Kapitulli 3
Të mbajmë një lidhje të ngushtë me Fjalën e Perëndisë
1. (a) Si e provoi Izraeli i vjetër vërtetësinë e Fjalës së Perëndisë? (b) Përse na intereson kjo?
«JU E dini mirë, me gjithë zemrën tuaj e me gjithë shpirtin tuaj, se asnjë nga të gjitha fjalët e mira që ka folur Jehovai, Perëndia juaj, nuk ka dështuar. Të gjitha janë vërtetuar për ju.» Ja, çfarë u solli ndër mend Josiu pleqve të Izraelit, pasi u vendosën në Tokën e Premtuar. Por në vitet që pasuan, ata jo gjithmonë e morën për zemër dhe e zbatuan Fjalën e Perëndisë. Me çfarë pasojash? Bibla shpjegon qartë se ashtu si premtimet e Jehovait për t’i bekuar kishin dalë të denja për besim, po kështu ai e realizoi edhe atë që kishte thënë për pasojat e mosbindjes. (Jos. 23:14-16) Ky tregim, ashtu si e gjithë pjesa tjetër e Biblës, u ruajt për mësimin tonë, «që të mund të kemi shpresë» e të mos bëjmë asgjë që mund të na shkaktojë humbjen e asaj shprese.—Rom. 15:4.
2. (a) Në ç’kuptim Bibla është «e frymëzuar nga Perëndia»? (b) Duke e ditur këtë, çfarë përgjegjësie kemi?
2 Megjithëse për të shkruar Biblën u përdorën rreth dyzetë «sekretarë» njerëzorë, Autori i saj është vetë Jehovai. A do të thotë kjo se ai drejtoi aktivisht shkrimin e të gjithë asaj që është në të? Po. Siç tha me vërtetësi apostulli Pavël: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia.» Të bindur për këtë, i nxisim kudo njerëzit që t’i kushtojnë vëmendje Biblës dhe ta bazojnë jetën e tyre në përmbajtjen e saj, ashtu siç kërkojmë të bëjmë edhe ne.—2. Tim. 3:16; 1. Sel. 2:13.
Çfarë do t’i ndihmojë të tjerët për ta çmuar atë?
3. Cila është mënyra më e mirë për të ndihmuar shumë nga ata që nuk janë të bindur se Bibla është Fjala e Perëndisë?
3 Natyrisht, shumë nga ata me të cilët flasim, nuk janë dakort me bindjen tonë se Bibla është vërtet Fjala e Perëndisë. Si mund t’i ndihmojmë? Shpesh, mënyra më e mirë është ajo që të hapim Biblën, për t’u treguar se çfarë thotë ajo. «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron pushtet e është më e mprehtë se çdo shpatë me dy presa . . . e mund të shquajë mendimet e qëllimet e zemrës.» (Hebr. 4:12) «Fjala e Perëndisë» janë premtimet e tij të shënuara në Bibël. Ajo nuk është histori e vdekur, por është e gjallë dhe përmbushet në mënyrë të pakundërshtueshme. Kur njerëzit bien, pra, në kontakt me të, zbulohen motivet e vërteta të zemrës së tyre në lidhje me përmbushjen e kërkesave të saj. Ndikimi i saj është shumë më i fuqishëm se çfarëdo gjë tjetër që mund të themi ne personalisht.
4. Cilat shpjegime të thjeshta të të vërtetave biblike kanë ndryshuar qëndrimin e disave për Biblën? Përse?
4 Vetëm shikimi i emrit të Perëndisë në Bibël, ka përcaktuar një kthesë në jetën e shumë njerëzve. Të tjerë kanë vendosur të studiojnë Biblën, kur kanë parë se ç’thotë ajo në lidhje me qëllimin e jetës, përse Perëndia e lejon ligësinë, domethënien e ngjarjeve aktuale apo shpresën realiste të përqendruar në Mbretërinë e Perëndisë. Në vendet ku praktikat fetare u kanë shkaktuar njerëzve mjaft shqetësime nga frymërat e liga, ngjall interes shpjegimi biblik se përse ndodh ajo e si mund të gjejmë lehtësim. Përse këto argumente i prekin njerëzit? Sepse Bibla është i vetmi burim i besueshëm informacioni mbi të tilla argumente me rëndësi jetësore.—Psal. 119:130.
