A është në rrezik Toka?
NGROHJA GLOBALE është cilësuar rreziku më i madh që i kanoset njerëzimit. Revista Science thotë se ajo që i shqetëson studiuesit «është ideja që kemi vënë në lëvizje një ortek ndryshimesh të ngadalta, por të pandalshme». Skeptikët e vënë në dyshim këtë pohim. Është e vërtetë se shumë pajtohen me mendimin se toka po ngrohet, por nuk janë të sigurt as për shkaqet dhe as për pasojat. Ata e pranojnë se aktiviteti i njeriut mund të jetë një ndër faktorët, por jo medoemos kryesori. Pse këto mospajtime?
Një arsye është se proceset fizike që krijojnë klimën globale janë komplekse dhe nuk janë kuptuar plotësisht. Veç kësaj, grupet e interesuara për këtë çështje shpesh i interpretojnë sipas mënyrës së tyre të dhënat shkencore, si për shembull, ato që përdoren për të treguar përse po ngrihen temperaturat.
A po ngrihen vërtet temperaturat?
Sipas një raporti të kohëve të fundit të IPCC-së (Komiteti Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike), i sponsorizuar nga OKB-ja, ngrohja globale është «e padiskutueshme» ose një fakt; dhe ka «shumë të ngjarë» që fajtori kryesor të jetë njeriu. Disa që nuk pajtohen me këtë përfundim, sidomos për ndikimin e njeriut, e pranojnë se ndoshta temperatura në qytete po rritet ngaqë popullsia e tyre po shtohet. Për më tepër, betoni dhe çeliku e thithin kollaj nxehtësinë e diellit dhe gjatë natës ftohen ngadalë. Megjithatë, sipas skeptikëve, matjet e temperaturës në qytete nuk pasqyrojnë çka ndodh në fshatra dhe mund të shtrembërojnë statistikat botërore.
Nga ana tjetër, Klifordi, një plak i respektuar që jeton në fshat në një ishull pranë brigjeve të Alaskës, thotë se ka parë me sytë e tij ndryshime. Banorët e fshatit çajnë përmes akullit të detit drejt kontinentit për të gjuajtur karibu dhe drerë brilopatë. Gjithsesi rritja e temperaturës po e bën të pamundur mënyrën tradicionale të jetesës. Klifordi thotë: «Rrymat kanë ndryshuar, gjendja e akullit ka ndryshuar dhe ngrirja e detit Çukotsk ka . . . ndryshuar.» Ai shpjegon se dikur deti ngrinte në fund të tetorit, kurse tani nuk ngrin deri në fund të dhjetorit.
Në vitin 2007, ngrohja globale ishte e dukshme edhe në Shtegun Veriperëndimor, i cili për herë të parë në histori u bë plotësisht i lundrueshëm. «Ajo që kemi parë këtë vit nënkupton se stinët e shkrirjes së akullit po zgjaten»,—tha një shkencëtar i shquar për Qendrën Kombëtare të të Dhënave për Borën dhe Akullin në Shtetet e Bashkuara.
Efekti serrë—Thelbësor për jetën
Një arsye që jepet për këto ndryshime është shtimi i efektit serrë, një dukuri natyrore thelbësore për jetën në tokë. Kur energjia e Diellit arrin në Tokë, rreth 70 për qind e saj përthithet, duke ngrohur ajrin, tokën dhe detet. Po të mos ishte ky mekanizëm, temperatura mesatare e sipërfaqes së Tokës do të ishte rreth -18 gradë celsius (zero gradë farenhait). Më pas, nxehtësia e përthithur çlirohet sërish në hapësirë në formën e rrezatimit infra të kuq, e kështu Toka nuk tejnxehet. Por, kur lëndët ndotëse ndryshojnë përbërjen e atmosferës, largohet më pak nxehtësi. Kjo çon në rritjen e temperaturës së Tokës.
