Ndershmëria sjell sukses të vërtetë
«Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.»—Luka 12:15.
SIGURIMI i të ardhurave materiale është pjesë e domosdoshme e jetës. Kemi përgjegjësi para Perëndisë për të plotësuar nevojat tona dhe të familjes.—1 Timoteut 5:8.
Por ç’ndodh kur paratë dhe gjërat që mund të blihen me to bëhen qëllimi i jetës e jo thjesht mjete jetese? Ata që kanë si qëllim kryesor të fitojnë para, bien më lehtë në veprime të pandershme. Mund të jetë tepër vonë kur ta kuptojnë se pandershmëria i ka privuar nga suksesi i vërtetë. Për më tepër, Bibla tregon se dashuria për para sjell shumë dhembje.—1 Timoteut 6:9, 10.
Shqyrtoni rastet e katër njerëzve që mendojnë se sukses nuk do të thotë vetëm të fitosh para.
Respekt për veten
«Disa vjet më parë, intervistova një klient të mundshëm që dëshironte të blinte një policë sigurimi për jetën, me vlerë një milion dollarë. Fitimi im si agjent, do të arrinte në mijëra dollarë. Më tha se, që të bëhej klienti im, duhej t’i jepja nën dorë gjysmën e fitimit. Kjo që më kërkoi nuk ishte as etike e as e ligjshme, dhe ia thashë këtë.
U përpoqa të arsyetoja me të duke e pyetur se, nëse unë do të isha i pandershëm, a do të donte vërtet të më besonte të dhënat e tij konfidenciale dhe financiare. Ia bëra edhe një herë të qartë mendimin tim dhe i thashë të më njoftonte nëse donte që të isha agjenti i tij i sigurimeve. Nuk e pashë më atë person.
Po të kisha pranuar ofertën e tij, kjo do të më minonte vendosmërinë për të qenë i ndershëm dhe do të më shembte respektin për veten si i krishterë. Do të bëhesha skllav i atij njeriu që donte të më manipulonte që të bëhesha pjesë e një skeme të pandershme.»—Doni, SHBA.
Paqe mendore
Siç u tregua në artikullin e parë të kësaj serie, Denit iu ofrua një shumë e madhe që të gënjente për gjendjen e fabrikës së një furnitori të mundshëm. Si veproi?
«E falënderova menaxherin për darkën që na ofroi dhe pastaj ia ktheva zarfin me paratë. Ai vazhdoi të këmbëngulte dhe tha që, nëse do të bënim një vlerësim pozitiv për fabrikën e tij, do të ofronte edhe më shumë para. Nuk pranova.
Nëse do t’i kisha pranuar paratë, frika se mos më zbulonin do të më shoqëronte gjithmonë. Nuk e di se si, por më vonë shefi im e mori vesh ngjarjen. Isha kaq i lumtur e i lehtësuar që nuk kisha bërë asgjë të pandershme. Më erdhi në mendje shkrimi i Proverbave 15:27: ‘Kush nxjerr përfitim të padrejtë, fut në telashe shtëpinë e vet, por kush i urren ryshfetet, do të jetojë.’»—Deni, Hong-Kong.
Lumturi familjare
«Jam i vetëpunësuar në ndërtim. Mundësitë për të mashtruar klientët ose për të mos paguar taksat janë të shumta. Ngaqë kam qenë i vendosur për të vepruar me ndershmëri, unë dhe familja ime kemi nxjerrë shumë dobi.
Ndershmëria duhet ta karakterizojë një person jo vetëm në punë ose biznes, por edhe në çdo aspekt të jetës. Dijenia se gruaja ose burri yt nuk do të bëjë kompromis me normat e Perëndisë, e rrit edhe më shumë besimin brenda familjes. Bashkëshorti do të ndihet i sigurt duke ditur se ndershmëria nuk është si një veshje që ti e vesh dhe e zhvesh sa herë të të leverdisë.
Mund të zotërosh kompaninë më të madhe në botë e megjithatë të mos jesh në gjendje ‘të blesh’ zgjidhje për problemet familjare. Si një Dëshmitar i Jehovait, kam kuptuar se zbatimi i parimeve biblike të ndihmon të bësh një jetë të ekuilibruar. Kam kohë për t’u kënaqur me familjen time, pa më rrëmbyer rryma e kësaj bote që është nën kontrollin e dollarëve dhe të lakmisë.»—Darvini, SHBA.
Një marrëdhënie të mirë me Perëndinë
«Te kompania ku punoj, merrem me blerjet. Agjentët e shitjeve ndonjëherë më sugjerojnë që të mos e raportoj uljen e plotë të çmimeve për mallrat, por të fus në xhep një pjesë të parave që përfitohen nga ulja. Por kjo do të ishte njësoj sikur të vidhja kompaninë time.
Marr një rrogë modeste dhe mund të më kishin hyrë në punë ato para. Megjithatë, asgjë nuk krahasohet me një ndërgjegje të pastër dhe një qëndrim të miratuar para Perëndisë Jehova. Prandaj në çdo blerje që bëj, ndjek parimin biblik që gjendet te Hebrenjve 13:18: ‘Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.’»—Rakela, Filipine.
[Kutia dhe figurat në faqen 9]
Parime për një biznes të ndershëm
Standardet e pranueshme për biznesin ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Megjithatë, parimet e Biblës mund të shërbejnë si bazë për të marrë vendime të ndërgjegjshme. Më poshtë paraqiten gjashtë aspekte që karakterizojnë biznesin e ndershëm:
Vërtetësia
Parimi: «Mos e gënjeni njëri-tjetrin.»—Kolosianëve 3:9.
Korrektësia
Parimi: «Por nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’, dhe nëse thoni ‘Jo’, le të jetë ‘Jo’.»—Mateu 5:37.
Besueshmëria
Parimi: «Mos e zbulo bisedën që një tjetër e ka bërë me ty në mirëbesim.»—Proverbat 25:9.
Ndershmëria
Parimi: «Mos merr ryshfet, sepse ryshfeti i verbon ata që shohin qartë.»—Dalja 23:8.
Drejtësia
Parimi: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»—Mateu 7:12.
Ligjshmëria
Parimi: «Jepuni të gjithëve atë që u takon: taksën atij që kërkon taksën.»—Romakëve 13:7.
[Kutia dhe figurat në faqen 9]
Si të qëndrosh i ndershëm në çështjet e biznesit?
● Përcakto çfarë ka përparësi. Për shembull, për ty është më e rëndësishme të grumbullosh pasuri apo të kesh një qëndrim të miratuar para Perëndisë?
● Vendos që më përpara. Mendo që më përpara për disa situata ku mund të jetë e vështirë të veprosh me ndershmëri dhe planifiko se si do të reagosh.
● Bëje të qartë qëndrimin tënd. Që në fillim të një marrëveshjeje të re biznesi, me takt bëji të qarta normat e tua.
● Kërko mbështetjen e të tjerëve. Kur përballesh me një situatë tunduese ose dilemë, këshillohu me dikë që ka të njëjtat parime si ti.
[Figura në faqen 8]
Nëse jemi të ndershëm, do të gëzojmë paqe mendore