5. Cila mund të jetë arsyeja nëse ndonjë person thotë që nuk beson në Biblën? Si mund ta ndihmojmë atë?
5 Por ç’mund të bëjmë nëse një person na thotë hapur se nuk beson tek Bibla? Do t’i jepje fund bisedës? Jo, nëse ai është i gatshëm për të arsyetuar. Duhet të ndiejmë përgjegjësi për të folur me bindje në mbrojtje të Fjalës së Perëndisë. Ka të ngjarë që ai e konsideron Biblën si libër të të ashtuquajturit krishterim. Hipokrizia dhe përzierjet me politikën të këtij të fundit, si dhe kërkesat e tij të vazhdueshme për para, mund të jenë ndoshta shkaku i reagimit të tij negativ ndaj Biblës. Përse të mos e pyesësh nëse është ashtu? Dënimi që u bën Bibla sjelljeve botërore të të ashtuquajturit krishterim, bashkë me pikat e kundërshtimit midis të të ashtuquajturit krishterim dhe krishterimit të vërtetë, mund të zgjojnë interesin e tij.—Krahaso Mat. 15:7-9; Jak. 4:4; Mik. 3:11, 12.
6. (a) Çfarë të ka bindur ty personalisht që Bibla është Fjala e Perëndisë? (b) Çfarë arsyetimesh të tjera mund të përdorim për të ndihmuar njerëzit që të kuptojnë se Bibla është me të vërtetë nga Perëndia?
6 Për të tjerët, është e dobishme të diskutosh drejtpërdrejt mbi dëshmi të frymëzimit të Biblës. Çfarë të ka bindur ty se Bibla është nga Perëndia? Vallë ajo që vetë Bibla thotë në lidhje me origjinën e saj? (2. Tim. 3:16, 17; Zbul. 1:1) Apo fakti që Bibla përmban një numër të madh profecish që pasqyrojnë një njohje të hollësishme të së ardhmes, profeci të cilat duhet të kenë pasur një burim mbinjerëzor? (2. Pjetr. 1:20, 21; Isa. 42:9) Ndoshta është harmonia e brendshme e Biblës, megjithëse u shkrua nga shumë njerëz në një periudhë kohore prej 1.610 vjetësh? Apo është saktësia e saj shkencore, në kundërshtim me shkrimet e tjera të asaj kohe? Apo ndershmëria e shkrimtarëve të saj? Apo është fakti që u ruajt përkundër të gjitha përpjekjeve të ashpra për ta shkatërruar? Çfarëdo që të ka bërë ty përshtypje mund të përdoret për të ndihmuar të tjerët.
Leximi personal i Biblës
7, 8. (a) Për sa i përket Biblës, çfarë duhet të bëjmë personalisht? (b) Përveç leximit personal të Biblës, për çfarë tjetër kemi nevojë dhe si na e tregon vetë Bibla këtë? (c) Si i ke kuptuar personalisht qëllimet e Jehovait?
7 Përveçse t’i ndihmojmë të tjerët që të besojnë në Bibël, ne vetë duhet të rezervojmë kohën për ta lexuar atë rregullisht. A po e bën këtë? Nga të gjithë librat që janë shkruar ndonjëherë, Bibla është më i rëndësishmi. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se nëse e lexojmë atë nuk kemi nevojë për asgjë tjetër. Shkrimet na këshillojnë të mos veçohemi, duke menduar se mund të kuptojmë gjithçka me një kërkim të pavarur. Për të qenë të krishterë të ekuilibruar, kemi nevojë për studim personal dhe frekuentim të rregullt të mbledhjeve.—Prov. 18:1; Hebr. 10:24, 25.
8 Për dobinë tonë, Bibla flet për një funksionar etiopian, të cilit një engjëll i dërgoi ungjilltarin e krishterë Filipin, ndërsa funksionari po lexonte nga profecia e Isaisë. Filipi e pyeti: «E kupton me të vërtetë atë që po lexon?» Më përulësi etiopasi u përgjigj: «Në të vërtetë, si mund ta kuptoj në qoftë se asnjëri nuk më udhëzon?» E nxiti, pra, Filipin t’ia shpjegonte atë pjesë të Shkrimeve. Filipi nuk ishte thjesht një lexues i pavarur i Biblës që shprehte mendimet personale mbi Shkrimet. Jo. Tregimi na thotë se ai ishte në lidhje të ngushtë me apostujt e kongregacionit të Jeruzalemit dhe ishte një pjesëtar i organizatës së dukshme të Jehovait. Pra, mundi të ndihmojë etiopasin që të përfitonte prej mësimeve që Jehovai jepte nëpërmjet asaj organizate. (Veprat 6:5,6; 8:5, 14, 15, 26-35) Ngjashëm sot, kush nga ne ka arritur i vetëm të ketë një kuptim të qartë e të drejtë të qëllimeve të Jehovait? Përkundrazi, të gjithë kemi pasur nevojën e ndihmës së siguruar me dashamirësi nga Jehovai përmes organizatës së tij të dukshme, e vazhdojmë të kemi nevojë për këtë.