Ndër gazet që ndikojnë në efektin serrë janë: dyoksidi i karbonit, protoksidi i azotit dhe metani, si dhe avujt e ujit. Përqendrimi i gazeve të efektit serrë në atmosferë është rritur ndjeshëm gjatë 250 viteve të kaluara, qëkurse nisi revolucioni industrial dhe u përdorën më shumë lëndët djegëse fosile, si qymyri dhe nafta. Një faktor tjetër që me sa duket e shton efektin serrë, është shtimi i kafshëve bujqësore, pasi, gjatë procesit të tyre të tretjes, prodhohet metan dhe protoksid azoti. Disa studiues nxjerrin në pah shkaqe të tjera të ngrohjes që sipas tyre kanë ekzistuar para se njeriu të kishte mundësi të ndikonte te klima.
Thjesht një luhatje?
Ata që nuk besojnë se njeriu ka ndikuar te ngrohja globale, vënë në dukje se temperatura e Tokës ka pasur edhe në të kaluarën luhatje të ndjeshme. Ata e tërheqin vëmendjen te të ashtuquajturat epoka të akullnajave, kur Toka mendohet se ka qenë shumë më e ftohtë se tani. Në mbështetje të ngrohjes nga shkaqe natyrore, ata sjellin si provë faktin që dikur rajonet e ftohta, si Grënlanda, kishin bimësi që normalisht rritet në zona të ngrohta. Natyrisht shkencëtarët pranojnë se sa më shumë të kthehen pas në kohë, aq më të pasigurt janë për klimën.
Çfarë mund ta ketë shkaktuar ndryshimin e ndjeshëm të temperaturës para se njeriu të ndikonte te klima? Shkaqe të mundshme janë njollat diellore dhe shpërthimet diellore, të cilat shoqërohen me luhatje të energjisë që prodhon Dielli. Gjithashtu, orbita e Tokës lëviz sipas cikleve që zgjatin mijëra vite dhe që ndikojnë në largësinë e planetit tonë nga Dielli. Veç këtyre është edhe ndikimi i pluhurit vullkanik dhe ndryshimet në rrymat oqeanike.
Modele të klimës
Nëse temperatura e Tokës po ngrihet, pavarësisht nga shkaku ose shkaqet, si do të ndikojë kjo te ne dhe te mjedisi? Është e vështirë të bëhen parashikime të sakta, megjithatë sot shkencëtarët përdorin kompjuterë të fuqishëm për të krijuar modele elektronike në imitim të sistemit klimatik. Ata kanë futur në këto modele ligjet e fizikës, të dhënat klimatike dhe dukuritë natyrore që ndikojnë te klima.
Modelet u krijojnë mundësi shkencëtarëve të eksperimentojnë me klimën në mënyra që s’mund t’i bëjnë në realitet. Për shembull, ata mund «ta ndryshojnë» energjinë diellore për të parë si ndikon kjo tek akulli polar, temperatura e ajrit dhe e detit, shpejtësia e avullimit, trysnia atmosferike, formimi i reve, era dhe reshjet. Ata mund «të krijojnë» shpërthime vullkanike dhe të analizojnë ndikimin e pluhurit vullkanik te moti. Mund të analizojnë edhe si ndikon rritja e popullsisë, shpyllëzimi, shfrytëzimi i tokës, ndryshimi i sasisë së gazeve të efektit serrë etj. Shkencëtarët shpresojnë që modelet e tyre pak nga pak të bëhen më të sakta e të besueshme.
Sa të sakta janë modelet e tanishme? Sigurisht, shumë varet nga saktësia dhe sasia e të dhënave që futen në kompjuter. Prandaj, modelet klimatike parashikojnë që nga ndryshimet e vogla të klimës deri te ndryshimet me pasoja katastrofike. Megjithatë, siç thuhet në revistën Science, «sistemi klimatik [natyror] mund të sjellë surpriza». E tashmë kemi pasur disa, siç është shkrirja me ritme super të shpejta e akullit të Arktikut, që ka befasuar shumë klimatologë. Gjithsesi, sikur ata me autoritet të kishin qoftë edhe një ide të përgjithshme të pasojave të aktivitetit e të pasivitetit të njeriut sot, mund të merrnin vendime që mbase do t’i pakësonin problemet e së nesërmes.
