MËSIMI 1
Dobitë e vetëkontrollit
ÇFARË ËSHTË VETËKONTROLLI
Vetëkontrolli përfshin aftësinë që
të presësh për gjërat që do
t’u vësh fre impulseve
t’i çosh deri në fund punët që s’i ke qejf
të vësh të tjerët para vetes
PSE ËSHTË I RËNDËSISHËM
Fëmijët që kanë më shumë vetëkontroll, mund t’i rezistojnë tundimit, edhe nëse për momentin tundimi duket se sjell kënaqësi. Kurse fëmijët me më pak vetëkontroll, kanë më shumë të ngjarë
të jenë agresivë
të vuajnë nga depresioni
të pinë duhan ose të abuzojnë me alkoolin apo me drogën
të ushqehen keq
Një studim zbuloi se ata që zhvilluan vetëkontroll që në fëmijëri, kishin më pak probleme shëndetësore, ekonomike ose probleme me ligjin. Bazuar në këtë studim, Anxhela Dakuërthi, profesoreshë në Universitetin e Pensilvanisë, arriti në përfundimin se «vetëkontrolli s’është kurrë i tepërt».
SI T’I MËSOSH VETËKONTROLLIN
Mëso të thuash jo dhe mbaje fjalën
PARIM NGA BIBLA: «Nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’, dhe nëse thoni ‘Jo’, le të jetë ‘Jo’.»—Mateu 5:37.
Kur fëmija grindet, ndoshta edhe në publik, ia sprovon prindit vendosmërinë për të mbajtur fjalën. Nëse prindi dorëzohet, fëmija mëson se mjaftojnë skena të tilla dhe jo-ja do të bëhet po.
Por, nëse prindi thotë jo dhe nuk ndryshon mendje, fëmija mëson një të vërtetë thelbësore—s’mund të marrësh gjithmonë atë që do. Dr. Dejvid Uolshi shkroi: «Si për ironi, njerëzit që e mësojnë këtë të vërtetë, janë më të lumtur. Nuk po u bëjmë fëmijëve ndonjë nder duke u mësuar se bota do t’u servirë në pjatë argjendi gjithçka duan.»a
Kur fëmijës i thua sot jo, e mëson që nesër pasnesër t’i thotë jo vetes, për shembull, po të tundohet të marrë drogë, të kryejë marrëdhënie seksuale para martese apo të përfshihet në gjëra të tjera të dëmshme.
Ndihmoje fëmijën të kuptojë pasojat, si të mira edhe të këqija
PARIM NGA BIBLA: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»—Galatasve 6:7.
Fëmija duhet të kuptojë se çdo veprim sjell pasoja. Prandaj, nëse nuk ka vetëkontroll, rezultati nuk do të jetë edhe aq i këndshëm. Për shembull, nëse djali yt merr flakë shpejt, ka të ngjarë që të tjerët ta shmangin. Por, po të mësojë të kontrollojë veten kur e provokojnë, ose të dëgjojë me durim pa i ndërprerë të tjerët, njerëzit do të duan të rrinë me të. Ndihmoje të kuptojë se vetëpërmbajtja sjell rezultate pozitive.
Mësoje fëmijën të vërë përparësitë
PARIM NGA BIBLA: ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’—Filipianëve 1:10.
Të kesh vetëkontroll, nuk do të thotë vetëm të mos bësh keq. Do të thotë edhe të bësh gjëra të domosdoshme që mbase s’i ke me qejf. Ndihmoje fëmijën të dallojë cilat janë gjërat më të rëndësishme dhe t’u japë përparësi. Për shembull, detyrat e shtëpisë vijnë para zbavitjes.
Ji shembull
PARIM NGA BIBLA: «Unë ju lashë modelin, që ashtu si bëra unë me ju, të bëni edhe ju.»—Gjoni 13:15.
Fëmija do të shohë si sillesh ti në situata acaruese ose stresuese. Tregoji me shembullin tënd se gjërat shkojnë më mirë kur shfaq vetëkontroll. Për shembull, si reagon kur fëmija bën ndonjë gabim: shpërthen gjithë nerva apo ruan qetësinë?
a Nga libri Jo: Pse fëmijët e të gjitha moshave duhet ta dëgjojnë këtë fjalë dhe si mund ta thonë prindërit? (anglisht)