sa më shumë ose duke u futur në borxhe.
Nëse është marrë vendimi për t’u divorcuar, është e nevojshme edhe që të zgjidhet bashkë me bashkëshortin çështja se si do të administrohen llogaritë e përbashkëta. Për të parandaluar, për shembull, keqpërdorimin e fondeve në një llogari të përbashkët bankare, mund të jetë e mençur t’i sugjerohet drejtorit të bankës që të kërkojë firmat e të dy bashkëshortëve për tërheqjen e parave derisa secili të ketë llogarinë e vet.
Është, po ashtu, diçka e matur të mbahen regjistrime të sakta të të ardhurave dhe të shpenzimeve, në përgatitje të bisedimeve për lidhjen e një pensioni. Gjithashtu, në shumë vende është kërkesë ligjore që njerëzit të informojnë drejtoritë e tatimeve për ndryshimin e rrethanave të tyre.
Përveç kësaj, shumica e njerëzve nxjerrin dobi nga konsultimi me një avokat që ka përvojë të veçantë në çështjet e divorcit. Disa vende lënë ndërmjetës ose pajtues që t’i ndihmojnë çiftet të bashkëpunojnë për të arritur marrëveshje paqësore dhe të pranueshme nga të dyja palët, të cilat do të miratohen më pas nga një gjykatë. Veçanërisht në rastin kur përfshihen fëmijë, shumë prindër preferojnë të përdorin shërbimet e një avokati, i cili nuk është kundërshtar. Në vend se të kërkojnë përfitime sa më të mëdha materiale, prindërit synojnë të minimizojnë konfliktet dhe lëndimet. Disa fitime materiale thjesht nuk kanë vlerë po të krahasohen me koston emocionale dhe financiare që kërkohet për t’i marrë ato.
Marrëdhënie të ndryshuara
«Nuk duhet ta nënvlerësojmë sikletin dhe dyshimet që ndiejnë shumë njerëz në lidhje me miqtë e tyre të divorcuar»,—informon një studiuese. Edhe pse bashkëshortja besnike po vepron brenda të drejtave të saj ligjore, morale dhe biblike, ka shumë të ngjarë që disa veta ta konsiderojnë atë si shkakun e prishjes së martesës. Reagimi i tyre mund të shkojë nga një përshëndetje e ftohtë deri në shmangie të hapur. Më keq akoma, ish-shoqet e afërta mund të tregojnë sheshit armiqësi.
Shumë njerëz thjesht nuk e kuptojnë se për sa shumë mbështetje ka nevojë një person kur divorcohet; ata mund të kenë përshtypjen se një letër e shkurtër ose një kartolinë është e mjaftueshme. Megjithatë, zakonisht ekzistojnë miq që «kanë tamam ndjeshmërinë e duhur,—vëren libri Divorce and Separation,—dhe që telefonojnë për të parë nëse keni nevojë të jeni e shoqëruar për diku, nëse keni nevojë të bëjnë ndonjë gjë ose nëse thjesht doni të flitni». Vërtet, në një moment të tillë në jetë, një person ka nevojë, siç thotë Bibla, për «një mik që është më i lidhur se një vëlla».—Fjalët e urta 18:24.
Duke punuar drejt rimëkëmbjes
Gjashtëmbëdhjetë vjet pas divorcit, një nënë pranon: «Ka akoma raste kur ndjej një vetmi të jashtëzakonshme, madje edhe kur jam midis njerëzve.» Si e përballon ajo këtë situatë? «Ndërtova një lloj mekanizmi mbrojtës,—kujton ajo,—duke e mbajtur veten të zënë me punë, duke u kujdesur për djalin tim dhe duke mirëmbajtur shtëpinë. Fillova, gjithashtu, të frekuentoja mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, t’i ndaja bindjet e mia me fqinjët dhe të bëja gjëra për të tjerët. Kjo më ndihmoi shumë.»
Disa data dhe momente të vitit mund të zgjojnë kujtime dhe emocione të dhimbshme: dita kur u zbulua jobesnikëria, koha kur ai u largua nga shtëpia, data e gjyqit. Rastet e gëzueshme që çifti kalonte së bashku, të tilla si pushimet dhe përvjetorët e martesës, mund të jenë përvoja emocionale të vështira për t’u përballuar. «I kapërcej ato ditë duke u organizuar që ta kaloj kohën me familjen ose me miqtë e afërt, të cilët e dinë gjendjen time,—thotë Pati.—Ne bëjmë gjëra që do t’i kompensojnë mendimet e së kaluarës dhe do të krijojnë kujtime të reja. Por ndihma më e madhe për mua është marrëdhënia ime me Jehovain, duke e ditur që ai e kupton se si ndihem.»
