Flutura, bimë dhe milingona: Një marrëdhënie jetësore
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË HOLANDË
FLUTURAT e brishta blu në Evropën Perëndimore e dinë se në korrik është koha për të nxjerrë në dritë brezin e ri. Megjithatë për të bërë këtë fluturat kanë nevojë për më shumë se një partner. Ato kanë nevojë, gjithashtu, për shërbimet e sanëzave blu të lulëzuara të kënetave, si edhe për shërbimet e milingonave të kuqe të uritura. Përse? Çfarë roli luajnë bimët dhe milingonat në ciklin e jetës së këtyre fluturave?
Një vend për të vëzhguar këtë marrëdhënie magjepëse tripalëshe është në Parkun Kombëtar Duingëlderveld në pjesën veriore të Holandës. Ky park është habitati i një numri të madh të këtyre fluturave blu. Në pranverë dhe verë, shqopishtet e Duingëlderveldit transformohen në një qilim shumëngjyrësh, i përbërë nga shumë lule të lulëzuara, përfshirë sanëzat blu të kënetave, shqopat rozë kënetore dhe badërat e verdha moçalore. Fluturat blu janë të tërhequra, në mënyrë të veçantë, nga lulet delikate të shqopave rozë kënetore dhe lulet me funde si thekë të sanëzave blu të kënetave—dhe kjo ndodh për dy arsye të ndryshme. Shqopa kënetore e lulëzuar është një vend i preferuar ndalese për t’u ushqyer me nektar, ndërsa sanëza e kënetave shikohet si një vend i mundshëm ruajtjeje. Por çfarë do të ruajnë atje fluturat?
Një plan mbijetese
Pasi ka ndodhur çiftimi, flutura femër kërkon një sanëz kënetore më të gjatë se bimësia rrethuese. Flutura zë vend mbi lule dhe vendos disa vezë me ngjyrë të bardhë. Katër deri në dhjetë ditë më vonë, vezët çahen dhe dy deri në gjashtë larva të vogla fillojnë jetën e tyre të re të strukura në gonxhet që i ushqejnë, duke i bërë ato shtëpinë e tyre. Pas dy deri tri javësh përtypjeje pa pushim, larvat zbresin në tokë.
Është interesant fakti që larva zakonisht pret deri në mbrëmje për të zbritur. Kjo është domethënëse, sepse në mbrëmje dy lloj milingonash të kuqe, që gjithashtu jetojnë në parkun kombëtar, i lënë foletë për të kërkuar ushqim. Larva zbret mu në shtegun e këtyre milingonave që enden për të kërkuar ushqim. Megjithëse zbritja e larvës mund të duket vetëvrasje, në të vërtetë, ajo është pjesë e një plani mbijetese. Çfarë ndodh, pra, më pas?
Së shpejti, disa milingona të kuqe hasin në pengesën e larvës. Me shpejtësi ato e tërheqin larvën për në folenë e tyre. Pasi e futin brenda, larva trajtohet si një mysafir i nderuar dhe jeton pa rrezik e rehat gjatë vjeshtës, dimrit dhe pranverës, në një mjedis ku ka një sasi të bollshme ushqimi. Pa dyshim që larva ka mundësi të kufizuara për të zgjedhur—ka vetëm larva milingonash dhe ushqimin e tyre bazë, të cilin milingonat punëtore e nxjerrin pas një sërë përtypjesh. Por edhe milingonat kanë leverdi. Ato e «mjelin» rregullisht larvën e fluturës për të marrë lëngun sheqeror të dëshirueshëm që ajo prodhon. Madje, edhe kur larva hyn në fazën pupë, ajo vazhdon t’u sigurojë milingonave lëngun sheqeror, si edhe sekrecione të tjera që atyre u pëlqen të hanë. Por në atë kohë, afrohet me të shpejtë fundi i kësaj bashkëjetese.
