Të rinjtë pyesin
Si t’i bëj ballë tundimit?
◼ S’ka as dhjetë minuta që Karola ka shkuar në festë dhe ja tek vijnë dy djem me disa qese të mëdha. Dihet se ç’ka brenda. Asaj i kishte kapur veshi një bisedë mes atyre djemve që thoshin se në festë do ta lagnin rëndshëm. Sigurisht, Karola as ua zuri në gojë këtë prindërve. Ajo tha me vete se djemtë po bënin shaka. Në fund të fundit, thuhej se do të kishte disa të rritur në atë shtëpi—kushedi se ku.
Befas Karola dëgjon një zë të njohur nga pas. «Ç’më rri ashtu? Hajt, mos na e nxi festën!» Karola kthehet dhe sheh shoqen e saj, Xhesikën, me dy shishe birre të sapohapura. Xhesika ia zgjat njërën dhe i thotë: «Ec tani, mos më thuaj se nuk do të bësh pak qejf.»
Karola nuk do që ta pranojë, meqë tashmë ka pirë ca birrë. Por presioni është më i fortë nga ç’ia merrte mendja, se Xhesikën e ka shoqe, si dhe nuk dëshiron ta shohin si njeri që ua nxin festën të tjerëve, siç e quajti ajo. Pastaj, Xhesika është vajzë e mirë. «Hë se birrë është,—thotë me vete Karola.—Nuk po marr drogë dhe as po bëj imoralitet.»
KUR je i ri, tundimi vjen në shumë forma. Shpesh ka të bëjë me gjininë tjetër. «Vajzat e shkollës nuk të shqiten,—thotë Ramonia 17-vjeçar.—Kanë qejf të të prekin dhe të shohin deri ku mund të arrijnë me ty. S’duan t’ia dinë se u thua jo!» Diana, edhe ajo 17 vjeçe, kishte kaluar diçka të ngjashme. Ajo thotë: «Një djalë m’u afrua dhe më hodhi dorën në bel. I gjuajta fort në krah dhe i thashë: ‘Ç’bën ore! As të njoh fare!’»
Edhe ti mund të hasësh tundime dhe mbase duket se presioni s’ka të sosur. Siç tha një i krishterë, «tundimet janë si trokitjet e vazhdueshme në derën tënde që s’duan t’ia dinë për tabelën ‘Mos trokit!’». A e dëgjon këtë trokitje më shpesh nga ç’do të doje? Për shembull, a të tundon ndonjë nga gjërat e mëposhtme?
□ Të pish cigare
□ Të pish alkool
□ Të marrësh drogë
□ Të shohësh pornografi
□ Të kryesh imoralitet
□ Të tjera ․․․․․
Nëse ke shënuar ndonjë nga gjërat e mësipërme, mos nxirr përfundimin se nuk je i prerë për të qenë i krishterë. Mund të mësosh t’i mbash nën kontroll dëshirat e gabuara dhe t’i bësh ballë tundimit. Si? Duke kuptuar çfarë e shkakton tundimin do ta kesh më të lehtë. Shqyrto tre faktorë.
1. Papërsosmëria. Të gjithë njerëzit e papërsosur kanë prirjen të bëjnë atë që është e keqe. Edhe apostulli Pavël, një i krishterë i pjekur, pranoi me çiltërsi: «Kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe, është brenda meje.» (Romakëve 7:21) Është e qartë se edhe njeriu më i drejtë hera-herës i ndien «dëshirat e mishit [dhe] dëshirat e syve». (1 Gjonit 2:16) Por, po ta mbash mendjen te tundimi për të vepruar keq, vetëm sa i përkeqëson gjërat, pasi Bibla thotë: «Dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin.»—Jakovi 1:15.
2. Ndikimet e jashtme. Tundimin e ke ngado të hedhësh sytë. «Si në shkollë, edhe në punë, njerëzit flasin gjithë kohën për seksin,—thotë Trina.—Në televizor e në kinema, gjithnjë paraqitet kaq magjepsës, kaq emocionues. Rrallë tregohen pasojat negative.» Trina e ka provuar vetë sa të forta mund të jenë këto ndikime. Ajo kujton: «Kur isha 16 vjeçe, mendoja se isha e dashuruar. Mami u ul me mua dhe më tha se po të vazhdoja siç e kisha nisur, do të përfundoja shtatzënë. U tmerrova që më tha ashtu. Dy muaj më vonë, isha shtatzënë.»
3. «Dëshirat karakteristike rinore.» (2 Timoteut 2:22) Këtu përfshihet çdo dëshirë tipike e rinisë, siç është dëshira e fortë për t’u pranuar nga të tjerët ose që të të konsiderojnë të rritur. Këto dëshira nuk janë të gabuara në vetvete, por po të lihen pa fre, mund ta bëjnë më të vështirë tundimin. Për shembull, dëshira që të tjerët të të konsiderojnë të rritur mund të të bëjë të hedhësh poshtë parimet e mira që të kanë mësuar në familje. Kështu ndodhi me Stivin kur ishte 17 vjeç. Ai thotë: «U rebelova kundër prindërve dhe bëja gjithçka që më kishin thënë të mos e bëja, dhe kjo ndodhi pak pas pagëzimit.»
