NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE
Si ta disiplinosh fëmijën adoleshent?
VËSHTIRËSIA
Në shtëpinë tuaj keni si rregull të fiket celulari në orën 9 të darkës, por këtë javë dy herë e ke kapur vajzën duke shkruar mesazhe pas mesnatës. I ke thënë djalit të jetë në shtëpi në orën 10 të darkës, por mbrëmë, përsëri, u kthye pas orës 11.
Ti e di që adoleshenti ka mundësi t’u bindet këtyre rregullave. Por në fillim është e nevojshme të kuptosh pse i shkel rregullat. E mira e kësaj është se, ajo që duket si kundërshtim i hapur, mund të mos jetë detyrimisht i tillë.
PSE NDODH?
Kufij të paqartë. Disa adoleshentë i shpërfillin rregullat për të parë nëse mund t’ua hedhin pa u lagur. Për shembull, në rast se prindi i ka thënë se filan prapësi do të ketë një pasojë të caktuar, ndoshta adoleshenti provon deri ku mund të shkojë për të parë nëse prindi do ta mbajë fjalën. A po bëhen rebelë të vështirë këta adoleshentë? Nuk është e thënë. Adoleshentët kanë më tepër të ngjarë të jenë të shkujdesur ndaj rregullave kur prindërit thonë një gjë e bëjnë një gjë tjetër ose kur nuk i përcaktojnë mirë kufijtë.
Rreptësia. Disa prindër përpiqen t’i mbajnë nën tutelë fëmijët adoleshentë duke vënë rregulla pa fund. Kur adoleshenti nuk bindet, prindi acarohet dhe vendos më shumë rregulla. Por kjo shpesh i keqëson gjërat. «Sa më shumë të përpiqeni ta keni nën kontroll, aq më shumë adoleshenti do të ngurtësohet»,—shpjegon libri Marrëdhënia prind-fëmijë (anglisht). Pastaj shton: «Mbajtja nën tutelë është si të hapësh gjalpë të ngrirë në bukë të butë, kështu vetëm sa copëton bukën dhe zgjidhja nuk është t’i mëshosh më fort.»
Një ndihmë mund të jetë disiplina e duhur. Të disiplinosh nuk do të thotë vetëm të ndëshkosh. Përkundrazi, disiplinën e jep me qëllim që ta mësosh fëmijën, jo ta bësh të vuajë. Si ta mësosh adoleshentin të pajtohet me rregullat e tua?
Ç’MUND TË BËSH?
Ji i qartë. Adoleshentët kanë nevojë të dinë saktësisht çfarë pritet prej tyre dhe ç’disiplinë do të marrin nëse nuk binden.—Parimi biblik: Galatasve 6:7.
Sugjerim: shkruaj një listë të rregullave të shtëpisë. Pastaj pyet veten: «A kam vënë shumë? A kam vënë pak? Mos ndoshta disa nuk duhen më? A duhet të lëshoj pe në varësi të përgjegjshmërisë që ka treguar?»
Mbaje fjalën. Adoleshenti mund të çorientohet nëse një javë më parë ia hodhi paq, kurse këtë javë disiplinohet për diçka të ngjashme.—Parimi biblik: Mateu 5:37.
Sugjerim: disiplina sipas shkeljes. Për shembull, nëse nuk e respekton kufizimin e orarit, një disiplinim sipas gabimit do të ishte që t’ia kufizosh edhe më.
Ji i arsyeshëm. Trego që je prind elastik duke i dhënë adoleshentit aq liri sa meriton.—Parimi biblik: Filipianëve 4:5.
Sugjerim: ulu dhe fol me adoleshentin për rregullat. Madje mund ta lësh të propozojë çfarë disipline do të merrte për një gabim të caktuar. Adoleshentët janë më të prirur të bashkëpunojnë me ato rregulla që deri diku i kanë vendosur vetë.
Ndihmoje të formojë karakterin. Synimi yt nuk duhet të jetë vetëm që adoleshenti t’u bindet rregullave, por që ta ndihmosh të krijojë një ndërgjegje të stërvitur, një ndjesi të brendshme për të drejtën dhe të gabuarën. (Shih kutinë «Ndihmoje të kultivojë cilësi të mira».)—Parimi biblik: 1 Pjetrit 3:16.
Sugjerim: kërko ndihmë në Bibël. Është burimi më i mirë ‘i disiplinës që jep gjykim të thellë’ dhe mençuria e saj ‘u jep të papërvojëve mendjehollësi, të rinjve njohuri dhe aftësi për të menduar’.—Proverbat 1:1-4.