Jemi të gjithë një familje
ÇFARË mendon për njerëzit që e kanë ndryshe nga ti ngjyrën e lëkurës ose që i përkasin një grupi tjetër etnik? A i sheh si të barabartë? Mjerisht, shumë veta i konsiderojnë inferiore disa raca. Sipas një fjalori, racizmi mbështetet në pikëpamjen se «racat kanë dallime rrënjësore midis tyre, se ndahen në raca ‘të larta’ e ‘të ulëta’ dhe se raca ‘më e lartë’ ka të drejtë të shtypë e të shfrytëzojë racat e tjera».
Kjo pikëpamje ka sjellë shumë dëme. Në librin e tij Manual i psikiatrisë kulturore (anglisht), profesori Uen Shing Ceng shkruante se ndjenja e superioritetit të racave «justifikoi shtypjen nga kolonizatorët dhe skllavërinë e grupeve të tjera». Ai shtonte se raca është përdorur «për të justifikuar pabarazinë shoqërore, ekonomike dhe politike». Edhe sot racizmi haset në shumë vende të botës. Por, a bazohet në fakte kjo pikëpamje e dëmshme? Çfarë thonë shkenca dhe Bibla?
Çfarë thotë shkenca?
Zbulimet në gjenetikë kanë vërtetuar sa i gabuar është racizmi. Shkencëtarët që po studiojnë njerëz nga kontinente të ndryshme kanë nxjerrë në pah se ndryshimet në ADN-në e çdo dy njerëzve të marrë rastësisht thuajse në çdo pjesë të botës ishin rreth 0,5 për qind.a Gjithashtu, 86 deri në 90 për qind e këtyre ndryshimeve ndodhnin brenda secilit grup racial. Prandaj, vetëm 14 për qind a më pak e ndryshimit prej 0,5 për qind ishte midis grupeve të ndryshme raciale.
Siç thotë revista Nature, meqë «njerëzit janë gjenetikisht njësoj, gjenetika mund dhe duhet të jetë një mjet i rëndësishëm si për të hedhur dritë, ashtu edhe për ta zgjidhur çështjen e racave».
«Njerëzit janë gjenetikisht njësoj», pra, në thelb nuk kanë ndryshime midis tyre
Ky mendim nuk është i ri. Duke filluar në vitin 1950, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë botoi një sërë deklaratash kundër racizmit. Ato u shkruan nga antropologë, gjenetistë dhe sociologë. Prapëseprapë racizmi vazhdon. Është e qartë se nuk mjafton t’i vësh njerëzit në dijeni për faktet. Duhet prekur edhe zemra ose ajo çka është nga brenda njeriu. «Nga zemra vijnë arsyetime të liga»,—tha Jezu Krishti.—Mateu 15:19, 20.
Pikëpamja e Biblës
Bibla u shkrua për t’i bërë thirrje zemrës. Për shembull, përveçse tregon të vërtetën shkencore se «nga një njeri i vetëm [Perëndia] bëri të gjitha kombet, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut», Bibla thotë edhe: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.» (Veprat 10:34, 35; 17:26) A nuk zgjon kjo në zemrën tënde dashurinë për Perëndinë?—Ligji i përtërirë 32:4.
Perëndia Jehova dëshiron që ne të tregojmë se e duam, duke u bërë si ai. Tek Efesianëve 5:1, 2 thuhet: «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur dhe vazhdoni të ecni në dashuri.» ‘Të ecësh në dashuri’ nënkupton edhe t’i duash njerëzit siç i do Perëndia, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës ose përkatësia etnike.—Marku 12:31.
Perëndia nuk i pranon si shërbëtorë të tij njerëzit në zemrat e të cilëve vlon e keqja, përfshirë urrejtja dhe paragjykimet raciale. (1 Gjonit 3:15) Po afrohet me të shpejtë dita kur Perëndia do të shfarosë nga faqja e dheut të gjithë njerëzit e ligj. Do të mbeten vetëm ata që imitojnë cilësitë e tij. Atëherë njerëzimi do të jetë vërtet një familje e vetme, fizikisht dhe në besim.—Psalmi 37:29, 34, 38.
a Megjithatë, ato ndryshime relativisht të pakta gjenetike midis njerëzve mund të jenë me vlerë nga ana mjekësore, sepse, nga sa duket, disa sëmundje kanë lidhje gjenetike.