9. Cili program i leximit biblik mund të jetë i dobishëm për të gjithë ne?
9 Për të na ndihmuar që të përdorim Biblën dhe për ta kuptuar atë, organizata e Jehovait siguron materiale të shkëlqyera biblike në Kullën e Rojës dhe në botime të tjera. Për më tepër, kemi një program të rregullt të leximit të Biblës, në lidhje me Shkollën e Shërbimit Teokratik, që mbahet në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait. Përveç kësaj, disa Dëshmitarë të Jehovait lexojnë herë pas here Biblën nga fillimi në fund. Koha që i kushtojmë shqyrtimit të Shkrimeve të Shenjta mund të sjellë bekime të mëdha. (Psal. 1:1-3; 19:7, 8) A e ke lexuar personalisht të tërë Biblën? Nëse jo, bëj një përpjekje të veçantë për ta lexuar atë. Edhe në qoftë se nuk kupton gjithçka, do të jetë shumë e dobishme për ty të kesh një ide të përgjithshme të përmbajtjes. Duke lexuar edhe vetëm katër ose pesë faqe në ditë, do ta përfundoje të gjithë Biblën pothuaj për një vit.
10. (a) Kur e bën leximin tënd biblik? (b) Përse rregullsia është e rëndësishme?
10 Kur mund ta bësh këtë lexim personal të Biblës? Sa e dobishme do të jetë nëse mund të rezervosh edhe 10 ose 15 minuta në ditë! Përndryshe, rezervo të paktën kohë rregullisht çdo javë për këtë qëllim dhe përmbaju pastaj këtij programi. Leximi i Biblës duhet të jetë një shprehi që vazhdon për tërë jetën, ashtu si ngrënia e ushqimit. Siç e di, nëse një njeri ka shprehi të keqe në të ushqyer, shëndeti i tij do të ketë pasoja. E njëjta gjë vlen edhe për shëndetin tonë frymor. Jeta jonë varet nga të ushqyerit e rregullt «me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait».—Mat. 4:4.
11. Cili duhet të jetë pikësynimi yt kur lexon Biblën?
11 Cili duhet të jetë pikësynimi ynë kur lexojmë Biblën? Do të gabonim po të kishim si qëllim vetëm leximin e një numri të caktuar faqesh ose vetëm për të fituar jetën e përhershme. Për të marrë bekime të përhershme, duhet të kemi arsye më të larta: dashuri për Perëndinë, dëshirë për ta njohur më mirë atë, për të kuptuar vullnetin e tij e për ta adhuruar atë në mënyrë të pranueshme prej tij. (Gjoni 5:39-42) Duhet të kemi të njëjtin qëndrim si të shkrimtarit biblik që tha: «Bëmi të njohura rrugët e tua, o Jehova; mësomë shtigjet e tua.»—Psal. 25:4.
12. (a) Përse është e nevojshme të fitohet «njohja e saktë», e për të arritur këtë cila përpjekje mund të jetë e nevojshme kur lexohet? (b) Siç tregohet në faqen 27, nën cilat aspekte mund të analizojmë në mënyrë të dobishme atë që lexojmë në Bibël? (c) Ilustro këto pesë aspekte, një nga një, duke iu përgjigjur me Biblën tënde pyetjeve për secilën prej tyre.
12 Ndërsa marrim këtë mësim, duhet të dëshirojmë të fitojmë «njohuri të saktë». Pa të, si mund ta zbatojmë në mënyrën e duhur Fjalën e Perëndisë në jetën tonë apo t’ua shpjegojmë saktë të tjerëve? (Kolos. 3:10; 2. Tim. 2:15) Për të fituar njohuri të saktë duhet të lexojmë me vëmendje e nëse një pjesë është e thellë, ndoshta duhet të lexohet më shumë se një herë për të kapur kuptimin. Do të përfitojmë edhe nëse marrim kohë për të medituar mbi materialin, duke menduar mbi të nga pikëpamje të ndryshme. Pesë aspekte të dobishme për të menduar janë renditur në faqen 27 të këtij libri. Shumë pjesë të Shkrimeve mund të analizohen në mënyrë të dobishme, duke përdorur një apo më shumë nga këto aspekte. Këtë do ta shohësh vetë duke iu përgjigjur pyetjeve që vijojnë.
(1) Shpesh, pjesa e Shkrimeve që po lexon të lejon të kuptosh më mirë personalitetin e Jehovait.
