«Adresa» e përsosur e Tokës
ADRESA jonë shpesh përfshin shtetin, qytetin dhe rrugën. Për krahasim, le ta quajmë galaktikën Udha e Qumështit «shtetin» ku ndodhet Toka, sistemin diellor—diellin dhe planetët e tij—ta quajmë «qytetin» e Tokës dhe orbitën e saj në sistemin diellor ta quajmë «rrugën» ku banon Toka. Falë përparimeve në astronomi dhe fizikë, shkencëtarët i kanë kuptuar mirë përparësitë e strehëzës sonë në univers.
Pikësëpari, «qyteti» ynë, pra sistemi diellor, është në një pjesë të Udhës së Qumështit që shumë shkencëtarë e quajnë zona e banueshme e galaktikës. Kjo zonë është rreth 28.000 vite-dritë nga qendra e galaktikës dhe ka përqendrimin e duhur të elementeve kimike të nevojshme për jetën. Po të shkosh më larg, këto elemente janë tepër të rralla, kurse, po të futesh më brenda, zona përreth është mjaft e rrezikshme për shkak të shtimit të rrezatimit vdekjeprurës dhe faktorëve të tjerë. «Jetojmë në lagjen më të zgjedhur»,—thuhet në revistën Scientific American.
«Rruga» ideale
Po aq ‘e zgjedhur’ është edhe «rruga» e Tokës, pra orbita e saj në sistemin tonë diellor, në «qytetin» ku banon Toka. Kjo orbitë që gjendet rreth 150 milionë kilometra larg Diellit, ndodhet në atë që shkencëtarët e quajnë zona e banueshme përqark një ylli, ku gjallesat as do të ngrinin dhe as do të piqeshin. Veç kësaj, itinerari i Tokës është gati rrethor, dhe kjo bën që largësia nga Dielli të mbetet thuajse e pandryshueshme gjithë vitin.
Nga ana tjetër, Dielli është «central elektrik» i përsosur. Ai është i palëvizshëm, ka përmasat ideale dhe çliron energji aq sa duhet. Me të drejtë është quajtur «një yll shumë i veçantë».
Fqinja e përsosur
Nëse do t’i zgjidhnit «një fqinjë» Tokës, s’do të gjenit më të mirë se Hëna. Diametri i saj është pak më shumë se çereku i diametrit të Tokës. Prandaj, në krahasim me hënat e tjera të sistemit tonë diellor, Hëna jonë është mjaft e madhe për planetin të cilit i vjen përqark. Por kjo nuk është aspak rastësi.
Në radhë të parë, Hëna është shkaku kryesor i baticave që luajnë rol jetësor në ekologjinë e planetit. Hëna ndihmon edhe që pjerrësia e boshtit të Tokës të mbetet e njëjtë. Pa Hënën, që është bërë enkas për Tokën, planeti ynë do të lëkundej si fugë, e ndoshta do të kthehej sa në një anë në tjetrën. Ndryshimet te klima, te baticat e ndryshime të tjera, do të ishin katastrofike.
Rrotullim dhe pjerrësi e përsosur
Pjerrësia e boshtit të Tokës prej 23,5 gradësh shkakton ciklin vjetor të stinëve, zbut temperaturat dhe krijon lloj-lloj zonash klimatike. Në librin Toka e rrallë—Pse jeta e ndërlikuar është e pazakontë në univers? (anglisht) thuhet: «Pjerrësia e boshtit të planetit tonë është ‘tamam siç duhet’.»
Tamam siç duhet është edhe gjatësia e ditës dhe e natës që vjen nga rrotullimi i tokës rreth vetes. Nëse koha e rrotullimit do të ishte shumë më e gjatë, ana e Tokës nga Dielli do të përzhitej, kurse tjetra do të bëhej kallkan. Në të kundërt, sikur ditët të ishin më të shkurtra, mbase vetëm pak orë, rrotullimi i shpejtë i Tokës do të krijonte stuhi të tërbuara dhe pasoja të tjera të dëmshme.
Po, çdo gjë e planetit tonë, duke filluar nga «adresa» e tij e deri te shpejtësia e rrotullimit dhe te fqinja, Hëna, jep dëshmi se është projektuar me kujdes nga një Krijues i mençur.a Fizikani dhe evolucionisti Pol Dejvis thotë: «Edhe shkencëtarët ateistë do t’i thurnin lavde përmasave, madhështisë, harmonisë, elegancës dhe zgjuarsisë së skajshme të universit.»
A është e mundur që një zgjuarsi e tillë të jetë fryt i rastësisë apo flet për një projekt të qëllimshëm? Mendoni për këtë pyetje teksa lexoni artikullin e shkurtër vijues, i cili tregon për dy mburoja të mahnitshme që e mbrojnë jetën në Tokë nga rreziqet kozmike.
[Shënimi]
a Për ekzistencën e universit në tërësi janë jetësore katër forcat themelore që drejtojnë materien: forca e rëndesës, forca elektromagnetike, si edhe forcat e bashkëveprimit të fortë e të dobët bërthamor. Të gjitha këto janë të sinkronizuara për mrekulli.—Shih kapitullin 2 të librit A ka një Krijues që interesohet për ju? botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia në faqen 5]
PO UDHËTONI MË SHPEJT SE PLUMBI
Para se të përfundoni së lexuari këtë kuti, do të keni udhëtuar mijëra kilometra, madje pa asnjë tronditje. Mendoni për sa vijon.
Toka e ka perimetrin 40.000 kilometra dhe bën një rrotullim të plotë çdo 24 orë. Pra, një njeri që ndodhet në ekuator ose aty pranë, lëviz me 1.600 kilometra në orë. (Sigurisht, polet rrotullohen në vend.)
Vetë Toka rrotullohet rreth Diellit me 30 kilometra në sekondë, kurse sistemi ynë diellor, si një i tërë, vërtitet përqark qendrës së Udhës së Qumështit me shpejtësi marramendëse 249 kilometra në sekondë. Në krahasim me këtë, plumbi udhëton me shpejtësi rreth 1,5 kilometra në sekondë.
[Burimi i figurës në faqen 4]
Udha e Qumështit: NASA/JPL/Caltech
[Burimi i figurës në faqen 5]
Toka: bazuar në pamje nga NASA/Visible Earth