Pikëpamja e Biblës
A duhen përdorur ikonat në adhurim?
ÇDO 15 gusht, në ishullin grek të Tinosit, mbahet një ceremoni fetare madhështore. Mijëra veta mblidhen për të adhuruar Marinë, nënën e Jezuit, dhe ikonën e saj që besohet se ka fuqi mrekullibërëse.a Një vepër referimi për ortodoksinë greke, shpjegon: «Me besim dhe përkushtim të veçantë, ne nderojmë Më të Shenjtën Nënën e Perëndisë, Nënën e Zotërisë tonë, dhe kërkojmë mbrojtjen dhe ndihmën e saj. Kërkojmë ndihmën e Shenjtorëve që bëjnë mrekulli—burra dhe gra të Shenjtë—për nevojat tona shpirtërore dhe fizike. . . . Me përkushtim të thellë, puthim dhe nderojmë objektet dhe ikonat e tyre të shenjta.»
Shumë të tjerë që pohojnë se janë të krishterë, u përkasin besimeve fetare që përfshihen në forma të ngjashme adhurimi. Por, a e miraton Bibla përdorimin e ikonave në adhurimin që i bëjmë Perëndisë?
Të krishterët e hershëm
Kujtoni pak çfarë ndodhi rreth vitit 50 të e.s. kur apostulli Pavël vizitoi Athinën, një qytet që i jepte shumë rëndësi përdorimit të shëmbëlltyrave në adhurim. Pavli u shpjegoi athinasve se Perëndia «nuk banon në tempuj të bërë me dorë, as nuk shërbehet nga duar njerëzore, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë. . . . Prandaj, . . . nuk duhet të kujtojmë se Qenia Hyjnore është si ari, argjendi a guri, si diçka e latuar me art dhe sajim njeriu».—Veprat 17:24, 25, 29.
Faktikisht, paralajmërime të tilla rreth përdorimit të idhujve, janë të zakonshme në Shkrimet e Krishtere Greke, të quajtura edhe Besëlidhja e Re. Për shembull, apostulli Gjon i këshilloi të krishterët: «Ruhuni nga idhujt.» (1 Gjonit 5:21) Pavli u shkroi korintasve: «Ç’marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt?» (2 Korintasve 6:16) Shumë të krishterë në të kaluarën, përdornin shëmbëlltyra fetare kur adhuronin. Pavli ua rikujtoi të krishterëve në Selanik këtë fakt kur u shkroi: «U kthyet nga idhujt tuaj te Perëndia, për të shërbyer si skllevër të një Perëndie të gjallë e të vërtetë.» (1 Selanikasve 1:9) Është e qartë, ata të krishterë duhet të kenë pasur të njëjtën pikëpamje për ikonat, ashtu si Gjoni dhe Pavli.
«Të krishterët» fillojnë të përdorin ikonat
Një enciklopedi thotë se «gjatë tre shekujve të parë të Kishës së Krishtere, . . . nuk ekzistonte arti i Krishterimit, dhe në përgjithësi kisha e kundërshtoi me të gjitha forcat futjen e tij. Për shembull, Klementi i Aleksandrisë kritikoi artin (pagan) fetar, pasi ky art nxiste popullin të adhuronte krijesën dhe jo Krijuesin».—Encyclopædia Britannica.
Si u bë atëherë kaq i përhapur përdorimi i ikonave? E njëjta enciklopedi vazhdon: «Nga mesi i shekullit të tretë, në Kishën e Krishtere nisi të përdorej dhe të pranohej arti i pikturës, pavarësisht nga kundërshtimi i fortë i disa kongregacioneve. Vetëm nga fillimi i shekullit të 4-të, kur Kisha e Krishtere u bë kisha shtetërore romake nën sundimin e perandorit Kostandin, pikturat nisën të përdoreshin në kishë dhe filluan të hidhnin rrënjë si një praktikë e zakonshme në Kishën e Krishterë.»
Një praktikë e zakonshme midis shumë paganëve që nisën ta quanin veten të krishterë, ishte adhurimi i portreteve të perandorit. «Në harmoni me adhurimin që i bëhej perandorit,—shpjegon Xhon Tejlori në librin e tij Pikturimi i ikonave (anglisht),—njerëzit adhuronin portretin e tij të pikturuar në kanavace ose në dru, dhe fill pas kësaj filluan të nderonin edhe ikonat.» Kështu, adhurimi pagan i pikturave u zëvendësua nga adhurimi i pikturave të Jezuit, Marisë, engjëjve dhe «shenjtorëve». Dalëngadalë këto piktura që po përdoreshin nëpër kisha, miliona njerëz filluan t’i adhuronin edhe në shtëpi.
Të adhurojmë «me frymë dhe të vërtetë»
Jezui u tha dëgjuesve të tij se shërbëtorët e Perëndisë duhet ta adhurojnë Atë «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:24) Kështu, kur një person i sinqertë do të dijë të vërtetën për përdorimin e ikonave në adhurim, duhet t’i drejtohet Fjalës së Perëndisë që ta ndriçojë për këtë çështje.
Për shembull, Bibla përmban pohimin e Jezuit: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Pavli deklaroi se «ka një Perëndi dhe një ndërmjetës mes Perëndisë dhe njerëzve, Krishti Jezu», dhe se «Krishti . . . ndërmjetëson për ne». (1 Timoteut 2:5; Romakëve 8:34) Këto role të Jezuit marrin edhe më tepër kuptim, kur lexojmë se Krishti është në gjendje «t’i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse është gjithmonë gjallë për të ndërmjetësuar për ta». (Hebrenjve 7:25) Duhet t’i lutemi Perëndisë në emër të Jezu Krishtit. Askush tjetër, dhe sigurisht as edhe ikonat e pajeta, s’mund ta zëvendësojnë Atë. Kjo njohuri nga Fjala e Perëndisë, mund të ndihmojë çdo njeri që po kërkon të vërtetën, të gjejë mënyrën për ta adhuruar «Atin me frymë dhe të vërtetë» dhe të nxjerrë dobi nga kjo mënyrë e lartë adhurimi. Vërtet, siç tha Jezui: «Ati po kërkon të këtillë që ta adhurojnë.»—Gjoni 4:23.
[Shënimi]
a Zakonisht, një ikonë është figura e një të shenjti të pikturuar në dërrasë, që nderohet nga anëtarët e një feje të caktuar. Për shembull, në Kishën Ortodokse të Lindjes, disa nga këto ikona paraqesin Krishtin, të tjera Trinitetin, «shenjtorët», engjëjt, ose si në rastin e përmendur më lart, Marinë, nënën e Jezuit. Respekti i madh që kanë miliona njerëz për ikonat, përngjan me qëndrimin që kanë shumë të tjerë ndaj shëmbëlltyrave në adhurimin që i bëjnë Perëndisë. Disa fe që nuk janë të krishtere, kanë bindje dhe ndjenja të ngjashme për ikonat dhe shëmbëlltyrat e hyjnive të tyre.
[Burimi i figurës në faqen 20]
Boris Subacic/AFP/Getty Images