Mos u dëshpëroni
Partnerët e pafajshëm që zbatojnë parimet e Biblës dhe zgjedhin të veprojnë sipas së drejtës që jep Perëndia për t’u divorcuar nga një bashkëshort kurorëshkelës, nuk duhet të ndihen fajtorë ose të kenë frikë se mos janë braktisur nga Jehovai. Është rruga tradhtare e partnerit kurorëshkelës, e cila ka shkaktuar «të qara dhe psherëtima», ajo që urrehet nga Perëndia. (Malakia 2:13-16, BR) Madje Jehovai, Perëndia i «dhembshurisë së butë», e di se si ndihesh kur hidhesh poshtë nga një person i dashur. (Luka 1:78, BR; Jeremia 3:1; 31:31, 32) Jini të sigurt, pra, se «Jehovai është dashurues i drejtësisë dhe nuk do t’i lërë besnikët e tij».—Psalmi 37:28, BR.
Sigurisht, do të ishte shumë më mirë nëse jobesnikëria bashkëshortore dhe pasojat e saj tragjike do të mund të shmangeshin qysh në fillim. Sekreti i lumturisë familjare,b një udhëzues praktik për familjen, po ndihmon shumë njerëz përreth botës që të ndërtojnë martesa të lumtura dhe të shmangin jobesnikërinë bashkëshortore. Ai përmban kapituj mbi ndërtimin e një martese të lumtur, edukimin e fëmijëve dhe përballimin e problemeve martesore. Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj ose botuesit e kësaj reviste do të jenë të lumtur t’ju sigurojnë më shumë informacion mbi këtë çështje.
[Shënimet]
a Më shumë informacion mund të gjendet në seritë «Kujdestaria e fëmijëve: Cila është pikëpamja e ekuilibruar?» dhe në artikullin «Si të ndihmohen fëmijët e të divorcuarve», në numrat e Zgjohuni! të 8 dhjetorit 1997 dhe 22 prillit 1991, anglisht.
b Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Kutia në faqen 10]
FËMIJËT NUK E MERITOJNË DIVORCIN
Në vitin 1988, e ndjera Diana, Princeshë e Uellsit, tha se vetëm në Britani, deri në 420 fëmijë çdo ditë përjetojnë divorcin e prindërve të tyre. Një e treta e këtyre fëmijëve janë më pak se pesë vjeç. Tragjikisht, pas divorcit, të paktën 40 për qind e fëmijëve humbasin lidhjet me njërin prej prindërve.
Ndryshe nga ç’mendojnë shumë njerëz, një shkrimtare e respektuar në fushën e shëndetësisë dhe mjekësisë vëren se «shumë pak fëmijë të prindërve të divorcuar e presin me kënaqësi prishjen. Shumica dërrmuese e fëmijëve do të preferonin t’i shihnin prindërit e tyre së bashku, edhe pse atmosfera familjare është e nderë». Ndonëse në kohën e jobesnikërisë një çift grindet shumë, ata nuk duhet të arrijnë me ngut në përfundimin se prishja e martesës do të ishte gjëja më e mirë për fëmijët. Bërja e ndryshimeve në qëndrimet dhe sjelljen e tyre mund të bëjë të mundur që ata të qëndrojnë së bashku për të mirën e gjithë familjes.
«Bashkëshortët që janë imoralë,—pohon autorja Pamela Uinfild,—duhet të mendojnë për dhimbjen në sytë e fëmijëve të tyre, të cilët shohin shkatërrimin e familjes, dhimbje që do të pasojë marrëzinë e tyre.»
[Kutia në faqen 11]
A E URREN PERËNDIA ÇDO LLOJ DIVORCI?
«Gjëja që më shqetësonte shumë,—pranon Pati,—ishte mendimi që ‘Jehovai e urren divorcin’. S’më hiqej nga mendja pyetja: ‘A po bëj atë që i pëlqen Jehovait?’ »
Le të shikojmë kontekstin e Malakisë 2:16, për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Në kohën e Malakisë, shumë burra izraelitë po divorcoheshin nga bashkëshortet e tyre, ndoshta për t’u martuar me gra më të reja pagane. Perëndia e dënoi këtë sjellje mashtruese dhe të pabesë. (Malakia 2:13-16, BR) Prandaj, ajo që është e urryer për Perëndinë është lënia me mendjelehtësi e partnerit, në mënyrë që të marrësh një tjetër. Një person që në mënyrë mashtruese kryen kurorëshkelje dhe pastaj ose e divorcon partneren e tij, ose i bën presion që ajo të bëjë divorc, ka kryer një mëkat të urryer pabesie.
Mirëpo, këto vargje nuk dënojnë çdo lloj divorci. Kjo mund të vërtetohet nga fjalët e Jezuit: «Kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën.» (Mateu 19:9) Këtu Jezui pranoi se sipas Shkrimeve kurvëria është një arsye e pranueshme për divorc: është, në të vërtetë, e vetmja arsye e pranueshme që lejon rimartesën. Bashkëshortja e pafajshme mund të vendosë ta falë partnerin fajtor. Megjithatë, një person që zgjedh të përdorë thënien e Jezuit si bazë për t’u divorcuar nga partneri kurorëshkelës nuk po bën diçka që Jehovai e urren. Ajo që urrehet nga Perëndia është sjellja mashtruese e bashkëshortit jobesnik.
[Figurat në faqen 10]
Bashkëshortët e pafajshëm dhe fëmijët e tyre nxjerrin dobi nga mbështetja e dashur