Kapitulli 2
Mospajtime rreth evolucionit: Pse?
Kur doli një botim special për njëqind vjetorin e Prejardhjes së llojeve të Darvinit, W. R. Tomson, atëherë drejtor i Institutit të Kontrollit Biologjik të Komonuelthit, në Otavë, Kanada, u ftua të shkruante një hyrje. Në të ai shkroi: «Me sa dimë, midis biologëve ekzistojnë opinione shumë të kundërta jo vetëm mbi evolucionin, por edhe mbi proceset aktuale. Ky mospajtim ekziston, sepse provat nuk janë të kënaqshme dhe nuk lejojnë të nxirret asnjë përfundim i saktë. Prandaj, është me vend dhe e drejtë që t’i kushtohet kujdes dhe t’i tërhiqet vëmendja publikut joshkencor mbi mospajtimet rreth evolucionit.»a
1, 2. (a) Si është përkufizuar fjala «fakt»? (b) Cilët janë disa shembuj faktesh?
ATA që përkrahin teorinë e evolucionit mendojnë se kjo teori tashmë përbën një fakt të padyshimtë. Ata mendojnë se evolucioni është një «ngjarje reale», «realitet», një «e vërtetë», siç e përcakton një fjalor fjalën «fakt». Por, a është vërtet kështu?
2 Le të ilustrojmë: Më parë, besohej se Toka ishte e sheshtë. Tani është e padyshimtë se ajo ka formë sferike. Ky është një fakt. Më parë, besohej se Toka ishte qendra e universit dhe se kozmosi rrotullohej rreth saj. Tani ne dimë me siguri se toka rrotullohet në orbitë rreth Diellit. Edhe ky është një fakt. Shumë teori që më parë kanë qenë të diskutueshme, janë provuar nga përvoja si fakte të padyshimta, si realitet, si të vërteta.
3. (a) Çfarë tregon se evolucioni është akoma në pikëpyetje si një «fakt» i sigurt? (b) Çfarë mund të jetë e dobishme në shqyrtimin e gjendjes aktuale të evolucionit?
3 A mund, pra, që një shqyrtim i provave mbi evolucionin të na çojë në një terren të tillë të sigurt? Është interesante se qysh kur u botua më 1859-ën, libri i Çarls Darvinit Prejardhja e llojeve, aspekte të ndryshme të kësaj teorie kanë qenë objekt i kontradiktave jo të vogla, bile edhe midis shkencëtarëve më evolucionistë. Sot, ky konflikt është më i ashpër se kurrë. Dhe është shumë domethënëse që të shqyrtohet se ç’thonë rreth kësaj çështjeje vetë mbrojtësit e evolucionit.
Evolucioni nën goditje
4-6. Çfarë ka ndodhur midis atyre që mbrojnë evolucionin?
4 Revista shkencore Discover e shtron situatën kështu: «Evolucioni . . . nuk sulmohet tani vetëm nga të krishterët e vendosur, por vihet në pikëpyetje edhe nga shkencëtarë me reputacion. Midis paleontologëve, shkencëtarë që studiojnë gjetjet fosile, po rritet kundërshtimi ndaj pikëpamjes mbizotëruese të darvinizmit.»1 Fransis Hiçing, evolucionist dhe autor i librit Qafa e xhirafës ka thënë: «Mbasi u pranua në botën shkencore si principi i madh unifikues i biologjisë, tani, pas një shekulli e një çerek, darvinizmi ndodhet në një vështirësi të madhe të papritur.»—The Neck of the Giraffe.2
5 Pas mbarimit të një konference të më se 150 specialistëve të evolucionit, të mbajtur në Çikago, Ilinois, në raportin e saj thuhet: «[Evolucioni] po pëson tani revolucionin e tij më të gjerë e më të thellë në këta 50 vjetët e fundit . . . Mënyra e saktë se si u zhvillua evolucioni përbën tani një mosmarrëveshje të madhe midis biologëve. . . . Tani për tani nuk duket ndonjë zgjidhje e qartë për këto mosmarrëveshje.»3
6 Paleontologu Nils Eldrixh, një evolucionist i shquar, ka thënë: «Dyshimi që ekzistonte qysh herët, me gjithë sigurinë dhe vetëkënaqësinë e biologëve për evolucionin, këta njëzet vjetët e fundit i ka ftohur pasionet.» Ai është shprehur për «mungesën e unitetit të përgjithshëm bile edhe brenda përbrenda kampeve ndërluftuese» dhe ka shtuar: «Gjërat tani janë me të vërtetë rrëmujë . . . Ndonjëherë duket sikur mbi evolucionin ka aq variante, sa ka edhe biologë.»4
7, 8. Si ka komentuar një shkrimtar i njohur mbi Prejardhjen e llojeve të Darvinit?