Kuptohet që ndikimet e përmendura më sipër janë të forta. Gjithsesi, ti mund t’i bësh ballë tundimit. Si?
◼ Në fillim, përcakto cili është tundimi më i fortë për ty. (Tashmë mund ta kesh bërë këtë më sipër.)
◼ Pastaj pyet veten: «Kur e has më shpesh këtë tundim?» Shëno një nga rastet e mëposhtme:
□ Në shkollë
□ Në punë
□ Kur jam vetëm
□ Raste të tjera ․․․․․
Nëse e di se kur ka më shumë rrezik të hasësh tundimin, mund të arrish ta shmangësh fare. Për shembull, mendo për situatën imagjinare në fillim të artikullit. Ç’sinjal mund t’i kishte vlejtur si paralajmërim Karolës se në festë do të kishte telashe? Si mund ta kishte shmangur fare tundimin?
◼ Tani që (1) ke përcaktuar cili është tundimi dhe (2) ke kuptuar kur ka më shumë rrezik ta hasësh, mund të veprosh. Gjëja e parë është të zbulosh si mund ta ndeshësh sa më rrallë a ta shmangësh fare atë tundim. Më poshtë shkruaj ç’mund të bësh.
․․․․․
․․․․․
(Shembuj: Nëse pas mësimit takon shpesh shokë shkolle që të shtyjnë të pish cigare me ta, mbase mund të ndërrosh rrugë që të mos i takosh. Në rast se të vijnë shpesh mesazhe pornografike të padëshiruara kur je në Internet, ndoshta mund të instalosh programe që bllokojnë mesazhet nga ai burim dhe të gjitha sitet e ngjashme. Veç kësaj mund të përdorësh fjalë më specifike kur bën kërkime në Internet.)
Sigurisht nuk mund t’i shmangësh të gjitha tundimet. Herët a vonë ka shumë të ngjarë të hasësh ndonjë tundim goxha të fortë, mbase atëherë kur nuk e pret. Ç’mund të bësh?
Përgatitu. Kur Jezui «u tundua nga Satanai», refuzimi i tij ishte i menjëhershëm. (Marku 1:13) Pse? Sepse ai e kishte të qartë çfarë qëndrimi do të mbante në lidhje me çështjet që u ngritën. Mendo pak për këtë. Jezui nuk ishte robot. Edhe mund të ishte dorëzuar para tundimit. Por tashmë ishte i vendosur t’i bindej Atit të tij kurdoherë. (Gjoni 8:28, 29) Jezui i tha me bindje këto fjalë: «Nuk zbrita nga qielli për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.»—Gjoni 6:38.
Shkruaj në vendet bosh dy arsye pse duhet t’i bësh ballë tundimit që ndesh më shpesh dhe dy mënyra si ta bësh këtë.
1. ․․․․․
2. ․․․․․
Mos harro se, kur i dorëzohesh tundimit, bëhesh skllav i dëshirave të tua. (Titit 3:3) Pse të lejosh të bëhesh rob i dëshirave? Ji aq i pjekur sa t’i kesh ti nën kontroll dëshirat, dhe jo të të kenë ato nën kontroll ty.—Kolosianëve 3:5.
[Shënimi]
a Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.
PËR TË MENDUAR
◼ A mund të tundohen krijesat e përsosura?—Zanafilla 6:1-3; Gjoni 8:44.
◼ Ç’ndikim mund të ketë besnikëria jote te të tjerët kur i bën ballë tundimit?—Proverbat 27:11; 1 Timoteut 4:12.
[Kutia në faqen 27]
BËJ KËTË EKSPERIMENT
Merr një busull dhe vëre në mënyrë të tillë që shigjeta të tregojë veriun. Vër një magnet pranë busullës. Çfarë ndodh? Shigjeta nuk e tregon më me saktësi drejtimin. Ajo kthehet nga magneti.
Ndërgjegjja jote është si busulla. Po të stërvitet siç duhet, ajo do të tregojë «veriun» e do të të ndihmojë të marrësh vendime të mençura. Kurse shoqëria e keqe, ashtu si një magnet, ushtron një tërheqje që mund të ta çorientojnë busullën morale. Ç’mësim del nga kjo? Përpiqu t’i shmangësh njerëzit dhe situatat që mund të ta shtrembërojnë ndërgjegjen.—Proverbat 13:20.
[Kutia në faqen 27]
SUGJERIM
Mendo ç’përgjigje mund të japësh kur dikush përpiqet të të shtyjë në sjellje të gabuar. Mos ki merak. S’ka nevojë të thuash diçka që të dukesh si shenjtor. Shpesh mjafton një refuzim i thjeshtë e me bindje. Për shembull, nëse një shok në shkollë të ofron një cigare, mund të thuash: «Mos e harxho kot. Nuk e pi.»
[Figura në faqen 28]
Kur i dorëzohesh tundimit, bëhesh skllav i dëshirave të tua