TEMA KRYESORE | A KA ARDHUR BIBLA VËRTET NGA ZOTI?
Bibla—A është vërtet ‘e frymëzuar nga Zoti’?
A BESON se Bibla është një libër nga Perëndia? Apo beson se përmban vetëm mendime njerëzish?
Ky është një debat i vazhdueshëm edhe mes atyre që thonë se janë të krishterë. Për shembull, më 2014, sipas një ankete Gallup në Shtetet e Bashkuara, shumica e atyre që pohonin se janë të krishterë, mendonin se «Bibla lidhet disi me Zotin». Nga ana tjetër, rreth 1 në 5 të anketuar e shihnin Biblën si libër me «fabula, legjenda, histori dhe ligje të lashta të shkruara nga njeriu». Për të hedhur dritë mbi të vërtetën, duhet të kuptojmë ç’do të thotë fjala ‘e frymëzuar’ kur bëhet fjalë për Biblën.—2 Timoteut 3:16.
Ç’DO TË THOTË ‘E FRYMËZUAR’?
Bibla përbëhet nga 66 libra të vegjël që u shkruan nga thuajse 40 shkrimtarë gjatë një periudhe prej rreth 1.600 vjetësh. Por, nëse e shkruan njerëzit, si mund të jetë ‘e frymëzuar nga Perëndia’? E thënë thjesht, shprehja ‘e frymëzuar nga Perëndia’ do të thotë se Burimi i informacionit është Perëndia. Bibla e shpjegon kështu: «Njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.» (2 Pjetrit 1:21) Me fjalë të tjera, Zoti përdori forcën e tij të padukshme nxitëse, frymën e shenjtë, për t’u transmetuar mesazhin e tij shkrimtarëve të Biblës. Kjo mund të krahasohet me një biznesmen që i dikton një letër sekretarit të tij. Autori i letrës nuk është ai që e shkruan, por ai që e dikton.
Disa shkrimtarë të Biblës e dëgjuan drejtpërdrejt nga një engjëll mesazhin e Perëndisë. Të tjerëve Zoti u dha vegime. Në disa raste, Ai e transmetoi mesazhin nëpërmjet ëndrrave. Ndonëse disa herë Perëndia i lejoi shkrimtarët ta shkruanin mesazhin e tij me fjalët e tyre, në raste të tjera ua diktoi fjalë për fjalë. Në çdo rast shkrimtarët përcollën mendimet e Perëndisë dhe jo të tyret.
Si mund të jemi të sigurt se shkrimtarët e Biblës u frymëzuan nga Perëndia? Shqyrto tri lloje dëshmish që na nxitin të besojmë se Bibla vjen nga Perëndia.