7 Një gazetar londinez i Times, Kristofer Buker (i cili e pranon evolucionin), ka thënë kështu për të: «Ajo është një teori tërheqëse, e bukur dhe e thjeshtë. E vetmja e metë e saj është se, siç shprehej me rezervë vetë Darvini, ajo ka plot boshllëqe të mëdha e të errëta.» Për librin Prejardhja e llojeve të Darvinit ai ka vërejtur: «Ne këtu kemi ironinë më të madhe, që një libër i cili ka fituar famë se shpjegon prejardhjen e llojeve, në fakt nuk bën asgjë për llojin.»—Kursivi është yni.
8 Bukeri ka thënë më tej: «Tani, një shekull pas vdekjes së Darvinit, ne akoma nuk kemi as provën më të vogël apo një mendim të besueshëm se si ka ndodhur në të vërtetë evolucioni dhe në vitet e fundit kjo gjendje ka çuar në beteja të panumërta për gjithë teorinë në fjalë. . . . Në vetë gjirin e evolucionistëve ekziston pothuaj një gjendje lufte e hapur, ku çdo sekt evolucionistësh dëshiron të diktojë disa modifikime të reja.» Ai përfundon: «Ne nuk kemi as idenë më të vogël dhe ndoshta nuk do ta kemi kurrë, se si dhe pse ka ndodhur ai [evolucioni].»5
9. Si paraqitet sot gjendja midis evolucionistëve?
9 Evolucionisti Hiçing pajtohet me këtë, duke thënë: «Armiqësitë në lidhje me teorinë e evolucionit shpërthyen . . . Pozicionet e vendosura pro dhe kundër u ballafaquan me ashpërsinë më të madhe dhe fyerjet, si bomba shfarosëse, shpërthyen në secilin krah.» Ai ka thënë se në kuadrin e një diskutimi akademik me përmasa të mëdha, u arrit «një gjendje e tillë në shkencë, ku krejt papritur, një ide zotëruese për një kohë kaq të gjatë u flak nga pesha e provave kundër dhe në vend të saj u ngrit një ide e re».6 Edhe revista britanike New Scientist vërente se «një numër gjithnjë e më i madh shkencëtarësh, më saktë një shumicë evolucionistësh . . . sjellin prova se teoria evolucioniste e Darvinit nuk është vërtet shkencore. . . . Shumë prej kritikëve kanë një nivel intelektual nga më të lartët».7
Dilema mbi origjinën
10. A mund të konsiderohet si fakt i vërtetë origjina evolucioniste e jetës në Tokë?
10 Në lidhje me çështjen se si ka lindur jeta, astronomi Robert Xhestrou ka thënë: «Për zhgënjimin e tyre të thellë, [shkencëtarët] nuk kanë një përgjigje të saktë, sepse kimistët nuk kanë mundur kurrë të kenë sukses në përsëritjen e eksperimenteve të natyrës për krijimin e jetës nga materia inorganike. Shkencëtarët nuk e dinë se si ndodhi kjo.» Ai ka shkruar: «Shkencëtarët nuk kanë prova që të mohojnë se jeta është rezultat i një akti krijimi.»8
11. Çfarë vështirësish paraqesin për evolucionin organet e ndërlikuara të trupit të njeriut?
11 Por vështirësitë nuk mbarojnë me origjinën e jetës. Të marrim në konsideratë një organ të trupit, si p.sh. syrin, veshin, trurin. Kushdo shtanget nga kompleksiteti i tyre që është jashtëzakonisht më i madh nga ai i pajisjes më të ndërlikuar që ka ndërtuar njeriu. Për evolucionin ka qenë problem fakti se pjesë të ndryshme të këtyre organeve duhet të punojnë të koordinuara së bashku, në mënyrë që të realizohet shikimi, dëgjimi apo të menduarit. Këto organe do të ishin të pavlefshme nëse të gjitha pjesët përbërëse të tyre nuk do të ishin të kompletuara. Këtej del pyetja: A mund të jetë një element i rastit, i padrejtuar, forcë lëvizëse e evolucionit, që të ketë harmonizuar të gjitha këto pjesë në një të tërë, në kohën e duhur, për të realizuar një organizëm të tillë kaq të ndërlikuar?
