«Mos jini më në ankth»
«Llogaria jonë bankare u zhduk, bashkë me kursimet që kishim vënë në emër të fëmijëve. Për shumë muaj, s’kishim asnjë të ardhur.»
● Drejtoja një shkollë në një zonë rurale të Indisë, dhe puna po ecte shumë mirë. Pati një periudhë kur shkolla kishte rreth 500 nxënës. Pastaj, një shkollë me emër në qytet nisi të dërgonte autobusë në zonën tonë dhe ua bëri të lehtë nxënësve të regjistroheshin në të. Kuptohet që shumë nga nxënësit e mi u transferuan në shkollën e qytetit. Madje, numri i nxënësve në shkollën time ra nga rreth 500 në afro 60. Si për t’i keqësuar gjërat, rreth asaj kohe, një nëpunës i shkollës u tërhoq nga marrëveshja financiare që kishim bashkë, dhe ende më kishte hua para. Duhej të paguaja një personel të madh të shkollës, prandaj u gjenda para një krize financiare.
U ulëm si familje dhe e diskutuam çështjen. Të gjithë shfaqëm frymën e vetëmohimit ndërsa përpiqeshim të ndiqnim këshillën e Jezuit për të mbajtur ‘një sy të thjeshtë’ financiarisht, domethënë t’i shtrinim këmbët sa kishim jorganin. (Mateu 6:22, 25) Për njëfarë kohe, na u desh të mos e përdornim makinën, sepse nafta dhe mirëmbajtja kushtonin. Pakësuam shpenzimet ushqimore duke bërë pazar në mbrëmje vonë, kur çmimet e produkteve të mbetura ulen. Gjithashtu, pakësuam sasinë e ushqimeve që hanim çdo vakt.
Për ne si Dëshmitarë të Jehovait është e rëndësishme të mblidhemi me bashkëbesimtarët në mbledhjet e krishtere. (Hebrenjve 10:25) Prandaj, edhe pse ishim në një situatë të vështirë financiare, vendosëm të mos i humbnim mbledhjet dhe asambletë, edhe sikur të na duhej të udhëtonim shumë. Në shërbim, që përfshin t’u mësojmë njerëzve për Biblën, duhet të shkojmë edhe në territore të largëta. Për këtë përdornim një motoçikletë, në vend të makinës. Natyrisht, në motoçikletë mund të rrinin vetëm dy veta.
Por kjo nuk do të thoshte se kalonim më pak kohë në shërbim. Përkundrazi, gruaja dhe vajza ime nisën të kalonin më shumë kohë duke u folur të tjerëve për Biblën. Nganjëherë, ato bënin gjashtë deri në tetë kilometra në këmbë vetëm vajtje, për të drejtuar studime biblike me njerëzit e interesuar. Edhe unë me djalin bëmë përpjekje të kalonim më shumë kohë duke u mësuar të tjerëve për Biblën.
Tani gjërat janë përmirësuar disi financiarisht. Por, nga kjo peripeci kemi mësuar si familje të mos u japim shumë rëndësi zotërimeve materiale. Gjithashtu, mësuam të mos jemi tepër në ankth për gjërat që s’i kemi nën kontroll. Ka qenë sidomos inkurajues Psalmi 55:22. Aty thuhet: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.» Këto fjalë dolën 100 për qind të vërteta gjatë asaj periudhe stresuese nga ana financiare.—Nga një bashkëpunëtor.