Nga mysafir në i huaj
Gjatë fazës pupë, larva fillon të shndërrohet në flutur. Kur ndryshimi ka përfunduar, pupa çahet dhe flutura del. Është për tu përmendur fakti se kjo ngjarje ndodh zakonisht herët në mëngjes. Përse? Sepse në mëngjes milingonat nuk janë shumë vepruese dhe ndryshe nga koha kur larva zbriti nga bima në tokë, në këtë fazë për të është më mirë që të mos u tërheqë vëmendjen mikpritseve të saj.
Kur milingonat vijnë më pas për të «mjelë» pupën, shtangen kur gjejnë në folenë e tyre një krijesë të panjohur me krahë dhe menjëherë e sulmojnë këtë të huaj. Sakaq, larva e shndërruar në flutur, turret drejt hyrjes së folesë për të shpëtuar krahët dhe jetën. Pasi është jashtë folesë flutura hipën në një degëz dhe milingonat pushojnë së ndjekuri.
Në një lartësi të sigurt flutura tani shtrin krahët dhe i lë të thahen. Tashmë, rreth një vit pasi ka filluar jetën, vjen çasti i shumëpritur dhe flutura përplas krahët për herë të parë. Ja tek fluturon larg, duke rrahur krahët mbi shqopishtë! Brenda pak ditësh do të çiftohet dhe së shpejti do të fillojë të kërkojë një sanëz të gjatë blu kënetore. Në fund të fundit, është koha që të fillojnë përgatitjet për brezin e ri.
[Kutia në faqen 18]
Flutura të rrezikuara
Habitati i fluturave blu është shqopishta. Shqopishtet u formuan shumë shekuj më parë, në zona të Evropës Perëndimore, ku njeriu i kishte prerë pyjet shumë të vjetër. Në të kaluarën shqopishtet e purpurta e të lulëzuara shtriheshin sa të hante syri, duke mbuluar pjesë të mëdha të Belgjikës, Gjermanisë dhe Holandës, por sot kanë mbetur vetëm zona të vogla e të shpërndara. Si rrjedhojë flutura blu po e humbet me të shpejtë luftën për mbijetesë. Në dhjetë vitet e kaluara, në Holandë ajo është zhdukur në 57 nga 136 habitatet e njohura natyrore. Në fakt mbijetesa e saj është kaq e kërcënuar, saqë emri i saj i është shtuar Listës Evropiane të Fluturave të Rrezikuara, një dokument i përpiluar nga Këshilli i Evropës i cili radhit emrat e llojeve të fluturave që janë në rrezik.
Për t’u siguruar se Parku Kombëtar Duingëlderveld do të mbetet një liman i sigurt për fluturën blu, kujdestarët e parkut tani përpiqen të mirëmbajnë shqopishtet duke përdorur po ato metoda bujqësore që përdornin bujqërit shekuj më parë. Ashtu si në të kaluarën, barinjtë me kope me dhen i bien kryq e tërthor shqopishteve dhe bagëtia e trashë kullot në fusha të mbuluara nga barëra të ashpra. Dhentë dhe bagëtia e trashë që kullotin, pastrojnë vendet ku mund të mbijnë brushtullat, shqopat kënetore dhe bimë të tjera. (Tani në park rriten rreth 580 lloje bimësh.) Si pasojë, edhe fluturat blu në Duingëlderveld bëjnë pjesën e tyre duke u shumëzuar—numri i tyre është duke u rritur. Në fakt, ky park me shqopishte, i cili është më i madhi dhe më i rëndësishmi në Evropë, është një shtëpi kaq mikpritëse për fluturat në përgjithësi, sa këtu mund të shihen 60 për qind e të gjitha llojeve të fluturave që jetojnë në Holandë.
[Figurat në faqen 16]
Një flutur viziton një sanëz blu të kënetave dhe depoziton vezët
[Figura në faqen 17]
Milingonat e kuqe kujdesen për pupat
[Burimi]
Milingonat në faqet 16 dhe 17: Foto nga David Nashi; www.zi.ku.dk/personal/drnash/atta/
[Figura në faqen 17]
Shqopë rozë kënetore
[Figura në faqen 17]
Badër e verdhë moçalore
[Figurat në faqen 18]
Dhentë dhe bagëtia e trashë ndihmojnë për të ripërtërirë habitatin e fluturës