12. (a) Si e komentonte Darvini origjinën e syrit? (b) A i është afruar zgjidhjes ky problem sot?
12 Darvini e pranonte këtë çështje si një problem. Ai për shembull shkruante: «Unë e pranoj hapur se do të ishte krejt absurde të mendohet se seleksionimi natyror do të mund të shpinte në formimin e syrit.»9 Nga ky pohim ka kaluar më shumë se një shekull. A është zgjidhur kjo çështje? Jo. Përkundrazi, ajo që kemi mësuar qysh nga koha e Darvinit e deri më sot për syrin, tregon se ai është edhe më i ndërlikuar nga ç’mendonte Darvini. Kështu, Xhestrou ka thënë: «Duket se syri është projektuar; asnjë projektues teleskopësh nuk do ta kishte bërë dot më të mirë.»10
13. Çfarë përfundimi ka nxjerrë një shkencëtar mbi trurin?
13 Nëse çështja qëndron kështu për syrin, ç’mund të thuhet atëherë për trurin e njeriut? Kur edhe një makinë e thjeshtë nuk mund të ndërtohet rastësisht, si mund të jetë i vërtetë mendimi mbi evoluimin e rastësishëm të trurit, kësaj materie me ndërlikim të jashtëzakonshëm? Xhestrou përfundon: «Është e vështirë të pranohet evoluimi i syrit të njeriut si produkt i rastit; është akoma më e vështirë të pranohet zhvillimi i inteligjencës njerëzore si produkt i ndarjeve të rastit në qelizat trunore të paraardhësve tanë.»11
Dilema mbi fosilet
14. A është e vërtetë se provat fosile përkrahin evolucionin?
14 Miliona kocka dhe prova të tjera janë zbuluar nga shkencëtarët; ato dëshmojnë për jetën e kohërave të shkuara dhe quhen fosile. Nëse evolucioni do të ishte i vërtetë, patjetër që në to duhej të gjendeshin prova të bollshme të evoluimit të një lloj qenieje të gjallë në një lloj tjetër. Por Buletini i Muzeut të Historisë së Natyrës në Çikago komenton: «Teoria darviniane [e evolucionit] gjithmonë ka qenë e lidhur ngushtë me provat e sjella nga fosilet dhe ndoshta shumë njerëz besojnë se fosilet përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme të provave konkrete, që shërbejnë në favor të interpretimeve darviniane mbi historinë e jetës. Mjerisht, kjo nuk është plotësisht e vërtetë.»
15. (a) Si i shikonte në kohën e tij Darvini provat fosile? (b) Çfarë dëshmie sjellin format fosile pas më shumë se një shekulli që vazhdojnë të mblidhen?
15 Përse? Buletini vazhdon të thotë se Darvini «u vu në pozitë të vështirë me provat fosile, sepse ato nuk jepnin dëshmi në drejtimin që kishte parashikuar ai . . . se gjetjet gjeologjike, as më parë dhe akoma edhe sot, nuk japin një zinxhir gradual të pakëputur të një evolucioni të ngadaltë e të vazhdueshëm». Në fakt, tani, pas më shumë se një shekulli që vazhdojnë të mblidhen fosile, «ne kemi edhe më pak prova të kalimeve me evolucion nga ç’kishim në kohën e Darvinit»,—vazhdon shpjegimin Buletini.12 Përse paraqitet e tillë kjo çështje? Sepse sa më të bollshme që bëhen provat e fosileve, aq më qartë duket se disa nga provat që dikur u përdorën për të mbështetur teorinë e evolucionit, tani nuk mund të shërbejnë aspak për një gjë të tillë.