Duke mbajtur parasysh këtë, IPCC-ja analizoi gjashtë situata të paraqitura në modelet kompjuterike, që varionin nga prodhimi i pakufizuar i gazeve të efektit serrë, te kufizimi i pjesshëm i tyre e deri te kufizimet e rrepta. Në secilin rast pasojat te klima dhe te mjedisi ishin të ndryshme. Nën dritën e këtyre parashikimeve, analistët nxitin të merren një sërë masash. Këtu përfshihen kufizimet e detyrueshme te gazet që çlirohen nga lëndët djegëse fosile, dënimet për shkelësit e ligjit, rritja e prodhimit të energjisë bërthamore dhe përdorimi i teknologjive që nuk e dëmtojnë mjedisin.
A janë të besueshme modelet?
Kritikët thonë se metodat e sotme të parashikimit «i thjeshtojnë tepër ato procese klimatike që nuk njihen mirë», kurse proceset «e tjera thjesht shpërfillen». Gjithashtu vënë në dukje se parashikimet kompjuterike nuk përputhen. Një shkencëtar që mori pjesë në diskutimet e IPCC-së tha: «Disa nga ne ndihemi kaq të vegjël kur kemi si detyrë të matim e të kuptojmë sistemin klimatik jashtëzakonisht kompleks, saqë s’kemi besim tek aftësia jonë për të ditur si vepron ai dhe pse.»a
Natyrisht, disa kundërpërgjigjen duke thënë se të përdorësh pasigurinë si justifikim për të ndenjur duarkryq, do të thotë të luash me të ardhmen. «Si do t’ua shpjegonim këtë fëmijëve tanë?»,—thonë ata. Qofshin të sakta apo jo modelet klimatike, për një gjë jemi të sigurt: toka është në gjendje të rëndë. Mjedisi i saj, që mbështet jetën, po dëmtohet nga ndotja, shpyllëzimi, urbanizimi dhe zhdukja e llojeve, sa për të përmendur vetëm disa faktorë që askush s’mund t’i mohojë.
Nga ajo që dimë, a mund të presim që i gjithë njerëzimi të ndryshojë mënyrën e jetesës që të shpëtojë shtëpia jonë e bukur dhe ne vetë? Për më tepër, nëse ngrohjen globale po e shkakton aktiviteti i njeriut, na mbeten vetëm vite, jo shekuj, për të bërë ndryshimet e duhura. Sido që të jetë, për të bërë këto ndryshime, u duhet kushtuar menjëherë vëmendje shkaqeve rrënjësore të problemeve të tokës: lakmisë, interesit vetjak, padijes, qeverisjes së paaftë dhe indiferencës. A mund të arrihet kjo apo është vetëm një ëndërr? Në rastin e dytë, a jemi pa shpresë? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Xhon R. Kristi, drejtor i Qendrës Shkencore të Sistemit Klimatik të Tokës pranë Universitetit të Alabamës, Hantsvil, SHBA, marrë nga The Wall Street Journal, 1 nëntor 2007.
[Kutia dhe figura në faqen 5]
SI MATET TEMPERATURA E TOKËS?
Për të treguar sa e vështirë është kjo, le të bëjmë një ilustrim. Si do ta matnit temperaturën e një dhome të madhe? Për shembull, ku do ta vinit termometrin? Nxehtësia ngjitet lart, kështu që ajri afër tavanit është më i ngrohtë se ai afër dyshemesë. Matja ndryshon edhe kur termometri është afër dritares, në diell ose në hije. Gjithashtu ndikon edhe ngjyra: sipërfaqet e errëta e thithin më shumë nxehtësinë.
Prandaj nuk do të mjaftonte një matje e vetme. Duhet ta matni temperaturën në disa vende e pastaj të llogaritni një mesatare. Matjet ndryshojnë edhe nga ditë në ditë e nga stinë në stinë. Kështu, për të marrë një mesatare të saktë, duhet të bëni shumë matje për një periudhë të gjatë. Pra, imagjinoni sa e vështirë është të matësh temperaturën e përgjithshme të sipërfaqes së Tokës, të atmosferës dhe të oqeaneve! Sidoqoftë këto statistika janë thelbësore për të vlerësuar me saktësi ndryshimin e klimës.
