Kur mali u përpoq të bashkohej me detin
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË VENEZUELË
MIDIS Karakasit, kryeqytetit të Venezuelës, dhe detit qëndron një mal 2.000 metra i lartë me emrin El Ábela. Në anën veriore gjendet një rrip bregdeti i ngushtë e me popullsi të dendur. Aty ndodhet aeroporti më i madh i Venezuelës dhe për të shkuar nga aeroporti në Karakas, turistët duhet të udhëtojnë përmes një tuneli që është gërmuar brendapërbrenda malit.
Pas shirave të rrëmbyeshëm dhjetorin e kaluar, mali i ngopur me ujë nuk mund të mbante më. Shpatet e malit dukeshin sikur do të shpërthenin, ndërsa miliona metra kub ujë binin poshtë tij si ujëvarë. Siç u shpreh një njeri, dukej sikur mali po përpiqej të bashkohej me detin. Shtëpitë—nga kasollet e deri te vilat—u përmbytën nga një valë e furishme uji, balte, shkëmbinjsh dhe pemësh. Kjo valë mori me vete krevate, frigoriferë, televizorë e, madje, edhe njerëz. Një i moshuar tha se kishte menduar që ishte fundi i botës.
Me kalimin e kohës shiu pushoi dhe ujërat e përmbytjes filluan të binin. Sipas një përllogaritjeje, mund të kenë vdekur rreth 50.000 njerëz dhe 400.000 të tjerë mbetën pa shtëpi. Me të drejtë, kjo është quajtur «katastrofa më e rëndë natyrore në historinë e Venezuelës».
Shpëtojnë për një qime
Më 15 dhjetor, Huan Karlos Lorenco dhe babai i tij ngecën midis dy lumenjve të fryrë tej mase. E braktisën automjetin e tyre dhe u bashkuan me 35 veta të tjerë në një ndërtesë. Megjithatë, shpejt uji filloi të hynte brenda dhe niveli i tij u rrit me shpejtësi. Që të gjithë ia dolën mbanë të hipnin në çati. Ndërkohë, shkëmbinjtë dhe trungjet e pemëve e goditnin ndërtesën. S’kaloi shumë kohë dhe muret në katin e parë e të dytë u shembën, kështu që mbetën vetëm kolonat dhe çatia. Struktura e dobët tronditej, ndërsa vazhdonin goditjet.
U shfaq një helikopter, por nuk mund të ulej mbi ndërtesën e brishtë. Ndërsa ai largohej, Huan Karlosi dhe babai i tij, me lot në sy, i thanë njëri-tjetrit lamtumirë, të bindur se ky ishte fundi për ta. Më pas, u shfaqën dy helikopterë. Një nga një, të gjithë ata që ishin në çati arritën të hipnin në helikopterë, ndërsa pilotët me mjeshtëri i mbanin pezull mbi ndërtesën. Sapo u nisën helikopterët, ndërtesa u shemb në ujërat e furishëm. Kishin shpëtuar tamam në kohë!
Njerëzit i shpërngulnin me mijëra—në aeroplanë të vegjël, me rrugë tokësore dhe me anije luftarake të projektuara për të zbarkuar në brigje. Radhë të gjata me njerëz, disa me fëmijët në shpinë, drejtoheshin në varka, duke u mbajtur nëpër litarë, përmes detit që po ngrihej. Ndonëse disa arritën të shpëtonin ndonjë send personal, shumë ikën vetëm me rrobat që kishin në trup.
Përpjekjet për lehtësim
Në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Venezuelë, përpjekjet për lehtësim filluan sapo mbërriti fjala për katastrofën. Megjithatë, rrugët ishin ose të mbuluara me rrënoja, ose thjesht ishin zhdukur. Pas disa ditësh, një korsi e autostradës kryesore u hap për ta përdorur për urgjencat, dhe automjetet e Dëshmitarëve që mbanin furnizime mjekësore dhe personel të kualifikuar u lejuan të kalonin. Më vonë, një zyrtar tha: «Qeveria është në dijeni se Dëshmitarët e Jehovait ishin ndër të parët që mbërritën me ndihma dhe për t’i hequr njerëzit nga zona.»
Dëshmitarët organizuan kërkime për të gjetur ata që kishin nevojë për ndihmë. U rregullua transporti për t’i çuar të shpërngulurit në Karakas, ku mbërritën pa asgjë me vete. Në qytet u ngritën pika grumbullimi, me qëllim që ushqimi, veshjet dhe ilaçet t’u shpërndaheshin njerëzve nevojtarë. Por, shumica prej tyre kishin nevojë për më shumë se ushqim dhe veshje. Ata kishin një nevojë të ngutshme për një vend ku të jetonin. Vëllezërit e tyre të krishterë i morën me gëzim nëpër shtëpitë e tyre.
Edhe shumë kohë pas katastrofës, njerëzit kishin miq e të afërm që jetonin me ta. Hoeli dhe Elsa, Dëshmitarë në Porto-Kabello, jetojnë në një apartament të vogël. Një muaj pas stuhisë, ata kishin ende 16 veta të tjerë në shtëpi. Shumë kishin humbur jo vetëm shtëpitë, por edhe punën. Thjesht, vendet e tyre të punës nuk ekzistonin më.
Mjerisht, qytete që më parë ishin porte dhe vende turistike plot gjallëri u bënë pothuajse të paidentifikueshme. Disa automjeteve u dukej vetëm një pjesë që dilte nga balta, të tjerë ishin ngjitur pas mureve, ishin rrotulluar përreth kolonave ose ishin ngjeshur pas dyerve a dritareve. Një shtresë balte e ngurtësuar—në disa vende deri në 3 metra e lartë—bëri që niveli i rrugëve të ishte kaq i lartë, saqë kur një njeri ecte nëpër to, mund të shihte drejtpërdrejt katet e sipërme ose edhe çatitë e ndërtesave pranë të cilave kalonte!
Disa njerëz në Venezuelë komentuan se katastrofa u dha një mësim të vlefshëm: të mos e vënë besimin e tyre në gjërat materiale. (Luka 12:29-31) Disa prej tyre filluan të kuptonin këshillën e Jezu Krishtit: «Mos grumbulloni më për vete thesare mbi tokë, ku brejnë mola dhe ndryshku dhe ku hajdutët shpërthejnë e vjedhin. Më mirë, grumbulloni për vete thesare në qiell, ku nuk bren as mola, as ndryshku dhe ku hajdutët nuk shpërthejnë e nuk vjedhin. Sepse ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote.»—Mateu 6:19-21.
[Harta dhe figurat në faqet 16, 17]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
VENEZUELA
Karakasi
Zona e katastrofës
KOLUMBIA
[Figura në faqen 17]
Ruben Serrano, te rrënojat e shtëpisë së tij
[Figurat në faqen 18]
1. Vullnetarët në Karakas mblodhën ndihma humanitare
2, 3. Pjesëtarët e kongregacionit Majketía hoqën nga Salla e tyre e Mbretërisë baltën e ngurtësuar që kishte një trashësi më shumë se dy metra
4. Këta Dëshmitarë humbën shtëpitë, por, më pas, dolën vullnetarë për të ndërtuar shtëpi të reja për vete dhe për të tjerët
5. Një nga shtëpitë thuajse të përfunduara në San-Sebastian-de-los-Rejes