Dashuria e krishterë kundër një vullkani
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË KAMERUN
VITIN e kaluar, një gjigant shpërtheu me furi në Kamerun, një vend i Afrikës Perëndimore. Mali Kamerun është një vullkan që ngrihet në një lartësi rreth 4070 metra mbi nivelin e detit. Ky shpërthim—i pesti shpërthim i këtij mali gjatë shekullit të 20-të—ishte më i fuqishmi e më i rëndi deri tani.
Katastrofa goditi fillimisht të shtunën pasdite, më 27 mars 1999. Dëshmitarë okularë në qytetin Buea, i cili ndodhet në rrëzë të malit, treguan se muret, shtëpitë e, madje, edhe pemët u lëkundën me forcë. Mbrëmjen që pasoi, aty nga ora tetë e gjysmë, rajonin e tronditi lëkundja më e fortë e më e dhunshme nga të gjitha. Kjo lëkundje u ndie rreth 70 kilometra larg, në Duala. Artikulli kryesor i gazetës Le Messager e së martës, më 30 mars 1999, kishte titullin «Shpërthim i malit Kamerun—250 000 njerëz përballen me zjarrin». Në artikull thuhej: «Toka u lëkund 50 herë në dy ditë; tashmë janë shfaqur 4 kratere; qindra shtëpi janë shkatërruar; pallati presidencial në Buea është bërë copë-copë.»
Në Buea jetojnë rreth 80 Dëshmitarë të Jehovait. Shumë shtëpi u dëmtuan në mënyrë të pariparueshme, duke përfshirë edhe një që përdorej si Sallë Mbretërie. Megjithatë, asnjeri nuk humbi jetën.
Dashuria e krishterë në veprim
Dashuria e krishterë hyri menjëherë në veprim për të kompensuar shkretimin që shkaktoi ky gjigant i egërsuar. U emërua një komitet ndihme, pastaj Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait mori masa për të siguruar disa fonde shumë të nevojshme dhe qindra Dëshmitarë sakrifikuan me gatishmëri kohën, energjitë dhe paratë, duke treguar kështu dashurinë e tyre.
Kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait dërguan furnizime në ushqime. Një Dëshmitar dhuroi 1000 blloqe betoni. Një tjetër rregulloi që të blihej material alumini për mbulimin e çative, me një çmim të ulët. Një tjetër akoma bëri 16 kilometra në këmbë për të gjetur lëndë druri. Një i ri, i cili kishte kursyer para për t’i paguar të afërmve të nuses së tij të ardhshme çmimin e nuses, e shtyu martesën dhe i përdori paratë për të riparuar sharrën elektrike me zinxhir që kishte. Pas kësaj, shkoi në pyll, ku për tri javë preu trungje pemësh që mjaftonin për të ndërtuar një shtëpi të tërë. Vëllezër të rinj e të fortë të krishterë i mbartën drurët mbi kokë për pesë kilometra, deri në vendin ku i mori kamioni.
Rindërtimi filloi më 24 prill, kur 60 vullnetarë u mblodhën në vendin e katastrofës. Gjatë fundjavëve që vijuan, ky numër u rrit deri në një maksimum me 200 punëtorë. Tre Dëshmitarë, që punonin në kohë të plotë, vinin kur mbaronin punën e tyre normale ditore dhe vazhdonin ndërtimin deri pas mesnate. Një Dëshmitar nga Duala punonte në punën e tij gjithë mëngjesin, pastaj bënte 70 kilometra me motor dhe punonte deri në mesnatë para se të kthehej në shtëpi. Gjashtë shtëpi u përfunduan në më pak se dy muaj. Ndërkohë, kongregacioni Buea vazhdoi t’i mbante mbledhjet në një shtëpi private, ndonëse ishin të pranishëm rreth dyfishi i numrit të pjesëtarëve të kongregacionit.
Gjatë po kësaj periudhe, komiteti i ndihmës shpërndau më shumë se 40 000 tableta për të pastruar ujin e ndotur dhe siguroi kujdes spitalor për afro dhjetë persona që vuanin nga shqetësime të frymëmarrjes, të shkaktuara nga gazi toksik dhe hiri vullkanik. Cili ishte reagimi i atyre që qenë dëshmitarë të kësaj dashurie të krishterë?
Dashuria e krishterë fiton
Pasi vërejti një nga shtëpitë që ndërtuan vëllezërit, një burrë nga Delegacioni Provincial i Bujqësisë, tha: «Vetë kjo shtëpi është një dëshmi e madhe . . . një tregues i dashurisë.» Një mësuese komentoi: «Nuk kisha parë kurrë një gjë të tillë në jetën time. . . . Kjo është, pa dyshim, shenjë e krishterimit të vërtetë.»
Ata që nxorën dobi personalisht ishin po njësoj të entuziazmuar. Timoti, 65-vjeçar dhe i sëmurë, shkroi: «Sa herë që e shohim shtëpinë tonë të re, sytë na mbushen me lot gëzimi. Nuk pushojmë së falënderuari Jehovain për atë që ka bërë për ne.» Një e ve, që nuk është Dëshmitare e Jehovait, mbeti pa asnjë gjë, së bashku me katër fëmijët e vet, kur shtëpia u shemb. Pastaj, ata që kishte marrë në punë për ta ndihmuar, i vodhën materialet që do të përdoreshin për të mbuluar çatinë. Vullnetarët Dëshmitarë i erdhën në ndihmë. Ajo tha: «Nuk di se si t’i falënderoj. E kam zemrën plot gëzim.» Elizabeta, gruaja e një plaku të krishterë, vërejti: «Jam e lumtur që në organizatën e Jehovait ka dashuri. Kjo tregon se po i shërbejmë Perëndisë së gjallë.»
Shpërthimi i vullkanit ishte i fuqishëm, por nuk mundi ta shuante dashurinë e krishterë të kësaj vëllazërie. Siç u frymëzua të shkruante apostulli Pavël, «dashuria nuk dështon kurrë».—1. Korintasve 13:8, BR.
[Figurat në faqen 16]
Rrëketë e lavës së shkrirë shkaktuan shumë shkatërrime
[Figura në faqen 17]
Vullnetarët punuan fort për të rindërtuar shtëpitë e dëmtuara
[Figura në faqet 16, 17]
Mali Kamerun