TREGIMI 4
Pse e humbën shtëpinë e tyre?
SHIKO çfarë po ndodh tani. Adamin dhe Evën po i dëbojnë nga kopshti i bukur i Edenit. A e di pse?
Sepse bënë diçka shumë të keqe. Prandaj Jehovai po i ndëshkon. E di se ç’gjë të keqe bënë Adami dhe Eva?
Ata bënë diçka që Perëndia u tha të mos e bënin. Perëndia u tha se mund të hanin fruta nga pemët e kopshtit. Por nga një pemë, u tha të mos hanin, përndryshe do të vdisnin. Kjo pemë do të ishte vetëm e tij. Ne e dimë se është e gabuar të marrim diçka që është e dikujt tjetër, apo jo? Por çfarë ndodhi?
Një ditë, kur Eva ishte vetëm në kopsht, një gjarpër filloi t’i fliste. Mendo pak! Ai i tha Evës që të hante nga fryti i pemës që Perëndia u kishte thënë të mos hanin. Por, kur Jehovai bëri gjarpërinjtë, nuk i bëri që të flisnin. Është e qartë, pra, se dikush tjetër po e bënte gjarprin të fliste. Kush ishte ky?
Nuk ishte Adami. Atëherë, duhej të ishte një nga personat që Jehovai kishte bërë shumë kohë para se të krijonte tokën. Ata janë engjëj dhe ne nuk mund t’i shohim. Një nga engjëjt ishte shumë krenar. Ai filloi të mendonte se duhej të ishte një sundimtar si Perëndia. Donte që njerëzit t’i bindeshin atij, jo Jehovait. Ai ishte engjëlli që e bëri gjarprin të fliste.
Ky engjëll arriti ta mashtronte Evën. Kur ai i tha se po të hante frytin, do të bëhej si Perëndia, Eva i besoi. Prandaj ajo hëngri e po kështu bëri edhe Adami. Adami dhe Eva nuk iu bindën Perëndisë dhe për këtë arsye humbën kopshtin e bukur që ishte shtëpia e tyre.
Por një ditë Perëndia do të kujdeset që e gjithë toka të bëhet po aq e bukur sa ishte kopshti i Edenit. Më vonë do të mësosh se çfarë mund të bësh edhe ti për këtë. Por tani le të shohim çfarë ndodhi me Adamin dhe Evën.