Ejani të ecim në rrugën e skllevërve!
QYTETI i Ouidahut u bë qendër e rëndësishme e tregtisë së skllevërve në Afrikën Perëndimore, nga shekulli i 17-të deri në të 19-tin. Ky qytet, që sot ndodhet në Republikën e Beninit, u bë dëshmitar i eksportimit të më shumë se një milion skllevërve. Shpesh afrikanët përdornin afrikanë të tjerë si mallra në këmbim të pijeve alkoolike, pëlhurave, byzylykëve, thikave, shpatave e sidomos armëve, që ishin goxha të kërkuara për shkak të luftërave mes fiseve.
Nga shekulli i 16-të gjer në të 19-tin, afërsisht 12 milionë afrikanë u transportuan përtej Atlantikut që të plotësohej kërkesa për krahë pune në plantacionet e minierat e Botës së Re. Siç thuhet në librin American Slavery—1619-1877, rreth 85 për qind e skllevërve «përfunduan në Brazil dhe në kolonitë britanike, franceze, spanjolle e holandeze të Karaibeve». Afro 6 për qind përfunduan në kolonitë që më vonë do të bëheshin pjesë e Shteteve të Bashkuara.a
Për shumë skllevër—të lidhur me zinxhirë, të rrahur e të damkosur—udhëtimi zinte fill me rrugën prej 4 kilometrash që tani shtrihet nga Muzeu Historik i Ouidahut, një fortesë e rindërtuar, deri te Porta pa Kthim afër bregut. Kjo portë shënon fundin e Rrugës së Skllevërve. Ajo është më tepër një simbol sesa një portë e vërtetë, pasi skllevërit nuk niseshin të gjithë nga i njëjti vend. Pse u përhap aq shumë skllavëria?
Histori e gjatë dhe e shëmtuar
Qysh në kohët e lashta, sundimtarët afrikanë u shitnin robër lufte tregtarëve arabë. Më vonë, fuqitë evropiane i hynë tregtisë së skllevërve, sidomos pasi ngritën koloni në kontinentet amerikane. Në atë periudhë, luftërat ndërfisnore dhe robërit e kapur në to siguronin shumë skllevër. Kështu lufta u kthye në një biznes me leverdi si për fitimtarët, edhe për tregtarët makutë të skllevërve. Skllevër bëheshin edhe njerëz që i rrëmbenin ose që i sillnin tregtarët afrikanë nga vise të thella të kontinentit. Thuajse kushdo mund të shitej si skllav, madje edhe ndonjë fisnik që mbreti nuk e kishte më me sy të mirë.
Një tregtar me nam ishte braziliani Fransisku Feliks de Souza. Më 1788, De Souza mori komandën e fortesës që ishte vatra e tregut të skllevërve në Ouidah, në Gjirin e Beninit. Asokohe, Ouidahu ishte nën sundimin e Mbretërisë së Dahomeit. Mirëpo De Souza dhe mbreti i Dahomeit, Adandozani, kishin një mosmarrëveshje. Prandaj De Souza (mbase kur ishte në burg) kurdisi një komplot me vëllanë e mbretit dhe së bashku e rrëzuan nga froni më 1818. Kështu nisi një marrëdhënie fitimprurëse mes mbretit të ri, Gezos, dhe De Souzës, të cilit iu la në dorë tregtia e skllevërve.
Gezoja kishte ndër mend ta zgjeronte mbretërinë, ndaj dhe i duheshin armë evropiane. Kështu, caktoi De Souzën si mëkëmbës të Ouidahut, që të drejtonte tregtinë me evropianët. Si i vetmi që kishte të drejtën të tregtonte skllevër në atë pjesë të Afrikës, shpejt De Souza vuri para me thasë dhe tregu i skllevërve, që gjendej afër shtëpisë së tij, u bë çerdhe e blerësve vendës e të huaj.
Një udhë e larë me lot
Vizitori i sotëm që ecën nëpër Rrugën e Skllevërve në Ouidah, niset nga fortesa e rindërtuar portugeze. Kjo fortesë e ngritur më 1721, shërben sot si muzeu i përmendur më sipër. Robërit që do të bëheshin skllevër, i mbyllnin në oborrin e madh qendror. Për të mbërritur atje, pjesa dërrmuese kishin ecur net të tëra, të lidhur tok me zinxhirë. Pse udhëtonin natën? Se errësira i çorientonte dhe të arratisurit e kishin më të vështirë të ktheheshin në shtëpi.
Me të mbërritur një grup skllevërish, mbahej një ankand e pasandaj tregtarët damkosnin skllevërit që blinin. Ata që duheshin eksportuar, i çonin në breg, ku i transportonin me kanoe ose varka për tek anijet.
Një pikë tjetër në Rrugën historike të Skllevërve është vendi ku gjendej Pema e Harresës. Sot në vend të saj ngrihet një përmendore. Skllevërit i detyronin të silleshin përqark pemës—me sa dihet, meshkujt nëntë herë dhe femrat shtatë. U thuhej se me këtë ritual do t’u fshihej nga kujtesa mëmëdheu dhe s’do t’u vinte të rebeloheshin.