16. Si shprehen tani shumë shkencëtarë evolucionistë?
16 Ky dështim i mbështetjes së evolucionit gradual nga provat fosile, ka shqetësuar shumë evolucionistë. Në The New Evolutionary Timetable, Stivën Stenli ka folur për «dështimin e plotë të provave fosile në ilustrimin e kalimit gradual nga një grup i madh në një tjetër». Ai ka thënë: «Provat e njohura fosile nuk janë dhe nuk kanë qenë ndonjëherë në pajtim me [evolucionin gradual].»13 Nils Eldrixh gjithashtu është shprehur: «Modeli, për të cilin na u tha se duhej gjetur në 120 vjetët e fundit, nuk ekziston.»14
Teori më të reja
17. Si i komenton Science Digest teoritë më të reja?
17 Të gjitha këto probleme i kanë bërë shumë shkencëtarë që të paraqesin teori të reja mbi evolucionin. Science Digest e shprehte situatën kështu: «Disa shkencëtarë propozojnë bile ndryshime evolucioniste shumë të shpejta dhe tani ata po merren shumë seriozisht me ide që më parë gjenin popullaritet vetëm në tregimet fantastike.»15
18. Çfarë vështirësish paraqiten në teoritë më të reja që thonë se jeta ka filluar në hapësirën jashtëtokësore?
18 Disa shkencëtarë, për shembull, kanë arritur në përfundimin se jeta nuk mund të ketë lindur në Tokë në mënyrë spontane. Duke spekuluar, ata thonë se ajo duhet të ketë lindur në hapësirën jashtëtokësore e pastaj të ketë zbritur poshtë në Tokë. Por, kjo s’bën gjë tjetër veçse e çon problemin e origjinës së jetës akoma më prapa dhe në pozitë më të vështirë. Dihet mirë se është shumë e vështirë të takosh jetë në një mjedis kaq armiqësor për të, siç është hapësira kozmike. A ka të ngjarë, pra, që jeta të ketë filluar rastësisht diku në univers dhe të ketë mbijetuar në kushte kaq të vështira, të ketë mbërritur në Tokë e pastaj të jetë zhvilluar në ato forma të shumëllojta që njohim ne sot?
19, 20. Çfarë teorie të re po zhvillojnë disa evolucionistë?
19 Meqë gjetjet fosile nuk tregojnë një kalim gradual të jetës nga një lloj në një lloj tjetër, disa evolucionistë teorizojnë se procesi duhet të ketë ndodhur me anë të tkurrjes e të bymimit, pra, jo në gjendje palëviz-shmërie. Siç shpjegon The World Book Encyclopedia: «Shumë biologë mendojnë se me anë të ndryshimeve të shpejta e të fuqishme në gjene, mund të lindin lloje të reja.»16
20 Disa ithtarë të kësaj teorie e kanë quajtur këtë proces «ekuilibër i ndërprerë». Kjo do të thotë se llojet e ruajnë «ekuilibrin» e tyre (ato mbeten krejt të njëjta), por ndonjëherë në të rrallë, ndodh një «ndërprerje» (një hap që çon në zhvillimin e një lloji të ndryshëm). Kjo është pikërisht e kundërta e teorisë që është pranuar për dekada të tëra nga pothuaj të gjithë evolucionistët. Humnera që ndan këto dy teori shprehet bukur nga një titull në The New York Times: «Teoria e evolucionit të shpejtë sulmohet.» Artikulli vëren se ideja më e re e «ekuilibrit të ndërprerë» ka «shkaktuar kundërshtime të reja» midis atyre që mbrojnë pikëpamjen tradicionale.17
21. (a) Çfarë dëshmish duhej të ekzistonin pavarësisht se cila teori evolucioniste pranohet? (b) Megjithatë, çfarë tregojnë faktet?
21 Është e natyrshme se pavarësisht nga teoritë, duhej të ekzistonin të paktën disa dëshmi që të tregonin se një lloj i qenieve të gjalla kalonte në një lloj tjetër. Por, humnerat që ekzistojnë në provat fizike midis llojeve të ndryshme, vazhdojnë të mos mbushen dot, ashtu siç ndodh edhe me humnerat midis llojeve të ndryshme të gjallesave që janë sot në tokë.
22, 23. Si është kundërshtuar në ditët tona ideja e Darvinit për «mbijetesën e më të aftit»?