[Burimi]
Fotografi nga NASA
[Kutia në faqen 6]
A ËSHTË NJË ZGJIDHJE ENERGJIA BËRTHAMORE?
Konsumimi i energjisë në mbarë botën po thyen rekordet njëri pas tjetrit. Meqë djegia e naftës dhe e qymyrit prodhon gaze të efektit serrë, disa qeveri po mendojnë të përdorin energjinë bërthamore si alternativë që shkakton më pak ndotje. Por edhe kjo ka problemet e veta.
Gazeta International Herald Tribune thotë se në Francë, një nga vendet që përdor më tepër energji bërthamore, çdo vit nevojiten deri në 19 miliardë metër kub ujë për të ftohur reaktorët. Gjatë motit tejet të nxehtë në vitin 2003, uji i nxehtë që nxirrnin normalisht reaktorët e Francës rrezikoi ta ngrinte temperaturën e lumenjve deri në atë pikë sa kërcënoheshin gjallesat. Prandaj u desh të mbylleshin disa centrale. Pritet që situata të rëndohet nëse temperatura globale ngrihet.
Inxhinieri bërthamor Dejvid Lokbaum i Lidhjes së Shkencëtarëve Aktivistë tha: «Nëse duam të kemi energji bërthamore, duhet të zgjidhim problemin e ndryshimit të klimës.»
[Kutia dhe harta në faqen 7]
KATASTROFAT E MOTIT NË VITIN 2007
Viti 2007 shënoi një numër rekord në katastrofat e motit, për të cilat Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare bëri 14 kërkesa për ndihmë urgjente: 4 më shumë se rekordi i mëparshëm në vitin 2005. Këtu janë renditur vetëm disa nga katastrofat që ndodhën në vitin 2007. Sigurisht, duhet mbajtur parasysh se një ngjarje nuk tregon medoemos një prirje afatgjatë.
◼ Britani: Më se 350.000 veta u prekën nga përmbytja më e rëndë që ka ndodhur gjatë më shumë se 60 vjetëve. Periudha maj-korrik ishte më e lagështa në Angli dhe Uells që kur filloi mbajtja e regjistrimeve në vitin 1766.
◼ Afrika Perëndimore: Përmbytjet prekën 800.000 veta në 14 vende.
◼ Lezoto: Temperaturat e larta dhe thatësira shkatërruan të mbjellat. Rreth 553.000 veta mund të kenë nevojë për ndihma ushqimore.
◼ Sudan: Shirat e rrëmbyeshme lanë 150.000 të pastrehë. Të paktën 500.000 njerëz morën ndihmë.
◼ Madagaskar: Ciklonet dhe rrebeshet u përplasën furishëm në ishull dhe lanë 33.000 të pastrehë. Gjithashtu, 260.000 vetave iu shkatërruan të mbjellat.
◼ Koreja e Veriut: Rreth 960.000 veta u goditën rëndë nga përmbytjet me shtrirje të gjerë, rrëshqitjet e tokës dhe rrëshqitjet e baltës.
◼ Bangladesh: Përmbytjet dëmtuan 8,5 milionë veta, vranë mbi 3.000 njerëz dhe 1,25 milionë kafshë bujqësore. Gati 1,5 milionë shtëpi u dëmtuan ose u shkatërruan.
◼ Indi: Përmbytjet prekën 30 milionë njerëz.
◼ Pakistan: Shirat e cikloneve lanë 377.000 të pastrehë dhe qindra të vdekur.
◼ Bolivi: Më shumë se 350.000 u prekën nga përmbytjet dhe 25.000 mbetën të pastrehë.
◼ Meksikë: Përmbytjet rajonale lanë të paktën 500.000 të pastrehë dhe dëmtuan më shumë se një milion.
◼ Republika Domenikane: Shirat e rrëmbyeshme e të zgjatura shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje toke, duke lënë 65.000 të pastrehë.
◼ Shtetet e Bashkuara: Zjarret që përpinë zonat e thata eshkë në jug të Kalifornisë, detyruan 500.000 veta të braktisnin shtëpitë.
[Burimi]
Sipas NASA/Visible Earth imagery