Në këtë rrugë spikat edhe një monument në kujtim të kasolleve Zomai, që nuk ekzistojnë më. Emri Zomai lidhet me errësirën e përhershme që mbretëronte në kasolle, ku robërit e rrasur njëri pas tjetrit mësoheshin me kushtet skandaloze që i pritnin në anije. Në fakt, në ato kasolle i mbanin edhe muaj të tërë, në pritje të transportimit. Ata që vdisnin nga ajo torturë, i hidhnin në një varr të përbashkët.
Të ther në zemër sidomos kur je para një monumenti të quajtur Zomaçi, që simbolizon pendimin dhe pajtimin. Atje, çdo janar, pasardhësit e skllevërve dhe të tregtarëve të skllevërve kërkojnë falje për fajtorët e padrejtësive.
Ndalesa e fundit në këtë rrugë është Porta pa Kthim—një përmendore që simbolizon çastet e fundit të skllevërve në truallin afrikan. Në këtë portë të madhe të harkuar spikat një basoreliev ku janë gdhendur dy rreshta afrikanësh të lidhur me zinxhirë që drejtohen për te bregu pranë, me Atlantikun përkundrejt. Thuhet se këtu disa robër të dëshpëruar hëngrën rërë që të mos harronin atdheun. Të tjerë zgjodhën vdekjen, duke u mbytur me zinxhirët e vet.
Më në fund, çlirim!
Që në agimin e shekullit të 19-të, morën vrull përpjekjet për të çrrënjosur skllavërinë. Anija e fundit plot me skllevër nga Ouidahu për në Shtetet e Bashkuara mbërriti në qytetin e Mobilit, Alabamë, në korrik të vitit 1860. Gjithsesi, skllavëria e tyre ishte jetëshkurtër, pasi më 1863 qeveria e SHBA-së nxori Deklaratën e Çlirimit. Në Hemisferën Perëndimore skllavëria u çrrënjos më në fund më 1888 kur Brazili e shpalli të paligjshme këtë praktikë.b
Një gjurmë e thellë e tregtisë së skllevërve është diaspora e madhe afrikane, që ka pasur ndikim domethënës te demografia dhe kultura e shumë vendeve në kontinentet amerikane. Një tjetër gjurmë është përhapja e vuduizmit, një fe ku përfshihen magjitë e yshtjet, e praktikuar haptas në Haiti. Në Encyclopædia Britannica thuhet: «Termi vudu vjen nga fjala vodun, që tregon një perëndi a shpirt në gjuhën e popullsisë fon të Beninit (dikur Dahomei).»
Mjerisht, sot e kësaj dite ka ende disa forma të ashpra skllavërie, ndonëse jo gjithnjë në kuptimin e mirëfilltë. Për shembull, me miliona njerëz rropaten si skllevër për të mbijetuar në kushte të rënda ekonomike. Të tjerë robtohen nën regjimet politike shtypëse. (Eklisiastiu 8:9) Gjithashtu, miliona janë robër të mësimeve të rreme fetare dhe besëtytnive. A i çlirojnë dot qeveritë njerëzore nënshtetasit e tyre nga këto forma skllavërie? Jo. Vetëm Perëndia Jehova mund ta bëjë këtë, e do ta bëjë patjetër. Fjala e tij e shkuar, Bibla, premton se të gjithë ata që adhurojnë Jehovain në përputhje me të vërtetën biblike—e vërteta që i liron njerëzit—do të gëzojnë një ditë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë».—Romakëve 8:21; Gjoni 8:32.
[Shënimet]
a Nga një numër relativisht i vogël, komuniteti i skllevërve në Shtetet e Bashkuara u zgjerua, kryesisht nga rritja e popullatës, pasi skllevërit bëheshin me fëmijë.
b Këndvështrimi i Biblës për skllavërinë trajtohet në artikullin «Pikëpamja e Biblës: A e toleronte Perëndia tregtinë e skllevërve?», në Zgjohuni! të shtatorit 2001.
[Kutia dhe figura në faqen 24]
«NJERIU KA SUNDUAR MBI NJERIUN NË DËM TË TIJ»
Shumë njerëz mendojnë se tregtarët e skllevërve e zinin prenë duke plaçkitur fshatra e duke rrëmbyer kë t’u shkrepej. Mbase edhe ka pasur raste të tilla, por zor se tregtarët e skllevërve do të kishin marrë me vete miliona njerëz «pa bashkëpunimin e një rrjeti të stërmadh sundimtarësh e tregtarësh afrikanë», siç tha profesori i historisë afrikane dr. Robert Harmsi në një intervistë radiofonike. Sa e vërtetë është që «njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij»!—Eklisiastiu 8:9.
[Burimi]
© Réunion des Musées Nationaux/Art Resource, NY
[Hartat në faqen 22]
(Për tekstin e faqosur shih botimin)
Afro 12 milionë afrikanë u transportuan përtej Atlantikut që të punonin si skllevër
AFRIKË
BENIN
Ouidah
Bregu i skllevërve
[Figura në faqet 22, 23]
Kjo fortesë portugeze e ngritur më 1721, shërben sot si Muzeu Historik i Ouidahut
[Burimi]
© Gary Cook/Alamy
[Figura në faqen 23]
Statujë skllavi me gojë e duar të lidhura
[Figura në faqen 23]
Porta pa Kthim—Një përmendore që simbolizon çastet e fundit të skllevërve në truallin afrikan
[Burimi]
© Danita Delimont/Alamy