22 Gjithashtu është domethënëse të vërehet se ç’ka ndodhur me idenë e Darvinit, të pranuar për një kohë të gjatë, në lidhje me «mbijetesën e më të aftit». Këtë ai e quante «seleksionimi natyror». Sipas tij, kjo donte të thoshte se natyra «seleksiononte» qeniet e gjalla më të përshtatura që të mbijetonin. Kështu, këta individë «të aftë», duke fituar tipare të reja që u jepnin atyre avantazhe, evoluonin ngadalë. Por, përvoja e 125 vjetëve të fundit tregon se megjithëse më të aftët mund të mbijetojnë vërtet, kjo nuk mund të shpjegojë se si kanë ardhur ata. Një luan mund të jetë më i aftë se një luan tjetër, por kjo akoma nuk tregon se si u bë ai një luan. Dhe që të gjithë pasardhësit e tij do të vazhdojnë të jenë luanë e jo diçka tjetër.
23 Kështu, shkrimtari Tom Betëll, në revistën Harper’s komentonte: «Darvini ka bërë një gabim kaq të madh e serioz, sa vetëm ai mjafton për të shkatërruar teorinë e tij. Dhe ky gabim është njohur si i tillë vetëm kohët e fundit . . . Një organizëm mund të jetë vërtet ‛më i aftë’ nga një tjetër . . . Por, kjo nuk është diçka që ndihmon krijimin e organizmit, . . . Është e qartë, mendoj, që në këtë ide ka diçka shumë të gabuar.» Betëlli shton: «Mua më duket se përfundimi është shumë tronditës: sipas meje, teoria e Darvinit është në prag të shkatërrimit.»18
Fakt apo teori?
24, 25. (a) Cilat janë disa nga drejtimet ku evolucioni nuk ka mundur të paraqitet në nivelin e një fakti të pamohueshëm? (b) Sipas një evolucionisti, si mund të konsiderohet teoria moderne e evolucionit?
24 Duke përmbledhur disa prej problemeve të pazgjidhura që kundërshtojnë evolucionin, Fransis Hiçing vëren: «[Teoria moderne e evolucionit] ka dështuar në tri fusha vendimtare ku mund të shqyrtohet: Provat fosile tregojnë më tepër për zhvillimin me hope, sesa për ndryshime graduale. Gjenet janë një mekanizëm i fuqishëm stabilizues, që kanë si funksion kryesor parandalimin e zhvillimit të formave të reja. Mutacionet graduale të rastit në nivelin molekular nuk mund të shpjegojnë kompleksitetin e organizuar dhe shumë të madh të formave jetësore.»—Kursivi është yni.
25 Më tej, Hiçing përfundon me këtë vërejtje: «Për të përdorur shprehjen më të butë, them se edhe vetë predikuesit e saj e quajnë teorinë e evolucionit të mbushur plot me pika të dyshimta. Nëse darvinizmi është me të vërtetë principi i madh unifikues i biologjisë, ai përfshin zona jashtëzakonisht të mëdha injorance. Ai dështon në shpjegimin e disa pyetjeve nga më themeloret: se si lëndët kimike inorganike u bënë të gjalla, çfarë rregullash qëndrojnë prapa kodit gjenetik, si i japin gjenet qenieve të gjalla formën përkatëse.» Në fakt, Hiçing përfundon duke thënë se ai e konsideron teorinë moderne të evolucionit «kaq të papërshtatshme, saqë ajo meriton të trajtohet si një çështje besimi».19
26. Pse nuk është e arsyeshme të insistohet në mendimin se evolucioni është një fakt i vërtetë?
26 Sidoqoftë, shumë mbrojtës të evolucionit mendojnë se kanë mjaft arsye për të këmbëngulur se evolucioni është një fakt i vërtetë. Ata pretendojnë se midis tyre debatojnë vetëm për detaje. Por, nëse ndonjë teori tjetër do të kishte vështirësi të tilla kaq të mëdha dhe kontradikta kaq të thella midis mbrojtësve të saj, a do të quhej kaq lehtë si fakt i vërtetë? Duke përsëritur vazhdimisht për diçka se është fakt, nuk e bëjmë atë gjë vërtet të tillë. Një biolog, Xhon R. Durant, ka shkruar në The Guardian të Londrës: «Shumë shkencëtarë bien në joshjen e dogmatizmit, . . . në mënyrë të përsëritur, problemi i origjinës së llojeve është paraqitur si një problem i zgjidhur përfundimisht. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. . . . Por, tendenca ndaj dogmatizmit duket qartë dhe kjo nuk i shërben kritereve të shkencës.»20
27. Cili shpjegim tjetër që ekziston për provat, mund të paraqesë një bazë për të kuptuar se si erdhi jeta në Tokë?
27 Nga ana tjetër, ç’mund të thuhet për krijimin, si një shpjegim për lindjen e jetës në tokë? A jep ai një shpjegim më të besueshëm të provave, sesa pohimet ku bazohet shpesh evolucioni? Dhe, siç thotë i mirënjohuri tregim i krijimit, a e ndriçon në mënyrë të besueshme Zanafilla pyetjen se si u krijuan Toka dhe qeniet e gjalla në të?
