Pikëpamja e Biblës
A do të jetë toka Parajsë?
SHUMË popuj, si për shembull egjiptianët, meksikanët, peruanët dhe tibetianët, kanë legjenda që flasin për një epokë të artë kur njeriu ishte pa mëkat, në paqe me Perëndinë e s’dinte ç’ishin sëmundjet dhe vdekja. Këto legjenda tregojnë edhe si ra në mëkat njeriu.
Ndonëse janë shtrembëruar e zbukuruar, legjendat kanë aq shumë elemente të përbashkëta, sa s’mund të ishin rastësi. Kjo ka bërë që mjaft njerëz të dalin në përfundimin se këto gojëdhëna kanë ardhur nga ngjarje të vërteta historike. Dhe vërtet, kuadri që krijohet nga bashkimi i këtyre elementeve, ngjan shumë me atë që lexojmë në kapitujt e parë të librit biblik të Zanafillës. Vetëm se ka një ndryshim: atje nuk gjejmë gjuhën e vagët të një legjende, por hollësitë specifike të një historie të saktë.—2 Timoteut 3:16.
Një fillim i përsosur
Libri i Zanafillës tregon se, kur Perëndia krijoi dy njerëzit e parë, Adamin dhe Evën, i vuri në një kopsht të ujitur mirë, të quajtur Kopshti i Edenit. Ata gëzonin shëndet të përsosur dhe kishin perspektivën e jetës së përhershme. Nëse mëkatonin, ndëshkimi do të ishte vdekja. (Zanafilla 2:8-17; Romakëve 5:12) Adami dhe Eva duhej ‘të ishin të frytshëm, të shumoheshin dhe ta mbushnin tokën e ta sundonin’. (Zanafilla 1:28) Si rezultat, gjithë toka do të ishte një parajsë plot me njerëz të përsosur që i nënshtroheshin me gëzim Perëndisë, Sovranit të tyre.
Mjerisht Adami dhe Eva nuk iu bindën Perëndisë dhe humbën edhe mundësinë për të përmbushur qëllimin e Krijuesit të tyre, edhe perspektivën e jetës së përhershme. Pavarësisht nga kjo, Perëndia Jehova do ta plotësojë qëllimin e tij për tokën. Ai ka thënë: «Fjala që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, . . . do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.» (Isaia 55:11) Dhe në fakt, qëllimi i Jehovait që toka të jetë shtëpia parajsore e njerëzve që pasqyrojnë cilësitë e tij, është një nga temat kryesore që përshkojnë Biblën.—Romakëve 8:19-21.
«Do të jesh me mua në Parajsë»
Menjëherë pasi Adami dhe Eva mëkatuan, Perëndia premtoi se do të sillte një ‘farë’ ose pasardhje. Ajo do ta shkatërronte përfundimisht ‘gjarprin e hershëm’, Satana Djallin, dhe do të zhbënte veprat e tij të liga. (Zanafilla 3:15; Zbulesa 12:9; 1 Gjonit 3:8) Pjesa kryesore e asaj ‘fare’ doli se ishte Jezu Krishti. (Galatasve 3:16) Për më tepër, Perëndia e emëroi atë Mbret të një Mbretërie ose qeverie qiellore, që do të sundojë mbi tokën.—Danieli 7:13, 14; Zbulesa 11:15.
Krishti do të bëjë pikë për pikë atë që nuk bëri Adami. Në fakt, Bibla e quan Jezuin «Adami i fundit». (1 Korintasve 15:45) Madje, ai e lidhi të ardhmen e tokës me Mbretërinë e Perëndisë në lutjen e tij model: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»—Mateu 6:10.
Kur ishte në tokë, Jezui, si Mbreti i ardhshëm i tokës, kishte autoritetin t’i thoshte keqbërësit të penduar që ishte vënë në shtyllë pranë tij: «Do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:43) Parajsa për të cilën po fliste Jezui do të ishte në tokë, siç ishte qëllimi i Jehovait në fillim. Bibla e mbështet qartë këtë fakt. Le të shohim shkrimet e mëposhtme.
«Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psalmi 37:29) «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.» (Psalmi 72:16) «Vetëm të drejtët do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit do të mbeten në të.» (Proverbat 2:21) «Në tërë malin tim të shenjtë askush [asnjë i paqortueshëm] nuk do të bëjë asnjë dëm dhe nuk do të prishë asgjë, sepse toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin.»—Isaia 11:9.
Në përputhje me këto pohime, Jezui tha në Predikimin e tij të famshëm në Mal: «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!» (Mateu 5:5) Më vonë, apostulli Gjon, shkroi: «Tenda e Perëndisë është me njerëzit. . . . Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.» (Zbulesa 21:3, 4) Është e qartë, pra, se këto vargje biblike nuk i referohen një «parajse» në qiell, por një parajse këtu në tokë.
Çfarë kanë thënë studiuesit e Biblës
Shumë studiues të Biblës besojnë se nën Mbretërinë e Krishtit toka do të bëhet parajsë. Teologu Xhozef A. Sijs ka thënë: «Nën sundimin e Mesisë e gjithë toka ka për t’u bërë më në fund . . . siç do të ishte po të mos mëkatonte Adami.» Në një komentues, Henri Alfordi shkroi: «Ajo mbretëri e Perëndisë . . . do të bëhet realisht një mbretëri që do të sundojë gjithë tokën, dhe nënshtetasit e saj do të trashëgojnë tokën . . . , përfundimisht në një gjendje të rimëkëmbur e të bekuar përgjithmonë.»—The New Testament for English Readers, kursivi është i autorit.
Po ashtu, Isak Njutoni, shkencëtar i famshëm dhe studiues i etur i Biblës, shkroi: «Pas ditës së gjykimit, toka do të vazhdojë të banohet nga njerëz, jo vetëm për 1000 vjet, por në jetë të jetëve.»
Përderisa toka do të qeveriset nga vetë Jezu Krishti, ligësia nuk do të ekzistojë më. (Isaia 11:1-5, 9) Po, toka do të jetë parajsë në çdo aspekt, për të lëvduar përgjithmonë Krijuesin e saj.
A DONI TË DINI?
◼ Cili ishte qëllimi fillestar i Perëndisë për njerëzimin dhe tokën?—Zanafilla 1:28.
◼ Çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë?—Mateu 6:10.
◼ Pse ligësia nuk do të ekzistojë më?—Isaia 11:1-5, 9.
[Diçitura në faqen 11]
«Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!»—Mateu 5:5