Kur meditojmë me çmueshmëri mbi atë që thotë Bibla për sa i përket veprave krijuese të Jehovait, si ndikon kjo mbi qëndrimin tonë ndaj tij? (Psal. 139:13, 14; në kapitujt 38-42 të Jobit, shiko veçanërisht 38:1, 2 dhe 40:2, 8, e pastaj 42:1-6.)
Duke pasur parasysh fjalët e Jezuit në Gjonin 14:9, 10, çfarë mund të kuptojmë mbi Jehovain nga ngjarje si ajo e treguar tek Luka 5:12, 13?
(2) Shqyrto se si ndihmon tregimi që po lexon në zhvillimin e temës së Biblës, d.m.th. shfajësimin e emrit të Jehovait nëpërmjet Mbretërisë së Jezu Krishtit, Farës së Premtuar.
Ç’lidhje kanë me këtë temë plagët e Egjiptit? (Shiko Të Dal. 5:2; 9:16; 12:12.)
Ç’mund të themi për tregimin inkurajues për Ruthën nga Moabi? (Rutha 4:13-17; Mat. 1:1, 5)
Si lidhet me këtë temë lajmërimi që i bëri Gabrieli Marijes për lindjen e Jezuit? (Luka 1:26-33)
Përse është domethënëse mirosja e dishepujve të Jezuit me frymën e shenjtë gjatë Rrëshajëve? (Veprat 2:1-4; 1. Pjetr. 2:4, 5, 9; 2. Pjetr. 1:10, 11)
(3) Konteksti të ndihmon të kuptosh domethënien e vargjeve të veçanta.
Kujt i drejtohen fjalët në Romakëve 5:1 dhe 8:16? (Shiko Rom. 1:7.)
A tregon konteksti se 1. Korintasve 2:9 i drejtohet jetës mbi tokë në Rregullin e Ri të Perëndisë? Si tregojnë vargjet 6-8, cilët sy dhe veshë nuk do të kuptonin gjërat për të cilat Pavli po shkruante?
(4) Pyet veten se si mund t’i zbatosh personalisht ato që po lexon.
A është tregimi i Kainit që vret Abelin interesant vetëm nga pikëpamja historike apo përmban dhe këshilla për ne? (Zan. 4:3-12; 1. Gjon. 3:10-15; Hebr. 11:4)
Kur lexojmë (duke filluar nga Të Dalët deri tek Ligji i përtërirë) mbi përvojat e Izraelit në shkretëtirë, cilin zbatim personal duhet të bëjmë për këtë? (1. Kor. 10:6-11)
Këshillat mbi sjelljen, shkruar për të krishterët e mirosur, vlejnë edhe për ata që kanë shpresë për të jetuar përgjithmonë në tokë? (Krahaso Num. 15:16; Gjoni 10:16.)
Edhe në qoftë se kemi një emër të mirë në kongregacionin e krishterë, a kemi nevojë për të menduar se si t’i zbatojmë në masën më të plotë këshillat biblike që tashmë kemi mësuar? (2. Kor. 13:5; 1. Sel. 4:1)
(5) Mendo se si mund t’i përdorësh informacionet që lexon për të ndihmuar të tjerët.
Kush mund të ndihmohet prej tregimit të ringjalljes së vajzës së Jairit? (Luka 8:41, 42, 49-56)
13. Çfarë rezultatesh mund të presim prej një programi të rregullt të leximit biblik dhe një studimi të kryer së bashku në organizatën e Jehovait?
13 Sa i çmueshëm bëhet leximi i Biblës duke vepruar në këtë mënyrë! Leximi i Biblës përbën një sfidë, një projekt për të cilin mund të punojmë me leverdi për tërë jetën. Por nëse veprojmë kështu, do të rritemi të fortë frymësisht. Do të ndihemi më afër Atit tonë të dashur Jehova dhe vëllezërve tanë të krishterë. Kjo do të na ndihmojë që të dëgjojmë këshillën për ‘të mbajtur lart fjalën e jetës’.—Filip. 2:15, Dio.
Pyetje për përsëritje
● Përse Bibla është shkruar dhe ruajtur deri në ditët tona?
● Si mund t’i ndihmojmë të tjerët për ta çmuar atë?
● Përse është e dobishme të lexohet Bibla rregullisht në mënyrë personale? Nga cilat pesë pikëpamje mund ta analizojmë në mënyrë të dobishme atë që lexojmë?
[Kutia dhe figura në faqen 27]
Kur lexon Biblën pyet veten:
Çfarë më mëson çdo pjesë rreth personalitetit të Jehovait?
Si lidhet me temën kryesore të Biblës?
Kush është domethënia sipas kontekstit?
Si duhet të ndikojë në jetën time?
Si mund ta përdor për të ndihmuar të tjerët?