[Diçitura në faqen 14]
«Pas një shekulli e një çerek, darvinizmi ndodhet në një vështirësi të madhe të papritur»
[Diçitura në faqen 15]
«Mënyra e saktë se si u zhvillua evolucioni përbën tani një mosmarrëveshje të madhe midis biologëve»
[Diçitura në faqen 18]
«Duket se syri është projektuar; asnjë projektues teleskopësh nuk do ta kishte bërë dot më të mirë»
[Diçitura në faqen 21]
«Modeli, për të cilin na u tha se duhej gjetur në 120 vjetët e fundit, nuk ekziston»
[Diçitura në faqen 21]
«Disa shkencëtarë propozojnë bile . . . ide [evolucioniste] që më parë gjenin popullaritet vetëm në tregimet fantastike»
[Diçitura në faqen 22]
Teori të reja kundërshtojnë çfarë është pranuar për shumë dekada
[Diçitura në faqen 23]
«Sipas meje, teoria e Darvinit është në prag të shkatërrimit»
[Diçitura në faqen 24]
«Në mënyrë të përsëritur, problemi i origjinës së llojeve është paraqitur si një problem i zgjidhur përfundimisht. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta»
[Kutia në faqen 18]
«Shkencëtarët e kompjuterëve pengohen në përpjekjet e tyre për të imituar pamjen e njeriut»
Në një artikull të titulluar kështu The New York Times raportonte: «Ekspertët që po ndjekin një nga ëndrrat më të guximshme të njeriut—krijimin e makinave që mendojnë—janë penguar që në hedhjen e atij që ngjan një hap i parë elementar. Ata kanë dështuar në zotërimin e pamjes.
Mbas dy dekadash kërkime, atyre ende u duhet t’u mësojnë makinave aktin e thjeshtë në dukje, për të qenë në gjendje të njohin objektet e përditshme dhe t’i dallojnë nga njëra-tjetra.
Në vend të kësaj, ata kanë zhvilluar një respekt të thellë të ri për pamjen e jashtëzakonshme të njeriut. . . . Retina njerëzore është lakmia e shkencëtarëve të kompjuterëve. Të 100 milionë shufrat dhe konet, si edhe shtresat e saj të neuroneve kryejnë së paku 10 miliardë llogaritje në sekondë.»b
[Figura në faqen 16]
Mbi librin e Darvinit, Prejardhja e llojeve, një shkrimtar londinez i Times që pranon evolucionin shkroi: «Ne këtu kemi ironinë më të madhe, që një libër i cili ka fituar famë se shpjegon prejardhjen e llojeve, në fakt nuk bën asgjë për llojin»
[Figura në faqen 17]
Një evolucionist pohoi: «Pozicionet e vendosura pro dhe kundër u ballafaquan . . . dhe fyerjet, si bomba shfarosëse, shpërthyen në secilin krah»
[Figurat në faqen 19]
Astronomi Robert Xhestrou tha: «Është e vështirë të pranohet evoluimi i syrit të njeriut si produkt i rastit; është akoma më e vështirë të pranohet zhvillimi i inteligjencës njerëzore si produkt i ndarjeve të rastit në qelizat trunore të paraardhësve tanë»
[Figurat në faqen 20]
«Disa nga rastet klasike të ndryshimit darvinian në dokumentacionin fosil . . . janë dashur të skartohen apo të modifikohen si rezultat i një informacioni shumë më të hollësishëm.»c—David Raup, Field Museum of Natural History, Çikago
Eohipusi
Arkeopteriksi
Peshku me mushkëri
[Figura në faqen 22]
Megjithëse më të aftët mund të mbijetojnë, kjo nuk shpjegon se si kanë ardhur ata