NDIHMË PËR FAMILJEN | TË RINJTË
Si t’i përballosh ndryshimet?
VËSHTIRËSIA
Për shkak të punës së babait, duhet të transferoheni.
Shoku a shoqja jote e ngushtë po largohet.
Vëllai ose motra e madhe po largohet nga shtëpia ngaqë martohet.
Sa mirë do të përshtatesh ti me këto ndryshime?
Një pemë që përkulet sipas drejtimit të erës, ka më shumë të ngjarë t’i mbijetojë një stuhie. Ashtu si kjo pemë, edhe ti mund të mësosh «të përkulesh» sipas ndryshimeve që varen pak ose aspak nga ti. Por, para se të shqyrtojmë se si mund ta bësh këtë, duhet të dish disa gjëra për ndryshimet.
Ç’DUHET TË DISH
Ndryshimet janë të pashmangshme. Bibla pohon një të vërtetë themelore për njerëzit: ‘Të gjithëve u rastis të përjetojnë ngjarje të paparashikuara.’ (Eklisiastiu 9:11) Herët a vonë edhe ti do ta provosh sa të vërteta janë këto fjalë. Sigurisht, jo të gjitha ngjarjet e paparashikuara janë të këqija. Madje, disa ndryshime që në fillim duken të këqija, më vonë mund të dalin për mirë. Megjithatë, shumë njerëz ia dalin për bukuri kur ndjekin një rutinë të caktuar. Ja pse ndryshimet, qofshin për mirë a për keq, u prishin rehatinë.
Ndryshimet mund të jenë stresuese veçanërisht për adoleshentët. Pse? Një djalë me emrin Aleksa, shpjegon: «Tashmë po përjeton ndryshime brenda teje, kështu që ndryshimet e jashtme ta shtojnë më shumë stresin.»
Ja një arsye tjetër: kur të rriturit përballen me një ndryshim, mund të mbështeten te përvoja personale që të kuptojnë si i kanë përballuar situatat e ngjashme në të kaluarën. Mirëpo, të rinjtë nuk kanë edhe aq përvojë ku të mbështeten.
Mund të mësosh të përshtatesh. Elasticiteti është aftësia për ta marrë veten nga një fatkeqësi ose për t’u përshtatur me një ndryshim. Kush është elastik, jo vetëm që e përballon një rrethanë të re, por para një pengese në dukje, sheh edhe mundësinë. Adoleshentët që janë elastikë, janë më pak të prirur të gjejnë ngushëllim te droga ose alkooli kur ndihen përtokë.
ÇFARË MUND TË BËSH
Prano realitetin. S’ka dyshim se do të doje të kishe nën kontroll çdo gjë në jetën tënde, por kjo thjesht nuk është e mundur. Miqtë do të largohen ose do të martohen; motrat e vëllezërit do të rriten e do të largohen nga shtëpia; rrethanat mund ta detyrojnë familjen tënde që të transferohet, duke lënë pas miqtë e gjithçka me të cilën je mësuar. Është më mirë ta pranosh realitetin, se t’i lejosh ndjenjat negative të të zënë frymën.—Parimi biblik: Eklisiastiu 7:10.
Shih përpara. Ta mbash mendjen tek e kaluara, është si t’i mbash sytë te pasqyra ndërkohë që i jep makinës në autostradë. Mund të jetë e dobishme t’i hedhësh ndonjë sy herë pas here, por në fakt duhet të përqendrohesh te rruga përpara. E njëjta gjë vlen edhe kur përballesh me ndryshimet. Përpiqu t’i mbash sytë tek e ardhmja. (Proverbat 4:25) Për shembull, çfarë synimi mund të vendosësh për muajin tjetër ose për gjashtë muajt e ardhshëm?
Përqendrohu te gjërat pozitive. Një vajzë me emrin Laura, thotë: «Elasticiteti lidhet me qëndrimin. Përpiqu të gjesh aspekte pozitive të situatës që po kalon.» Po ti, a mund të gjesh të paktën një avantazh në situatën tënde të re?—Parimi biblik: Eklisiastiu 6:9.
Një grua e re me emrin Viktoria, kujton se në vitet e adoleshencës të gjithë miqtë e saj të ngushtë u transferuan larg. Ajo thotë: «U ndjeva kaq e vetmuar. S’doja që gjërat të ndryshonin. Por, kur hedh sytë pas, kuptoj se ai ishte momenti kur fillova vërtet të rritesha, dhe se që të rritesh, duhen bërë ndryshime. E në të njëjtën kohë pashë se përreth kisha plot mundësi për miqësi të reja.»—Parimi biblik: Proverbat 27:10.
Ta mbash mendjen tek e kaluara, është si t’i mbash sytë te pasqyra ndërkohë që i jep makinës në autostradë
Bëj gjëra për të tjerët. Bibla thotë: ‘Shihni me interes jo vetëm çështjet tuaja, por edhe ato të të tjerëve.’ (Filipianëve 2:4) Ana shprehet: «Një ilaç i mirë për të përballuar vështirësitë e tua është të ndihmosh të tjerët në vështirësitë e tyre. Ndërsa rritesha, kuptoja se, kur ndihmoja dikë që po kalonte një situatë të ngjashme si imja apo edhe më të vështirë, nxirrja dobi edhe unë.»
a Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.